Si fillime të historiografisë moderne shqiptare deri më sot konsideronim veprat De Obsidione Scodrensi (1504) e “Historia de Vita et gestis Scanderbegi Epirotarum princips” (1522) të cilat së bashku kanë përfaqësuar monumentet e para të kulturës e identitetit shqiptar e në të njëjtën kohë gurin themeltar në historiografinë shqiptare. Mirëpo duke mos njohur autorin e vërtetë të këtyre veprave gjithçka fillonte dhe mbaronte aty. Me shumë të paditura dhe me dhjetra hamendesime që linin pa një shpjegim racional edhe fakte elementare.I ashtuqojturi Marin Barleti na paraqitej më shumë si një enigmë se sa si një person historik i botës reale.
Në kushtet e reja të zbulimeve albanologjike krijohen mundësira më të mëdha e krejt të ndryshme për hulumtime të reja dhe fillimet e historiografisë shqiptare rimarin një dimension të ri. Një dimension më realist dhe më evropian të lidhur ngushtë me zhvillimet humanistike të kohës.
Në filologjinë evropiane u injorua deklarata e P. Giovios(1546) që njihte si autor të Historisë së Skënderbeut Beçikemin dhe u parapëlqye studimi i A. Zenos(1753) që krijoi artificialisht figurën e Barletit si një person i ndryshëm nga Beçikemi. Për pesë shekuj me radhë mbeti i panjohur dedikimi monumental që humanisti shqiptar Luka Ulqinaku i bënte Marin Beçikemit qysh më 1519 ku e cilësonte atë si një Baba shumë i nderuar i kombit. (I. Karanxha: Luka Ulqinaku. Një dedikim munumental për Marin Beçikemin. Rilindasi Sup. 26.III.2016) E në fakt babai i vërtetë i kombit shqiptar sot mbetet vetëm Marin Beçikemi. Koha tregoi se rrugët e ndërmjetme apo të ndryshme janë të gjitha pa asnjë prespektivë që degjenerojnë në një farsë megallomane me karakter antikombëtar.
Duke ndjekur hapat e formimit kulturor të këtij humanisti gjejmë aktivizimin e tij qysh në moshë të re kur mban në publik dhe para autoriteteve veneciane fjalime retorike. Këto fjalime kanë karakter lavdërues për jetën dhe bëmat e këtyre nëpunësve të lartë që krahasohen sipas rastit, e sipas zakonit të kohës, herë me figura mitollogjike, herë biblike e herë herë me figura e heronj të shquar të antikitetit. Nuk mungojnë ekzagjerimet por nuk mungon të flasë edhe për ngjarjet e Shqipërisë për luftën madhore të Shkodrës, për trimërinë e besnikërinë e shkodranëve, për qëndresën heroike kundra perandorisë më agresive të kohës, për nevojat dhe fatin e emigrantve që kishin mbritur në Vendik dhe që prisnin ndihmë e mbështetje nga Serenisima. Nuk nguron të flasë në këto fjalime për jetën e vet, për fatin e familjes së tij dhe për nevojat e ngutëshme për mbijetësë. Praktikisht fillon të hedhë hapat e para në shkrimin e historiografisë shqiptare, fillon të interesohet për ngjarjet e afërta e të largëta të ndodhura në Shqipëri, të shkruajë për të shkuarën e lavdishme, për situartën e momentit si individ apo në emër të gjithë komunitetit shqiptar edhe për gjëndjen dhe nevojat e tyre. Nga një fjalim panagjerik tek tjetri do të arinim deri tek vepra e mirënjohur Rrethimi i Shkodrës bile edhe pas botimit të saj në Breshia ku bënte profesorin nuk do mungonte tu fliste nxënsve të tij për lavdinë e qytetit të Shkodrës. Fill pas botimeve mbi këtë ngjarej do t’i dedikohej për vite me rradhë historisë të Skëndërbeut deri sa të arinte më 1522 në botimin monumental që njohim sot apo në pregatitje të varianteve më të shkurtura që do të vidheshin nga niprit e Pal Ëngjëllit. (I. Karanxha: Gjeneza e një vepre dhe shtrembërimi i historiografisë shqiptare në shek. XVI. Zemra Shqiptare 1.XI.2015. )
Ja pra në këtë shtjellim telegrafik për humanistin tonë del qartë se shumë vite më parë se të dilnin veprat e sipërpërmëndura ishin hedhur hapat e para të historiografisë shqiptare. Tërthorazi mësohet se ai kishte filluar të fliste në publik dhe para autoriteve veneziane qysh nga viti 1484 por viti 1491 ose 1492 shënon një moment kulmor në jetën e Marin Beçikemit. I dipllomuar ose në prag të dipllomimit në të drejtë kanonike ai paraqitet me një poemë të gjatë para dozhes së Venedikut Agostino Barbarigo (1419-1501, doxhe nga viti 1486). Një ngjarje e jashtëzakonshme e rëndësishme e në të njtën kohë një nder i veçantë në jetën e këtij të riu plot talent dhe erudicion. Përmbajtja e kësaj poeme që përmënd edhe luftën e qëndresën heroike të Shkodrës nuk është shumë e ndryshme nga fjalimet e tjera panagjeriste që folëm edhe më sipër mirëpo këtë ngjarje kaq të veçantë e të rëndësishme të jetës së tij para dozhes së Venedikut ai do ta bënte të pavdekshëm me një kod dorëshkrim të ndriçuar nga një minjaturë e cila sot automatikisht mer një vlerë të dyfishtë. Si embrioni i fillimeve të historiografisë nga shqiptarët por edhe si një dokumen viziv që e ka bërë të pavdekshm momentin historik. E thënë me termat moderne një fotokronikë për pikënisjen e historiografisë shqiptare. Një ngjarje e shënuar e jetës së Marin Beçikemit shndrohet në mënyrë automatike një ngjarje e shënuar për mbarë popullin shqiptar, shndrohet automatikisht një pilastar i parë i shkencës albanollogjike, i kulturës dhe i artit shqiptar.
Pas argumetimeve për portretin autentik të Skënderbeut në kodin e ashtuqojturit Fenestella-s i cili zgjidhi për shkencën albonollogjike një polemikë gati shekullore(I. Karanxha: Skënderbeu autentik dhe modeli i Romës antike (de romanorum magistratibus) për mbretërinë shqiptare. Milosao 21 nëntor 2014- (në rjetë : Zemra Shqiptre 16.XI. 2014; Revista Drini, Tetova News) tani me kodin dorëshkrim të biliotekës shtetërore të Berlinit shkenca albanollogjike pasurohet me një dokumet të rallë i cili pasqyron në mënyrë vizive e autentike edhe aktin e parë të fillimit të historiografisë shqiptare. Në të njëjtën kohë këto minjatura e ndonjë aplikim tjetër (I. Karanxha: Nga Skënderbeu tek Giorgone e Leonardo da Vinci. Gazeta Dielli 5.VI. 2011 ) duhet ti konsiderojmë edhe si fillimet e artit rilindas shqiptar. Këto ishin shkëndijat e para të daljes nga mesjeta të cilat u shojtën nën terrorin e terrin shekullor të Perandorisë Otomane.
Dy fjalë për poemën e Beçikemit dhe dy kodet dorëshkrim.
Poemën e vet Beçikemi e ka mbajtur para dozhes Agostino Barbarigo aty nga vitit 1491 ose fillimi i vitit 1492. Ai e përmënd këtë oracion në shkrimet e tij të cilën e referon për herë të parë A. Zeno në formën: Orationes ad Serenissimo Venetorum Duces Augustinum Barbadicum & Leonardum Laurentanum Principes...(A. Zeno : Dissertazione vossiane…1753, p. 419) mirëpo nuk gjen gjurmë që oracionini për Barbarigo-n të ketë parë dritën e botimit.
Kjo përmëndje e Zenos meret nga Cecil H. Clough (DBI, 1970, vol. 7, pp 511-515 edhe në rjetë ) i cili në zërin për Beçikemin oracionin mbi dozhen A. Barbarigo e fut mes mes veprave të humbura të tij.
Në fakt vepra nuk shkoj kurrë në shtyp por mbeti si dorëshkrim jo një por në dy kopje pra dy kode. Ato ishin referuar nga Oscar Kristeller ( Iter Italicorum vol. II, 1967, p. 247 (Kodi i Venetikut), e vol. III 1983, p. 360 (Kodi i Berlinit)
Kodi i Berlinit : Marinus Becichemus Scodrensis ad Serenissimum et praestantissimum Principem Augustinum Barbardicum illustrissimum venetorum Ducem (=Marin Beçikemi Shkodrani për Princin shumë të Kthjellët e shumë të shkëlqyer Agostino Barbarigo dozhe shumë i famshëm venezian) (Staatsbibliothek zu Berlin –Preußischer Kulturbesitz (SBB-PK), Ms. Ham. 69)
Përshkrimi i detajuar i këtij kodi është bërë për herë të parë më 1966 nga Helmut Boese ( Die lateinischen Handschriften der Sammlung Hamilton zu Berlin beschrieben von Helmut Boese = Dorëshkrimet latinisht të koleksionit Hamilton të përshkruara nga Helmut Boese -Wiesbaden Harrassowitz 1966, p. 36 )
Kodi ka përmasat 26.5×18.5cm, i shkrojtur mbi pergamenë, është i lidhur me kapakë dekorativë të praruar në qëndër të të cilëve është pikturar përsëri me ar stema e dozhes Agostinio Barbarigo. Në f. 1r gjendet titulli me gërma të mëdha të praarura i cili është i mbyllur në një kornizë të kuqëremtë; f. 1v dedikimi i M. Beçikemit drejtuar dozhes ndodhet poshtë minjaturës të ambientizuar në pallatin dukal. Beçikemi i veshur me petkat priftërore i dorzon veprën e tij dozhes; f. 2r nis vetë poema e ndriçuar rreth e rotull me zbukurime floreale. Çel poemën gërma e madhe O (O Scodrae infandos semper miserate dolores…)që është ndriçuar gjithashtu me zbukurime ari e brënda saj qendron Luani simbol i republikës të Shën Markut ndërsa në pjesën e fundit të kësaj flete takojmë pësëri stemën e vetë dozhes A. Barbarigo.
Publikimi i plotë i këtij kodi dorëshkrim të cilin e disponojmë sot në variant integral nga biblioteka berlineze do t’i bashkangjitet veprës së re dedikur humanistit Marin Beçikemi. Në të njetën kohë për të nxjerë në pah vlerat historike e letrare të kësaj poeme të rëndësishme në zanafillat e historiografisë shqiptare është në fazën përfundimtare traskiptimi dhe përkthimi i plotë i poemës. E gjitha kjo falë bashkëpunimit e punës këmbëngulse e të çmuar të studiueses së shquar italiane Dr Olimpia Gargano e cila qysh në hapat e para të veprimtarisë së saj publicitare me pasion të veçantë dhe me rezultate të shkëlqyera i është dedikur shkencës albanollogjike.(Shih: Gëzim Llojdia: Studiuesja Olimpia Gargano dhe poema epike. Telegraf 7.III.2016. Idem: Shqipëria e Epërme e Edith Durhamit përkthehet në Itali. Gazeta Standart 27.IV.2016, Dielli 28.IV.2016 ) Përfitojmë nga rasti në këtë shkrim t’i dërgojmë edhe publikisht falenderimet më të sinqerta doktoreshës Gargano e cila bujarisht nuk mungoi të ofronte kontributin e saj edhe në këtë sektor të rëndësishëm të historiografisë shqiptare.
Jemi në pragun e jubilejve të mëdhenj për historinë e kulturën shqiptare të cilat më 2018 na bie të rikujtojmë si 550 vjetorin e vdekjes të Skënderbeut e po ashtu, si asnjëherë deri më sot, edhe 550-vjetorin e lindjes të Marin Beçikemit (alias Barleti). Dy viganë që qëndrojnë në themelet e historisë, identitetit, kulturës dhe shtetformimit shqiptar. Të një historie, të një identieti e të një kulture që i ka rënjët e veta në rilindjen evropiane. Serioziteti dhe angazhimi i institucioneve të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë shpresojmë dhe urojmë të mos mungojë.
Kodi i Venedikut: Marinus Becichemus Scodrensis ad Serenissimum …ecc. (Titulli si më sipër) (Bib. Nazionale Marciana -Venezia (Lat.Class XIV, cod 173 (4574)
Titulli i veprës paraqitet pësëri i mbyllur brenda një kornize dhe dekoracionet janë shumë të thjeshta e të varfëra. Dedikimi i Beçikemit në f. 1v ështe vendosur poshte stemës së dozhes A. Barbarigo që mbetet i vetmi zbukurim ikonografik i kodit. Ky kod duket si një kopje e primitive e kodit të Berlinit. Ai është publikuar së fundi si faksimile nga L. Nadin (Migrazione e integrazione…Roma 2008, ff. 207-223) me pretendimin e rigjetjes të një vepre të humbur meqënëse Cecil H. Clough në DBI, 1970, siç e përmëndëm më lart, e kishte paraqitur si të tillë. Poema komentohet prej saj si një krijim skolaresk që imiton vargun virgjilian e tërësinë e poemës e konsideron si një mashtrim letrar. Një konsideratë jo e saktë e mosbesuese për veprimtarinë krijuese të shqiptarëve. Opinjone të ngjashme do t’i gjejmë të përsëriten nga kjo studiuese edhe në vepra Shqipëria e Rigjetur(2012) kur i duhet të komentojë jetën dhe veprat e të ashtuqojturit Marin Barleti.
Disa probleme kodikollogjike e ikonografike.
Problemi i parë është çështja e datimit të poemës si një krijim letrar dhe i pregatitjes së kodit si një vepër përkujtimore. Lidhur ngushtë me këto çështje është edhe përcaktimi i autenticiteteit të personave të protretizuar në kodi berlinez.
Duke ndjekur nga afër jetën e Beçikemit e kemi parë si një variant të mundshëm që ai të jetë prezatuar para dozhes Agostino Barbarigo aty nga vitit 1491 ose e shumta e shumta aty nga fillimi i vitit 1492 vit në të cilin ai u largua për në Raguza. Kuptohet që në momentin e prezantimit ai kishte gati poemën por kjo gjë nuk mund të thuhet me siguri edhe për kodin. Ai mund të ishte pregatitur si para kësaj date po ashtu edhe mbas kësaj date.
H. Boese që na ka lënë përshkrimin e kodit berlinez e jep atë si një krijim të fundshekullit të XV por nuk flet për poemën ndërsa L. Nadin nuk flet fare për kodin venezian por vetëm për poemën që e konsideron si një krijim të periudhës rinore.
Në se kemi parasysh koston e lartë që duhej për pregatitjen e një kodi me minjatura dhe të lidhur me kapakë të dekoruar del e vështirë të mendohet që Beçikemi në moshën e tij rinore t’i kishte pasur këto mundësi financiare. Bie në sy cilësia e dobët nga pikpamja artistike e minjaturës dhe ky fakt të bën të mendosh për një kosto më të vogël. Sidoqoftë problemi i datimit të kodit mbetet një çështje e hapur për hulumtime më të detajuara në kontekstin e prodhimtarisë kodikollogjike t në fundshekullin e XV dhe në fillim të shkek XVI.
Përsa i përket çështjes të autenticitetit të personave të portretizuar me gjithë dobësinë e minjaturës afrimiteti i portretizimit të dozhes Agostino Barbarigo me imazhin e tij të vërtetë që dokumetohet nga shumë portrete të kohës ose të më vonshme nga artistët me të shquar të kohës (G. Bellini, M. Basaiti, P. Veronesi, medalja me portretin e dozhes etej. ) mbetet i pa kundërshtuar. Në këtë pikë për paralelizëm mund të themi se edhe figura e Beçikemit si një protagonist i drejtpërderjtë i ngjarjes na trasmeton imazhin e tij të vërtetë. Kuptohet brenda aftësive të kufizura artistike të minjaturistit.
Kur u botua vepra Historia e Skëndërbeut ajo u shoqërua me një portret i cili nga historiografia shqiptare u konsiderua si portreti autentik i Marin Barletit domethënë Beçikemit dhe është i mirënjohur në Shqipëri në të gjitha publikimet e ndryshme që lidhen me emrin e këtij humanisti.
Në shkrime të mëparshme(I. Karanxha : Cosiddetto ritratto di Marlin Barleti, Paese nostro. – Nr. 135, , shkurt, 2009, f. 17-18) por edhe në vepra: Barleti apo Beçikemi? (2010) argumetuam se ky portret nuk kishte të bënte me imazhin e vërtetë të autorit por kishte qënë një portret simbolik që u përdor nga Bernardino de Vitali edhe në publikime të autorve të tjerë. Sidoqoftë gjetja e imazhit të humanistit shqiptar Marin Beçikemi(Barleti) në minjaturë do të jetë një pikë e sigurtë referimi për hulumtime ikonografike në ambientet e artit rilindas venecian, breshian apo padovan ku humanisti ynë zhvilloi veprimtarinë e tij gati gjithë jetën e vet.
Firenze 29.IV.2016
Komentet