Në foto: Avokat Ngjela duke studiuar “Emiljanon dhe grupin”
Përshëndetje.
Koha po thëret, unë si avokat bëra ç’munda por me ndihmën e FBI do t’u tregoj vendin gjërave. Do pres edhe pak do bëj si do bëj. Gjithashtu edhe FBI do ta durojë edhe për pak kohë këtë gjendje korrupsioni në Shqipëri; do bëjë si do bëjë.
U konfirmua plotësisht vëmendja e të gjithëve për reformën në drejtësi. FBI po, Brukseli po ashtu sytë i ka nga ne. T’i japim fund kësaj mënxyre pra.
Falenderoj FBI-në që reflektoi dhe më në fund ma besoi mua të vë drejtësinë në vend.
Tashmë shenjat e para nga nënshkrimi i kontratës mes Tahirit dhe FBI-së janë dhënë. Pikë së pari është deklaruar që nga qeshori deri në korrik lumi Lana do dalë nga shtrati dhe nuk do ketë përmbytje.
Kjo është shenja e parë e cila është shfaqur direkt pas nënshkrimit të kontratës.
Jam i bindur se për zgjidhjen përfundimtare të kolapsit të reformës FBI ka për të më zgjedhur mua. Unë di se ku duhet t’i drejtoj sepse i kam studiuar shumë mirë këto gjëra dhe mbi të gjitha ata mezi presin që t’i drejtoj unë.
Unë nga ana tjetër mezi po pres që të më kërkojnë listën e atyre që duhet të paraqes për t’u kontrolluar nga FBI. I kam bërë gati të gjithë emrat në format PDF dhe pres vetëm një çerek llafi nga ana e tyre.
Firmosja e aleancës me FBI tregoi dy gjëra:
-1. Hë për hë; nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa reforma në drejtësi në galaktikat që janë më afër sistemit tonë diellor.
-2. Lana nuk do këtë përmbytje në periudhën qeshor- korrik si pasojë e masava të rrepta që ka marrë bashkia dhe qeveria.
Pra kjo arritja e dytë të çon tek qëllimi i parë për të kuptuar rëndësinë e reformës në drejtësi. Të hap sytë për të marrë vesh pse duhet bërë reforma në drejtësi.
Në fund dua të shtoj diçka; dua të denoncoj një lojë të pistë që është bërë në kurriz të njeriut që nënshkroi kontratën me FBI-në; Saimir Tahirin.
Ai po përflitet nga armiqtë e reformës në drejtësi se gjasme ka lidhje me një tip të rrezikshëm që quhet Emiljano dhe që gjasme ky tipi ka dhe një grup me makina të blinduara.
Si avokat me përvojë nisa menjëherë hetimin e kësaj lidhje dhe i thashë asistentes time Arnida Çapi të kërkonte në Google për Emiljanon dhe grupin e tij.
Hetimi i Arnidës zbuloi mashtrimin e armiqve të reformës.
Bëhet fjalë për një këngëtar tallavaje që quhet Emiljano Berati dhe që shpesh BBF-ja e paraqet edhe me emrin “Emiljano dhe Grupi”.
Saimir Tahiri dëgjon gjithë kohës këngët e tij të ndjeshme si: “Jam i dehur me raki”; “Kush kërcen me temena”; “Kamarier më sill një ponç”; “Lajkatare” etj.
Armiqtë e reformës donin ta njollosnin ministrin që nënshkroi marrëveshjen me FBI-në sepse ata janë kundër Emiljanos; kundër artit; zhvillimit; muzikës; perëndimit.
Por nuk do ja dalin dot; intriga e tyre u zbulua nga unë dhe asistentja ime.
Koha e tyre ka marrë fund. I juaji Spartak Ngjela.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa: [email protected]
Komentet