Në 17 vjetorin e rënies së komandantit të Luftës së Koshares, Sali Çekaj- Veterani, një nga bashkëpunëtorët e tij të afërt ish komandanti Fadil Hadergjonaj e ka përkujtuar heroin Çekaj “Veterani”, duke fokusuar edhe momentet e fundit të jetës – rënien e Heroit.
“’Veterani’ vulosi me gjakun e tij lirinë e Kosovës”, thotë Hadergjonaj duke vlerësuar heroin Çekaj si një nga prijësit e rrugës për pavarësi dhe formim të brigadave të para të luftës çlirimtare në mbrojtje të Kosovës.
Hadergjonaj sjell një përmbledhje të shkurtër të aktivitetit ushtarak të heroit Sali Çekaj në periudhën e luftës 98/99, por gjithë këtë ai e bënë duke u shprehur se një evokim apo një shkrim nuk mund të paraqes një figurë poliedrike dhe shumë dimensionale, siç e quan Hadergjonaj, Sali Çekajn.
Hadergjonaj rrëfen momentet e rënies së Çekajt në përballje me forcat serbe derisa njësitet e brigadës “Agim Ramadani” po e mbronin territorin e fituar pas thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, përcjell “zeri.ifno”.
Hadergjonaj thotë se Komandanti ra heroikisht duke mbrojtur tokën e Kosovës ballë për ballë me forcat serbe nga të cilat forca u qëllua mbi vetullën e djathtë duke u shndërruar në simbol të rezistencës për liri.
Më poshtë po japim të plotë opinionin e Hadergjonajt në 17 vjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj:
Sekuencë e shkurtër përjetimi në vend të përkujtimit në 17 vjetorin e rënies burrërore të Heroit Sali Çekaj -“VETERANI” në Luftën e Koshares,
Jam i prirur të besoj në atë se:
Që të trajtosh një çështje duhet të jesh ekspert i saj, të analizosh veprime apo ngjarje të caktuara prapë duhet të jesh ekspert i fushës, të flasësh për figura të mëdha të kombit duhet të kesh informacione dhe të hulumtosh arkiva, dokumente, filmime, materiale të evokimeve të akterëve apo bashkëveprimtarëve të këtyre figurave, të nxjerrësh konkludime duhet mbështetur në fakte dhe dëshmi ndaj mbështetur në këto parime unë në fjalën time do të përqendrohem të paraqes një përmbledhje të shkurtër të aktivitetit ushtarak të heroit Sali Çekaj në periudhën e luftës 98/99 duke qenë i vetëdijshëm se një evokim apo një shkrim nuk mund të paraqes një figurë poliedrike dhe shumë dimensionale siç ishte Sali Çekaj, duke fokusuar edhe në momentet e fundit të jetës apo rënien e Heroit, gjithnjë nga perspektiva e një ushtaraku dhe dëshmitari të kohës së momenteve kritike, kur humbëm këtë kolos kombëtarë, duke mos pretenduar që të tjerët bashkëpunëtorë, bashkëluftëtarë e bashkëveprimtarë që janë të shumtë të mos shkruajnë e flasin për Heroin, ama duke i lutur që mos të hezitojnë të thonë sa ishin afër qoftë edhe me kilometra kur “Veterani” vulosi me gjakun e tij lirin e Kosovës.
Fadil Hadergjonaj
Sali Çekaj mobilizoj shumë oficerë nga Kosova dhe vende të ndryshme të Evropës (njëri nga ta edhe unë që isha në Gjermani) në MMRK, e udhëhequr nga ministri i parë i luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, për të formuar formacionet e para operative, në veri të Shqipërisë.
Brigadat e para të UÇK-së që udhëhiqen nga oficerë të zot dhe profesionalisht mirë të përgatitur në krye me kolonelin Tahir Zemaj.
Ne kur erdhëm në atë pjesë (veri të Shqipërisë), tanimë gjetëm të ngritura bazat për furnizim me armë dhe pajisje tjera luftarake e që udhëhiqeshin nga Zenun Idrizaj
Këtu tani kërkohej angazhim dhe veprim i shpejt dhe i gjithanshëm si :
– Mobilizimi i luftëtarëve dhe sistemimi i tyre,
– Furnizimi, pajimi dhe stërvitjet adekuate,
– formimi dhe vendosja e sistemit të komandimit dhe kontrollit,
– Koordinimi dhe bashkëpunimi me institucionet dhe akterët tjerë të R. Shqipërisë,
– Ngritja e qendrave dhe bazave tjera për nevoja të këtyre njësive,
– Përgatitja morale, fizike dhe taktiko-luftarake,
– Mbledhja, analiza dhe përpunimi i informacioneve lidhur me strukturën, pajisjet, aktivitetin dhe shtrirjen e forcave serbe posaçërisht në brezin kufitarë,
– Betimi para ministrit të Mbrojtjes kol. Ahmet Krasniqi
– Lëshimi i urdhrit operacional për lëvizje të formacioneve në drejtim të Kosovës nga Kol. Tahir Zemaj
Në të gjitha këto aktivitete por edhe shumë të tjera që nuk i numërova roli i Salihut ishte vendimtarë. Ai dhe unë së bashku me një skuadër ushtarësh të stërvitur për të gjitha sfidat dhe situatat, do të jenë pararojë e kolonës dhe sigurojnë që kolona të realizoj marshin e planifikuar me sukses deri në fsh. Jasiq.
Salihu përmes bashkëveprimtarit të hershëm Rrustem Bruqi, Komandantit të disa fshatrave të Rrafshit të Dukagjinint, Skënder Rexhahmetaj dhe me ndihmën e Gani Gjukaj, kishin përgatitur infrastrukturën dhe bazat për akomodimin e këtyre formacioneve së pari në fsh. Isniq dhe pastaj në shkollën “Jusuf Gërvalla” në Prapaqan.
Këto formacione do të kryenin shumë aksione e beteja në rrafshin e Dukagjinit. Roli vendimtarë i Sali Çekaj do të jetë pothuaj në të gjitha këto aktivitete luftarake gjatë vitit ’98 a në veçanti duhet theksuar
Betejën e Loxhës ku të udhëhequr nga Tahir Zemaj, Salih Çekaj dhe strategë të tjerë si Nazif Ramabaja, Esat Ademaj, Fadil Hadergjonaj, Faruk Gjemajli, Bajram Stojkaj etj, dëshmorët Lumni Surdulli, Rrustem Bruqi e Enver Alaj, forcat serbe do të pësojnë disfatë të rëndë.
Hyrja e këtyre formacioneve dhe angazhimi i tyre i drejtpërdrejt në beteja dha mesazh të fortë në dy drejtime:
– Së pari forcat serbe u gjetën të befasuara dhe pësuan humbje në përballje me këto formacione,
– Dhe së dyti, forcat e UÇK që gjendeshin brenda kuptuan se si duhet strukturuar, udhëhequr, komanduar me formacione të rregullta ushtarake, gjë të cilën e shohim më vonë me krijimin e shumë brigadave të tjera,
Po ashtu këto formacione do të rrisin mbështetjen dhe besimin e popullit në Ushtrinë e tyre Çlirimtare.
Koshare!
Sali Çekaj
Salihu i njohur me nofkën “VETERANI” është një nga ideologët, planifikuesit dhe zbatuesit e këtij plani/operacionit në rajonin e gjerë të Kosharës së bashku me Agim Ramadanin, Rrustem Berishën, Anton Qunin, Musa Gjakoven, Hisen Berishen, Xhafer Gashin, Skender Hasanxhekaj, Skender Regjahmetaj, Gani Gjukaj, Isuf Haklaj, Sebahate Tolaj, Zenun Idrizi, Naser Vllasi, Adem Dahri, Agron Jusufi, Sadri Lokaj, Feriz Trezhnjeva, Fahrush Thaqi, Milazim Maraj, Rakip Sadiku, Pren Marashi, Agim Haziri, Ramadan Gashi, Abaz Thaqi, Gjemajl Fetahaj, e shumë oficerë e ushtarë pjesë e të njohurës Lufta e Koshares.
Brigada 138 “Agim Ramadani”
“Veterani” karakterizohej nga fryma e bashkëpunimit, mirëkuptimit, tolerancës dhe mirësjelljes , ai ishte i dashur me shokët, ishte gjithmonë i pari në veprime, por ishte dhe i rreptë ndaj të gjithë atyre që ngjallnin përçarje, mospërfillje dhe mosrespektim të urdhrave apo vendimeve luftarake.
Dita e rënies së legjendarit 19 Prill 99
Luftimet janë të ashpra, forcat nga të dyja palët e duan fitoren, luftohej për çdo pëllëmbë. Forcat e armikut kishin shfrytëzuar natën dhe dukshmërinë e dobët të afroheshin shumë afër pozicioneve tona nga krahu i majtë me qëllim të krahmarrjes. Bora vende-vende arrinte lartësinë mbi një metër. Herët në mëngjes vëzhguesit tonë ( Sadri Ajvazi i plagosur rëndë po këtë ditë) i diktojnë dhe më një organizim të rrufeshëm i sulmojmë.
Veterani dy ditë më parë kishte shkuar në karakoll dhe në komandën e operacionit për të dhënë dhe marrë direktiva e udhëzime për veprimet e mëtejme.
Pozicioni gjeografik i Rrasës së Koshares dhe lartësia mbidetare rreth 1600m, kontrollonte pothuaj tërë frontin e Koshares.
Detonimet e armëve të rënda, rafalët e mitrolozëve, predhat artilerike, snajperët dhe lufta e afërt me armët e lehta pothuaj se më tmerrshëm tingëllonin atje ku ishte Salihu se në vet pozicionet ku ato zhvilloheshin.
Salihu e kupton situatën, e dinte sa jetike është mbajtja e këtij pozicioni, po ashtu e dinte se numri i luftëtarëve tonë ishte i vogël dhe të gjithë ishin shumë të lidhur me të. Ai menjëherë niset për në Rrasë, rrugës mbledhë edhe disa ushtarë, merr 2 ushtarë nga togu i mortajave, 2 nga togu i topave dhe 2 kishte me vete, bëhen 7 veta. Orientohet duke vlerësuar intensitetin e zjarrit dhe bashkohet me ne, edhe ne në atë drejtim ishim 10 veta, duhej mbajtur edhe drejtimet dhe pozicionet tjera të mos lëkunden.
Armiku kishte angazhuar numër të madh pjesëtarësh të njësive elite të tyre nga br. 63 parashutiste, nga br. 72 për operacione speciale, të pajisur dhe mbështetur me tërë arsenalin dhe sistemet e armatimit, me qëllim të fshirjes nga faqja e dheut të forcave tona.
Çekaj me bashkëluftëtarët
Ardhja e “Veteranit” do të ndryshoj rrjedhën e luftimeve. Ai inkurajoj të gjithë me komandat e tija dhe zërin e mprehtë, ushtarët tonë shpërthejnë si vullkan, sepse tani kanë forcën e shpirtit dhe idolin e tyre „Veteranin“. Luftimet vazhdojnë, distancë e afërt me armikun, shkëmbehen kërcënimet dhe plumbat, të vrarë dhe të plagosur nga të dyja palët.
Njësiti ynë ndahet në dy grupe, njëri arrin të dal në anën e djathtë të armikut të udhëhequr nga luftëtari i dalluar Naim Loshi, Isuf Krasniqi, Florim Shehu…dhe grupi tjetër përballë armikut ku ishte edhe Veterani i cili pakohej për shkak të plagosjes dhe nevojës për tërheqje të luftëtarëve, këtë ditë plagoset rëndë edhe snajperisti (snajperi 12.7, kjo armë mbetet në borë deri me 21 Prill) Leonard Palucaj i cili më vonë ndërron jetë.
Sali Çekaj
Të gjithë janë të lodhur dhe fitorja i takon atij që qëndron një minutë më gjatë. Në një moment dëgjohet jehona e këngës, ne shikojmë në drejtim të Veteranit i cili në këmbë me tërë forcën e tij këndonte “Besa-Besë”, luftëtarët e tij shtrëngojnë armët, i bashkohen këngës dhe hidhen në sulm.
Ne kalojmë në një ndjekje klasike. Tani artileria e armikut bëhet gjithnjë e më aktive, snajperët dhe armët e lehta të tyre dhe tonat nuk pushojnë. Kërkonim strehim pranë lisave dhe në borë kur dëgjonim fishkëllimet e predhave artilerike të cilat gjithnjë e më afër na godasin, ato godisnin me më shumë se 10 predha në të njëjtin moment, ishte tmerr i papërshkrueshëm, distanca kohore mes goditjeve matej me sekonda, sekondat dhe amortizimi i efektit të veprimit nga bora ishin shpëtimi ynë.
Ofrohej muzgu ende kishte ushtarë të mbetur të armikut të cilët ishin çorientuar por mjaft aktiv, snajperët serbe godisnin pa ndërprerë, nuk pushonin predhat, grupi i Naimit kërkonte municion, të shtënat nga ai drejtim rrallohen, grupi i Veteranit kishim mbetur 3 veta, Veterani, Unë dhe ushtari Gjelal Avdylaj, në lëvizje të kujdesshme dhe kërkim të objektivave për gjuajtje, pas një breshërie të predhave dhe plumbave të armikut, ne ngrihemi për të vazhduar tutje dhe Veterani kishte diktuar armikun ku ishte i fshehur dhe po qëllonte mbi të, pas dy tre sekondash e pash se u trondit shumë dhe ra në kraterin e borës afër lisit.
Në atë moment na mbuluan predhat e radhës dhe u shtrim për disa sekonda sikur bënim edhe herëve të tjera dhe prapë ngriheshim dhe vazhdonim tutje. Pas disa sekondash u ngrita dhe shikova në drejtim të Veteranit duke besuar se edhe ai do të ngritje, por ai nuk u ngrit, hapa zjarr në drejtim të armikut dhe kërkova nga Gjelali të më mbuloj me zjarr që të ofrohem pranë Veteranit.
U ofrova zvarrë dhe nuk doja të besoja atë që pashë, Veterani ishte goditur mbi vetullën e djathtë dhe dukej si një plagë e lehtë por ai nuk fliste, e shtrëngova kërkoja të ngrihej por ai nuk reagonte, syt i kishte mbyllur, asnjë shenjë nuk dha. Ky është momenti më i vështirë i jetës sime. Tani sfida e re për mua dhe Gjelalin, si ta tërheqim trupin e komandantit, zjarri i armikut nuk pushonte. Dola nga aty dhe me Gjelalin vazhduam të qëllonim prapë, donim te hakmerreshim, nuk donim të ndalej lufta.
Në pjesët tjera të Rrasës së Koshares vepronin Milazim Maraj, Shiqer Maloku, me luftëtarët trima, Shefqet Mustafaj “Dukagjini” që kishte orë dhe nuk paraqitej në radio lidhje, nuk doja të besoja se edhe ai kishtë rënë në altar të lirisë. I gjendur në këto rrethana vlerësova se tërheqja ishte e pamundur, duhet riorganizuar, stabilizuar frontin, formuar një njësi dhe kryer përgatitjet e nevojshme gjatë natës që operacionin ta realizojmë herët në mengjes, ashtu edhe veprova.
Të nesërmen ngarkova me detyrën e tërheqjes njësinë e oficerit shqiptarë Adem Shehu dhe ushtarin Gjelal Avdylaj që të ua tregonte vendin, por nga luftimet e rrepta në tërë vijën e frontit jo vetëm drejtimin ku ishte trupi i Komandantit nuk ka arritur ta kryej operacionin. Tani marr vet nën komandë organizimin e tërheqjes, formoj grupin prej 5 vetash nga njësiti më elitë “Cobrat”, plagoset Xajë Qelaj pjesë e këtij ekipi ende pa arritur tek vendi, duhet të kthehemi duke bartur Xajen e plagosur.
Me 21 i marr të gjitha masat e nevojshme, mbështetja me zjarr: artileria ka veç të përgatitura elementët e nevojshëm për goditje, mitrolozët e rëndë i vë në gatishmëri të plotë për veprim, mortajat, topat, kundërajrorët, snajperistët e vendosi në pozicione adekuate dhe unë prap do të udhëheq personalisht me operacionin sepse të tjerët nuk dinin as vendin, së bashku me Naser Vllasin dhe tre ushtarë të “Cobrave” Arben Sejdiu, Jeton Pajazitaj dhe Isni Rama “Raketa” nisemi që të marrim trupin e Veteranit.
Nuk ua kisha thënë se kë po tërhiqnim (Përveç Naserit), sepse isha i bindur se morali i luftëtarëve jo vetëm këtyre që ishin pjesë e aksionit, por e gjithë vijës së frontit do të lëkundej, 8 ditë më parë jo larg nga vendi i Salihut, kishte rënë Agimi dhe luftëtarët ishin të lidhur shumë me këta kolosë.
Të gjithë prisnin urdhrin tim për hapje të zjarrit, isha i vendosur që nëse nuk mundemi pa luftë të bëjmë tërheqjen, atëherë do e bëjmë më luftë dhe me çdo çmim. Kushtet e vështira atmosferike i shfrytëzuam për lëvizje të padukshme dhe me një disiplinë të lartë u tërheq Komandanti.
Shkuam baskë deri te përroi i Koshares, Naseri me grupin e tij vazhduan bartjen e trupit të komandantit në drejtim të Padeshit, kurse unë u ktheva ne pozicionet e Rrasës së Koshares i thyer e vrarë shpirtërisht por i vendosur më tepër se kurrë se aty ku ra gjaku i Agimit, Salihut, Shefqetit, Leonardit, Fadilit, Korabit, Kasimit, Bashkimit, Izetit, Ismetit, Ilirit, Hysniut, Halilit, Gzimit, Fatosit, Eminit, Mujdinit, Xhemajlit… nuk do shkel këmba e armikut dhe se lufta do vazhdoj deri në çlirim.
Është për të ardhur keq kur sot për interesa të panjohura lakohet e vërteta e rënies së Komandantit tonë, ballë për ballë duke u qëlluar mbi vetullën e djathtë nga forcat serbe.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Heroit Sali Çekaj,
Lavdi të gjithëve që ranë për liri,
Zoti i bekoftë heronjtë, dëshmorët, invalidët dhe veteranët e luftës,
Zoti e bekoftë vendin dhe kombin Shqiptarë!
Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Anton Quni
Komentet