Nga ana tjetër, drejtues të lartë socialistë, haptas apo fshehtas, në këtë përvjetor, preferojnë të marrin pjesë në Funeralin e Sektit 10-vjeçar që u “vrau” Partinë e tyre. Sekti klientelist Trekëmbësh është përfaqësues i
i) interesave të ishnomenklaturës së lartë komuniste;
ii) oligarkisë dhe individëve me rekorde kriminale, dhe
iii) i një “grupimi” me “sjellje e qasje atipike, madje perverse”.
Qeverisja Rama, pa ideologji, pa koncept, pa strategji e programe zhvillimi, dhunuese dhe policore, antiligjore dhe amorale, konfliktuale me fqinjët dhe zhgënjyese për partnerët strategjikë, s’ka lidhje me interesat e socialistëve dhe aq më pak me interesat publikë. Për interesa të mbajtjes së pushtetit personal, kjo qeveri klienteliste e sektare, përtej retorikës proeuropiane, është e gatshme ta orientojë vendin në drejtime të ndryshme nga ato madhore e të rrezikojë marrëdhëniet me fqinjët e partnerët strategjikë nëse i kërcënohet pushteti.
PSSH MBI THEMELET E PPSH…
Më 12 qershor 1991, në Kongresin e saj X, PPSH u ballafaqua me 2 opsione: 1) të mbyllte misionin e saj; apo 2) mbi themelet e PPSH të reformohej PSSH, për t’u shndërruar në një parti të tipit socialdemokrat europian. Pas debatesh midis “reformatorëve” e “konservatorëve” fitoi opsioni “konservator” i “transformimit gradual”. Për rreth 15 vjet, PSSH, nën drejtimin e Fatos Nanos, do të reformohej në mënyrë relativisht “liberale” duke u bërë anëtare e Internacionales Socialiste dhe e PSE. Ky transformim do të “udhëhiqej” nga tri grupime
1) profesorët pa parti e formim perëndimor, së bashku me të rinjtë e ardhur nga lëvizja studentore e 1991;
2) intelektualët, ish-anëtarë të PPSH, por me orientim “perestrojkën/gllasnostin”; dhe
3) trashëgimtarët e ish-nomenklaturës së PPSH, me prirje “hapjeje të kufizuar” ndaj “pluralizmit të mendimit”. Gjatë 8 vjetëve të qeverisjes 1997-2005 u shfaqën shenjat e pasurimit të paligjshëm të disa “politikanëve” përmes pushtetit e të afrimit të individëve nga biznesi apo zyrtarëve të lartë në pozicione kyçe “fitimprurëse të shtetit”.
Këto “dallëndyshe të para të oligarkisë” s’do të arrinin të bëheshin përcaktuese për vendimmarrjet politike të partisë dhe struktura e PSSH me tri grupime do të vazhdonte të ishte funksionale. “Çarja” e parë e PSSH do të ndodhte në 2003 me largimin e LSI. Për shkëputjen e kësaj “copëze” Rama ka pasur kontribut përcaktues, sepse kështu do të mund të “hiqte qafe” njërën nga dy pengesat, Metën, drejt postit të kryetarit të PSSH. Pengesën tjetër, Fatos Nanon, Rama do ta hiqte në vitin 2005, duke pasur aleatë “dinjitozë” lëvizjen Mjaft dhe LSI për realizimin e humbjes së PSSH.
2005, RAMA NDËRPRET REFORMIMIN “SOCIALDEMOKRAT” TË PSSH
Në vitin 2005, PSSH humbet zgjedhjet dhe, pas dorëheqjes së Fatos Nanos, në krye të PSSH vendoset Edi Rama, ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës, që ndërkohë kishte nisur të ngrinte “klientelën/sektin e tij” me tri përbërëse
1) biznesmenët e ndërtimit e të medias që përfitonin leje ndërtimi, tendera e privilegje nga buxheti publik i bashkisë,
2) zyrtarët, inspektorët e “sekserët” e bashkisë dhe
3) mjaftistët e më vonë G99-shat. Ky “rezervat” kishte filluar të formësohej që në vitin 2000 me vendosjen e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës. Viti 2005, përmes “Politikës së re”, do të shënonte hapin e parë të ballafaqimit të projektit të Ramës me PSSH, me synim eliminimin e PSSH dhe ndërtimin e një “partie-sekt” për të realizuar interesat personalë të Ramës, që lidheshin vetëm me fitimin e postit të Kryeministrit dhe ndërtimin e një qeverie tërësisht klienteliste, sektare e oligarkike, pra antisocialiste.
2005-2013, HIDHEN “THEMELET” E SEKTIT TREKËMBËSH
Fillimisht Rama do të ndryshonte në themel strukturën e përbërjes së PSSH, duke ia përshtatur atë origjinës, interesave dhe karakterit të tij që lidhej konkretisht me
i) origjinën – pasonjës i ish-nomenklaturës së lartë komuniste,
ii) interesat – pasurim i paligjshëm dhe
iii) pasionet individuale – perverse e atipike. Sekti klientelist i Ramës në vitin 2013 do të rezultonte me
1) ridimensionim/ forcim të përbërëses “së trashëgimisë së ish-nomenklaturës së lartë komuniste” përmes afrimit të “pasonjësve(pinjollëve)” dhe
2) eliminim pothuajse të plotë të grupimit të parë të “profesorëve/reformatorëve” e dobësim ekstremal të grupimit të dytë të “pragmatistëve”. Dy grupimet e eliminuara do të zëvendësoheshin nga i) “këmba” e interesave oligarkikë, korruptive e banditeske dhe ii) “këmba” e “mjaftistëve e më vonë G99- shave”.
KËMBËT E SEKTIT TREKËMBËSH…
Rama ka ngritur sektin e tij mbi tri “këmbë”. “Këmba e trashëgimtarëve dhe pinjollëve”: në aspektin “ideologjik” (në fakt Rama s’ka asnjë lloj ideologjie e besimi) bëhet fjalë për rikthim të trashëgimisë përmes pasonjësve të ish-nomenklaturës së lartë të regjimit të kaluar, me synim forcimin e përfaqësimit të tyre dhe “rikthimin” e praktikave e sjelljeve autoritare.
Këmba e interesave “oligarkikë” e “banditeskë”, në aspektin ekonomik e financiar, bëhet fjalë për strukturimin e interesave oligarkikë dhe ngritjen e një klientele individësh të pasur e “të fortë”, deri me rekorde kriminale; Kjo përbërëse i duhet për të garantuar prioritetin pasuror e financiar ndaj kundërshtarëve të brendshëm e të jashtëm. “Këmba perverse”: në aspektin e reklamës, por mbi të gjitha në funksion të krijimit të një “rezervati” për furnizimin e qeverisë e të administratës publike me individë atipikë të ish-Mjaftit dhe G99. Ky komponent “shitet” ndërkombëtarisht si “vlerë bashkëkohore”.
“KËMBA” E TRASHËGIMTARËVE/ PINJOLLËVE TË ISHNOMENKLATURËS SË LARTË…. Rama është trashëgimtar e përfaqësues i ish-nomenklaturës së lartë të regjimit të kaluar, që evidentohet lehtësisht si nga CV e tij, edhe nga komplekset e përpjekjet e tij gjiganteske për të treguar të kundërtën. Rama është rritur e edukuar në rrethinat e Bllokut; Shoqëria, miqtë e lidhjet kameradeske kanë qenë të realizuara në shumicën e tyre me bashkëmoshatarët e Bllokut.
Rama është po ashtu i bindur se kjo këmbë ka vlera elektorale të patjetërsueshme për shkak të rrjetit të lidhjeve 50-vjeçare nepotike e influente. Në zgjedhjet e 2013-s, për herë të parë Rama do të thërriste në koalicion tri partitë komuniste shqiptare, që kanë si bazë ideologjike marksizëm-leninzimin dhe praktiken 50- vjeçare të stalinizmit e të punizmit. Po ashtu, duke filluar nga viti 2009 e pas 23 qershorit 2013, Rama ka forcuar prezencën dhe rolin e pasonjësve të ish-nomenklaturës së lartë komuniste, në pozicionet e larta dhe pikat kyçe të qeverisë së tij.
Kjo përbërëse do të rigjallërohej dhe do të forcohej gjithashtu për të sjellë në pushtet pasonjësit e ish-nomenklaturës së lartë e të mesme të PPSH, të cilët Rama i konsideron si trashëgimtarët legjitimë të pushtetit, të cilin e humbën në 1990-n baballarët e tyre, disa prej të cilëve ende gjallë, por që nuk mund t’ua a linin më në dorë as “reformatorëve” dhe as “pragmatistëve”, të cilët për 15 vjet e kishin “pastruar”, “transformuar” dhe “reformuar” partinë e tyre të vjetër.
Pasonjësit apo trashëgimtarët e gjallë gjykojnë se si pronarë të “pushtetit” të “dikurshëm” por të “rilindur” më 23 qershor 2013 u takon të qeverisin vendin, aq më tepër që kanë në krye të qeverisë përfaqësuesin e tyre “dinjitoz”.
“KËMBA” E “INTERESAVE OLIGARKIKË” DHE INDIVIDËVE ME REKORDE KRIMINALE… Rama ka arritur në 8 vjet që sekti i tij të ketë deputetët më të pasur në Parlamentin shqiptar. Askush s’është kundër të pasurve, por në rastin e sektit të Ramës kjo është një çështje sa morale, aq edhe politike e penale. Së pari, shumica e këtyre personazheve (jo të gjithë) e kanë krijuar pasurinë e tyre përmes “lejeve të ndërtimeve”, madje pa qenë ndërtues.
Së dyti, një pjesë e tyre e kanë krijuar këtë pasuri të dyshimtë gjatë periudhës kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe në vijim. Kjo “elitë havjar” përfaqësohet, mbështetet e drejtohet politikisht nga Rama. Publiku percepton se në sektin e Ramës ka shumë oligarkë nga biznesi e media me “veshje politike” dhe disa politikanë me “pasuri oligarkësh”.
Ky grupim nuk është përfaqësues i elektoratit të majtë, i cili përgjithësisht përbëhet nga shtresa me të ardhura të ulëta e të mesme. Kjo ka shkaktuar “krizën e identitetit” të sektit së Ramës që po çon në rrudhje e shpërbërje të tij. Përgjithësisht Rama s’i llogarit pjesëtarët e këtij grupimi si anëtarë të ekipit të tij qeverisës as si deputetë aktivë.
Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe të “fortët” që vijnë nga “Policia, Prokuroria, Garda e Republikës, Doganat, Tatimet etj.”, si dhe individë me rekorde kriminale. Procesi i dekriminalizimit të Kuvendit e administratës publike, i sugjeruar nga Parlamenti Europian, është shprehje e prezencës përcaktuese të “oligarkisë dhe kriminalizimit” në sektin e Ramës.
“KËMBA” PERVERSE E MJAFTISTE-G99…
Rama, në rolin e kryemjaftistit, e nisi projektin e tij për të ardhur në krye të PS me ngritjen e organizatës “Mjaft”, e cila dihet botërisht se ka dhënë një kontribut të “vyer” për të çuar PS në opozitë në 2005-n dhe “eliminuar” Nanon nga kreu i PS, pasi kishte nxjerrë jashtë loje në 2003 Ilir Metën. Kjo organizatë u transformua nga Rama në partinë politike G99, me synim të vetëm “eleminimin politik” të LSI në zgjedhjet e vitit 2009. Në amalgamën ish-Mjaft, G99 dhe “kameradë të Ramës”,
i) shumica (jo të gjithë) janë me formim të dyshimtë universitar,
ii) disa prej tyre (jo të gjithë) janë me lidhje direkte (pinjollë) apo indirekte nepotike me familjet e larta të ish-nomenklaturës komuniste,
iii) jo pak të tjerë janë (jo të gjithë) aktivistë të grupimeve me “sjellje atipike e deri perverse” v) dhe një pjesë e konsiderueshme janë konsumatorë të lëndëve narkotike. Rama si një përfaqësues i denjë i këtij grupimi ka qenë jo vetëm drejtuesi i tyre shpirtëror, por edhe sponsorizuesi politik e financiar i aktiviteteve të tyre; Sot, të gjithë ata janë në poste kyçe të qeverisë klienteliste e sektare të Ramës.
Ky grupim ka rezultuar një mjet në duart e Ramës, i përdorur agresivisht për të sulmuar në blogjet e rrjetet sociale kundërshtarët dhe armiqtë e Ramës. Midis personazheve të këtij grupimi ka një konkurrim e xhelozi naive, të cilat i nxit dhe kontrollon vetë Rama. Përfaqësuesit e këtij grupimi i duhen Ramës për gjithçka, madje edhe si kostumi i sektit të tij në kontaktet ndërkombëtare.
10-VJETORI I “DITËLINDJEFUNERALIT”…
Rama me “sektarët” e tij, më 12 qershor 2015, “festoi”, ditëlindjen e 10-të të Sektit Trekëmbësh dhe “kujtoi” përvjetorin e 24-t të PSSH, që s’ekziston më realisht. Ndërkohë që Rama shampanjën e hapi me “sektarët” e tij në përvjetorin e ditëlindjes, nga “Twitter”-i u dërgoi një mesazh cinik socialistëve, duke i kujtuar se duhet të votojnë për Sektin Trekëmbësh.
Nga ana tjetër, drejtuesit e vërtetë socialistë, haptas apo fshehtas, me mendje në funeralin e Sektit Trekëmbësh dhe zemër me socialistët e thjeshtë janë të çoroditur e pa shpresë. Socialistët e thjeshtë, të harruar e të lodhur nga të qenët 10 vjet në opozitë, dy prej të cilave me Sektin Trekëmbësh, janë të zhgënjyer e të dëshpëruar, që s’po arrijnë prej 24 vjetësh të dalin nga spiralja e pafundme e ditëlindje-funeraleve./panorama.al
Komentet