I dashur kryetar i Komunitetit Mysliman, miku im, Haxhi Skënder Bruçaj! Për të ardhur këtu mes jush dhe për të qenë pjesë e kremtimit të kësaj dite, që shumë prej dijetarëve tuaj e konsiderojnë si më të shënuarën e kalendarit të mbarë njerizimit, duhet t’ju them se mu desh të thyeja qëndresën e Protokollit të Kryeministrisë.
Është e habitshme sesi në kundërshtim me doket e mira dhe urtësinë kokulur zakonore të trevave tona, ku prej shekujsh është kultivuar si një melhem i rrallë, virtyti dhe praktika e vëllazërisë, jo vetëm mes individëve të feve të ndryshme, por edhe mes vetë institucioneve fetare si shembuj të kësaj vëllazërie, institucionet publike, shteti si i tillë i druhen disi vëllazërisë dhe bashkëpunimit vizionar me bashkësitë e besimtarëve dhe përfaqësitë e komuniteteve fetare.
Kur e mendoj këtë dasi të padukshme, por jo gjithmonë të padukshme, pa bereqet dhe pa kuptim, në një shoqëri të prirur për dasi si kjo e jona, por dhe të mbrujtur nga dëshira e zjarrit për t’iu qasur universales, më kujtohen disa vargje të një poeti mistik shqiptar, i mbrujtur me frytin e vreshtës së krishterimit në fëmijëri dhe pastaj, me fuqinë poetike të islamit në rininë e të gjitha pasioneve.
Dua këtu ta sjell paksa, Jahja bej Dukagjin-Zadenë, princ në Shqipëri dhe mistik në botën islame, i cili shkruante në kapërcyellin e shekujve drithërues XV-XVI, një “Jusuf dhe Zyliha” krejt origjinal, sado në përputhje me shkrimet e shenjta. Usulmame-ja, Libri i Parimeve, po aq sa Shah-u Geda, Shahu dhe Lypësi, e përafrojnë Jahja beun për nga vetitë profetike me korifeun e tij, profetin Muhamed dhe e kthejnë në një sinjal të fortë për kohën tonë. E ja çfarë thotë ai: ”Unë s’i kam përkthyer fjalët e tjetërkujt, s’kam përzier fjalët e huaja në gojën time, qoftë të fantazisë, qoftë gjëra të mira apo të këqija, por kjo fjalë është timja, është trishtimi im”.
Dhe është trishtim i madh të mendosh sesi në kohët moderne, ku mbizotërojnë dhe aq lehtësisht përdoren dhe shpërdoren nga të gjithë, të mëdhenj e të vegjël dhe sidomos të rinj, informacione të të gjitha llojeve, vektorë propagande dhe helmimi mendor, mendimit të lirë e besimit të çiltër t’i merret fryma e t’i nëpërkëmbet emri nga një lloj aleance e pahijshme e injorancës, e përfitimit dhe e terrorit.
Profetit Muhamed, krenari e njerëzit po aq sa të gjithë ata të paktë kolosë, themelues qytetërimesh të përbotshme, i takon nderimi, vlerësimi dhe respekti i të gjithë njerëzve vullnetmirë, pa dallim bindjesh fetare, të cilët bashkëndajnë me ithtarët e tij, ithtarët e një prej besimeve kryesore botërore, të njëjtin planet, të njëjtin dinjitet njerëzor, të njëjtat përgjegjësi ndaj shoqërisë njerëzore, familjes së njerëzve, familjes së njeriut dhe të ardhmes së përbashkët të çdo njeriu.
Më pëlqen të citoj filozofin dhe shenjtin katolik Agustinin, banor i viseve të Afrikës së Veriut, ku islami do të farëzohej me lehtësi në flatrat e erërave të shkretëtirave dhe butësisë së klimës dhe të popullsisë, sa herë më kujtohet fraza e tij e thjeshtë, por shumë domethënëse:
”Njeriu do, njeriu çmon atë që njeh”. Por kush e njeh me të vërtetë sot islamin? Kush flet sot me distancën e duhur, qetësinë e domosdoshme dhe dijet sovrane mbi dituritë islame? Madhështia e vargjeve të Jahja Dukagjin-Zadesë qëndron në sublimimin e besimit të tij të thellë, në luftën e brendshme shpirtërore, në përpjekjen e gjithhershme të trazimit të brendshëm personal të njeriut, i cili si vetëmohimi në çdo fe monoteiste konsiston mbi të gjitha në bërjen e hesapeve, duke marrë parasysh këqyrjen ekzigjente të syrit të Zotit mbi vetveten e trazuar.
T’i japësh vetveten paqes së botës, duke përligjur dhe shenjtëruar kështu, emrin e Islamit-Selamit dhe Paqen si 99 emrat e lavdishëm të Zotit, kjo është përpjekja e prore që, sipas studiuesit Muhamed Arkun, karakterizon ithtarin e vërtetë të mesazhit të profetit.
“O besimtarë – shkruhet në Kuran – zhytuni kokë e këmbë në Is-Salam”, në paqen e Zotit dhe jo në paqen e të ligës, në kaosin e padijes, në marrëveshjen me errësirën.
Marrëveshjes së errësirës, aleancës së injorancës me krimin, marrëveshjes së kobshme mes terrorit dhe gjakderdhjes absurde të të pafajshmëve, çfarë mund t’i kundërvihet sot, kush mund t’i bëjë ballë?
Dikur, rinia ishte një lokomotivë e pandalshme e emancipimit dhe e përparimit të njeriut, qoftë ky besimtar apo jo. Rinia ishte pengesa e patjetërsueshme ndaj obskurantizmave të shfrenuar, garant i të drejtave të patjetërsueshme dhe të paparashkrueshme të arsimit, qytetërimit, barazisë dhe vëllazërimit.
Sot, trullosja e shkaktuar prej padijes, përballë mjeteve të panumërta të kalimit të informacionit dhe shpërdorimi, shpeshherë qëllimkeq, i këtyre të fundit prej padijes, braktisja nga shoqëri të nginjura e individit, që me zor dhe gjithmonë e më me zor i gjen rrënjët e tij, magjepsja, nën mungesë entitetesh që realisht japin sensin e përkatësisë, përkarshi forcës brutale e përçudnuese të një terrorizmi joshës për errësirën e injorancës e të dëshpërimit, po e çojnë rininë drejt një rruge gjithnjë e më të panjohur, ku, sipas fjalës së Shekspirit tek “Mbreti Lir”:
“Të verbër, të kapur pas dore, udhëhiqen nga të marrë”.
Globalizmi dhe relativizmi, që vjen nga një mirëqenie më shumë e trashëguar nga të tjerët sesa e fituar me mund, i kërcënon pareshtur nocionet themeltare të vlerave, që shpesh na duken si kuti boshe zbukurimi në shoqëritë tona, në të cilat nevojtari në rrugëtim nuk gjen me çfarë ta mbajë gjallë jo barkun, por shpirtin, jo gojën, por arsyen, jo interesin, por inteligjencën.
Çfarë i thotë një të riu sot, një varrezë dëshmorësh, një nekropol luftëtarësh, një muze historie? Çfarë i thotë një myslimani të ri, jo vetëm simbolika e besimit të vet, pak e njohur në të vërtetë, por struktura e besimeve sivëllezër, simbolet e tyre, arkitektura, arti, estetika dhe anasjelltas, çfarë u thotë të rinjve të besimeve të tjera, simbolet, arkitektura, arti dhe estetika islame? Çfarë janë për fëmijët tanë sot, Bagdadi, Omejadët, Ispahani, Firdusi, dinastia Hashemite, apo Palmira, Babilonia, Petra, letërsia e divaneve, ahidnametë e sundimtarëve myslimanë?
Më së shumti, brezat e ardhshëm rrezikojnë të shëtisin mbi këto pasuri, duke i parë si muze vjeturinash dhe kur ndodh që nuk do të kenë – larg qoftë! – nëpërmjet kulturës, ndjeshmërinë e duhur, do të përzgjedhin gjithmonë e më shumë qorrazi, aty – këtu, këtë apo atë figurë, këtë apo atë prirje dhe do të kenë opinione, në funksion perceptimesh të përcipta politike, ideologjike apo mediatike.
Shoqëritë tona, të kthyera në supermarkete, do të kenë – larg qoftë! – si përgjigje të vetme indiferencën dhe manipulimin dhe do të vërtetohet kështu, – larg qoftë! – mot pas moti, nëse asgjë nuk ndryshon, thirrja e shurdhët, shekullore, që shkrimtari i shquar i islamit shqiptar, Suzi Prizrenasi, i adreson besimtarit në Fetih-Namen e shekullit të XVI:
“Ruaju, mos i kalo kufijtë e tu,
se fati të bën qesharak përpara njerëzve të botës;
Ec, por me kujdes, mos i zgjat shumë hapat,
se në çdo hap ka mijëra pengesa e po ngatërrohesh;
Mos ia hap botës kraharorin si mburojë,
se do bëhesh nishan i shigjetave qiellore”.
Kultet janë kursorë të rëndësishëm leximi të romanit kombëtar dhe universal. Pak e dinë edhe në Shqipëri dhe kjo është një fatkeqësi kombëtare, në këndvështrimin tim, se kulti islam, aq shumë në qasjen e tij qytetëruese e tolerante, ka promovuar në këtë vend, shkollimin dhe kulturën. U deshën shekuj përpara se studiuesit Hasan Kaleshi dhe Nehat Krasniqi, emri i të cilëve tingëllon, si të thuash me pak humor, arabisht në shkollat tona, të mund të nxirrnin në pah ato kontribute shqiptare në dituritë islame, që janë po aq kontribute në kulturën botërore dhe trashëgimi e njerëzimit.
Prandaj, të dashur miq, pa formimin dhe nxitjen sa më herët të aftësive njohëse dhe vlerësuese të çka e rrethon, nuk është për t’u habitur që për hir të një demagogjie joshëse, ai që vjen rishtas në peripecitë e jetës, të struket nëpër xhami e nëpër kisha nëntokësore apo në tempuj të fanatizuar dhe të ketë për fatin më të keq të tijin, por edhe të shoqërisë ku ai jeton, përçmim dhe makthe që shtyjnë në krim, përballë mrekullive të artit islam, përballë mrekullive të artit dhe kulturës fetare në tërësi, përballë gjenezës antike, që e ndërlidh islamin me besimet e tjera monoteiste.
Në vobektësinë e tij, shtetit të sotëm në tërësi i ka mbetur amanet nga ai i shtetit providencë, një mision unik që shteti në Shqipëri, në Europë, në çdo vend që kërkon të jetojë në paqe, duhet ta përmbushë me çdo kusht në këtë kohë, kur jemi përballë një pakti të frikshëm, të kobshëm, të terrorit dhe nëpërkëmbjes së besimit, nëpërmjet kultivimit të injorancës.
Shtetet duhet të mbarështojnë kudo dhe në çdo kohë, vëllazërinë dhe sensin e përkatësisë së të gjithëve në shtëpinë e përbashkët të besimeve, nëpërmjet kultivimit të njohjes për besimin tënd dhe për besimin e të tjerëve dhe të pranimit se besimi yt nuk është epërsi mbi besimet e të tjerëve, por është pjesë e një kurore, pa të cilën njerëzimi do të na dukej sot, krejt i zhveshur dhe i pafuqishëm përballë sfidave.
Si dje, si sot, si nesër, shkolla, vendi ku më së pari farkëtohet ndjenja dhe dëshira e përkatësisë, e përpjekjes dhe e nismave të individit me të tjerët, e nisjes në rrugën e njohjes dhe diturisë, e nxitjes së zbulimeve të mëdha e të vogla, duhet të jetë, duam apo nuk duam, skena kryesore e luftës për dritë, e betejës për qytetërim, e kultivimit të vëllazërisë mes gjithë fëmijëve tanë, qofshin myslimanë, qofshin të krishterë, apo të çfarëdo besimi tjetër qofshin.
Unë besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajë, shteti shqiptar t’u çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare, t’u çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije, mundësinë që të armatoset me instrumentet e dijes dhe që të mos jetë nesër, viktimë e propagandës tunduese të atyre që nuk kanë asnjë lidhje me profetin Muhamed, nuk kanë asnjë lidhje me profetët që i çelën rrugë qytetërimeve të sotme dhe që në emër të islamit kryejnë krime, të cilat janë të destinuara të ndëshkohen. Sepse janë të ndëshkuara qysh në librat e shenjtë.
Unë besoj se sot, të gjithë duhet të ndiejmë përgjegjësinë e madhe të faktit se të rinjtë, adoleshentët në Tiranë apo në Paris, në Prishtinë apo në Londër, në Europë apo në Amerikë janë të paarmatosur me instrumentet e dijes, për t’u përballur me demagogët, me sharlatanët, me maskarenjtë, që kërkojnë të nxjerrin përfitime duke e përgjakur njerëzimin, apo duke e tërhequr për hunde.
Prandaj, unë besoj se mbi këtë terren injorance, ku përfitojnë ekstremistët e dhunshëm apo ekstremistët e veshur me kostum e me kravatë, që i flasin Europës dhe Amerikës për rrezikun që iu vjen nga myslimanët, i takon çdo shteti që i do dhe e do të ardhmen e fëmijëve të vet, t’i hapë rrugë mundësisë që çdo fëmijë të ushqehet edhe me kulturën e feve. Te kultura e feve qëndron një forcë e madhe, jo vetëm për besimtarët, por edhe për jobesimtarët, që përmes aq shumë mrekullive që kultura e feve solli në kulturë, në art, në të menduarit filozofik dhe estetik të njerëzimit, të jenë të armatosur dhe fitimtarë ndaj çdo forme ekstremizmi të dhunshëm, apo ekstremizmi të propaganduar me kostum e me kravatë.
Unë e përshëndes dhe si kryeministër jam krenar për Komunitetin Mysliman Shqiptar. Një komunitet që në çdo moment ka luajtur një rol emancipues dhe paqtues për kombin tonë. Një komunitet, që sot e mbështet plotësisht projektin tonë të ri për ta kthyer shkollën publike në një hapësirë njohëse jo vetëm për shkencat, por edhe për fenë.
Ky projekt konsiston jo në cenimin e laicitetit të shkollës sonë, por në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm, apo të ekstremizmit me kostum e me kravatë, nëse nuk arrin dot të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues civilizimesh dhe përparimi filozofik e social dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre e tundimeve të mëdha, që joshin dhe kthejnë në viktima fatkeqe të xhihadizmit apo të ekstremizmit politik, vajza e djem që s’kanë fuqinë e brendshme shpirtërore, pikërisht sepse iu mungojnë këto instrumente, për t’u përballur me vështirësitë e jetës.
Do të fillojmë me një numër shkollash në zona urbane dhe rurale dhe bashkëpunojmë me shumë institucione ndërkombëtare në Perëndim dhe në Lindje. Kemi thirrur në ndihmë ekspertë, të mirënjohur botërisht, të kulturës së civilizimeve dhe do të eksperimentojmë për herë të parë, falë teksteve të përgatitur në harmoni të plotë mes këtyre institucioneve, duke filluar që nga Observatori i Laicitetit në Paris dhe komuniteteve tona fetare në Shqipëri. Për herë të parë, nxënësit do të nxiten nga mësues të trajnuar enkas, brenda dhe jashtë vendit, të përvetësojnë elementët e të folurit, premisat e dialogut, hapat e parë të të argumentuarit pa pasione, pa hatërmbetje, pa paragjykime, duke zhvilluar sensin e përkatësisë, pikërisht falë dhe jo në pësim të dallimeve fetare.
E kemi thënë dhe e përsërisim gjithmonë që ne jemi me fat që dallimet fetare në Shqipëri janë një pasuri dhe jo një problem. Por, nuk duhet të harrojmë se ashtu si çdo njeri, edhe çdo popull e bën vetë fatin e vet. Ajo çka na kanë lënë të parët është detyra jonë ta mbrojmë dhe ta promovojmë, për të mos bërë që të rinjtë, fëmijët tanë ta marrin si të mirëqenë njëherë e përgjithmonë, por për t’ua transmetuar si pasurinë më të çmuar që duhet ta njohin në vlerën e vet dhe duhet ta ruajnë si sytë e ballit.
Të luftosh ekstremizmin e dhunshëm nuk mjafton të çosh ushtarë në front, nuk mjafton të mobilizosh ushtri dhe koalicione ushtarake, sado të forta të jenë, sepse nuk është një betejë që fitohet thjesht dhe vetëm përmes armëve. Por është një luftë që fitohet në mendjet dhe në zemrat e më të rinjve në mbarë globin.
Ky mision fisnik i përket mësimdhënies dhe edukimit, qasjes ushqyese ndaj paqes për t’i bërë qëndresë frymës së përballjes dhe për ta ripërtërirë brez pas brezi, vëllazërinë njerëzore pa të cilën jemi të gjithë të dënuar të mbetemi endacakë të humbur. E në këtë vëllazëri të përditësuar, gjithmonë djep paqtimi dhe mirëkuptimi, emancipimi dhe ndërgjegjësimi, shqiptari, por jo vetëm, do të mund të krenohet se aty është ai syth i njerëzimit të ripërtërirë, ai Betlehem dhe ajo Mekë e Arabisë ku, po e mbyll, duke perifrazuar të madhin Themistokli Gërmenji: “Rilindin e naltësohen Muhamed i Myslimanisë dhe Is i Krishtërisë”.
* Fjala e kryeministrit në ceremoninë kremtuese të ditës së lindjes së profetit Muhamed, organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.
Komentet