SHKUP – Partia shqiptare në pushtet në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim me anë të një komunikate të premten, ka sqaruar rrethanat për dorëheqjet e ministrave të saj në kabinetin qeveritar.
Siç thuhet në njoftim, në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë Qendrore të Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim u vendos njëzëri që të gjithë ministrat dhe zëvendës ministrat e BDI-së në Qeverinë e Maqedonisë, të dorëzojnë dorëheqje të parevokueshme gjatë ditës së sotme dhe që të gjitha kompetencat për vendimmarrje të mëtejshme janë në duart e liderit Ali Ahmeti për të rishqyrtuar politikat e kësaj partie në ditët në vijim dhe për të vendosur për të ardhmen.
Që nga fillimi i krizës politike në vend, thuhet më tej, Bashkimi Demokratik për Integrim ka luajtur rol konstruktiv drejt arritjes së zgjidhjes si dhe ka dhënë kontribut kyç në miratimin e marrëveshjes së Shkupit në mënyrë që të rikthehet stabiliteti dhe siguria në vend.
Nga partia shqiptare konstatojnë që ky proces tashmë është komprometuar fillimisht si pasojë e prodhimit të mijëra përgjimeve të paligjshme dhe më pas edhe të shpërndarjes të tyre, sipas kësaj partie, në duar të krimineleve me qëllim të keqpërdorimit.
Sipas BDI-së, procesi u komprometua edhe si pasojë e paralizimit institucional dhe mosreagimit të drejtorive kompetente për të parandaluar degjenerimin e të gjitha përpjekjeve të saj për të vendosur sistem të kontrollit të ndërsjellë si dhe hetimit institucional të përmbajtjes së përgjimeve dhe bartje të përgjegjësisë për çdo keqbërje.
“BDI kërkon nga institucionet e vendit, në veçanti Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike që të ndërmarrin masa të menjëhershme për ti arrestuar falsifikatorët, distribuesit dhe botuesit e përgjimeve të montuara, ndërsa njëkohësisht, si pasojë e dështimit institucional dhe manipulimit politik, BDI nuk merr asnjë përgjegjësi të vetme për daljen e situatës nga kontrolli institucional dhe mundësisë së zbatimit individual të gjyqësisë dhe drejtësisë”- thuhet në njoftim.
BDI fton njëkohësisht edhe Prokurorinë Speciale që të përfshihet menjëherë në hetimin e këtij krimi të rëndë, siç e konsideron, i cili po synon dëmtimin personal publik të figurave shoqërore dhe po cenon edhe, sipas saj punën e këtij institucioni.
Komentet