Më vjen keq se që prej titulli shpreha direkt pakënaqësinë e shqiptarëve, përjashto klasën politike në Shqipëri, zhgënjimin e popullit që është duke i vuajtur direkt konseguencat e një lidërshipi të korruptuar që askush nuk ia prish qejfin, as ju zoti Hahn, si paraardhësi juaj, zoti Štefan Füle. As zonja Mogherini sikur paraardhësit e saj.
Ju keni një përfaqësuese shumë të aftë, Romana Vlahutin, ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, por as ajo me Ambasadorin e SHBA nuk ka arritur asgjë dhe janë të pafuqishëm përpara kupolës.
Delegacionet që vinë nga BE kanë krijuar lidhje me politikanët shqiptarë. Por asgjë më shumë. Ju vini e shkoni. Në çfarë klase fluturoni ? Business apo klasin e parë. Sa e keni djetën e qendrimit në Shqipëri ? Konsiderohet vend me vështirësi të mëdha ? Për ju lodhje e madhe. Sepse ecejaket tuaja asnjëherë nuk e ndryshojnë situatën. Ju ndryshoheni ikën njëri komisioner, vjen tjetri, kriza në politikën shqiptare mbetet. Po përse jeni atëher ?
Kriza e reformës në drejtësi vazhdon në Shqipëri, pavarësisht vizitave tuaja, kriza e krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimeve po ashtu. Sistemi i zgjedhjeve është mafioz krejt, sepse liderët e partive vendosin vetë për deputetët e parlamentit të Shqipërisë. Tani duket qesharak pretendimi i tyre për dekriminalizimin e Parlamentit, kur deputetët i kanë futur ata vetë në lista, pasi institucionet në Shqipëri po ashtu janë kukulla në duart e tyre.
Krizat dhe ngërçet janë status quo në Shqipëri, pavarësisht ardhjeve dhe ikjeve tuaja, takimeve tuaja, burokracisë tuaj. Populli shqiptar natyrisht që e ka humbur besimin totalisht tek klasa politike, por e ka humbur besimin edhe tek institucioni juaj. Sepse ju nuk ndryshoni dot asgjë. Veç vini e shkoni në Shqipëri për rutinë, për një change.
Duket sikur të jeni bërë palë me klasën politike, e cila sa vjen vetëm bëhet edhe më arrogante, më e papërgjegjëshme.
Ju po kaloni tre ditë të ngarkuara në Tiranë, me takime dhe pritje nga të gjithë krerët e shtetit, përfshi edhe kreun e opozitës, të cilët shajnë dhe fajësojnë tek ju njëri-tjetrin. Kjo është loja e tyre. Viktima është populli. Opozita synon zgjedhje të reja, që të riciklohet në pushtet, pozita po kërkon mandat të ri dhe kaq, sa për reformën në drejtësi, ju si BE nuk keni asnjë fuqi që t’ia ndryshoni klasës politike mendjen, as të ndryshoni këtë status quo, dhe ata natyrisht nuk janë çmendur që të reformojnë një sistem që e kanë krijuar vetë, me qëllimin që të jenë Të Paprekshmit nga drejtësia. Që ata të jenë të paprekshëm, duhet edhe drejtësia të mbetet kjo që është e paprekëshme.
Sepse i gjithë sistemi i drejtësisë është i ndërtuar nga lidërshipi politik këta 25 vjet, nga kjo klasë politike, pa ideale dhe kauza, veç pasurimin e vet. Dhe këtë objektiv e kanë arritur lehtë pa ia prishur qejfin kush, përfshi BE. Ju s’keni arritur asnjë rezultat. Ju lutem bëni llogari sa kanë kushtuar djetat e delegacioneve të BE-së këtë çerek shekulli. Bëni llogari biletat e avionit, hotelet e shtrenjta, Rogner apo Sheraton. Mos flasim këtu për ndonjë përkthyese të dashur. Sepse shqiptarët janë mjeshtra për t’i korruptuar europianët. Historia me përkthyeset është e njohur prej kohës së diktaturës. Jam duke folur për historinë 25 vjeçare, nisur nga jeta private dhe skandalet e politikanëve shqiptarë.
Klasa politike shqiptare është e paprekëshme, ndërsa BE e gjunjëzuar përpara tyre. Kjo e vë këtë institucion në pozitë shumë të vështirë, kur ky institucion do të duhej t’ua vinte politikanëve të Shqipërisë këmbët në një këpucë.
BE është e gjunjëzuar përpara klasës politike shqiptare të korruptuar, sepse asnjë politikan shqiptar nuk është përballur me drejtësinë këtë çerek shekulli tranzicion, megjithëse Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Europë.
Asnjë shtet i BE-së nuk i sjell turistët e vet në Shqipëri, megjithëse ky vend është i bekuar nga Zoti me 300 ditë me diell në vit, me një det fantastik, me Alpe magjike dhe me liqej e natyrë që detyrimisht do të duhej të fitonte miliarda prej turizmit, por këtu nuk ka siguri, s’ka shtet ligjor ose thënë ndryshe shteti është i kapur.
Ëndërra e shqiptarëve është çerekshekullore që t’i bashkangjitej Europës, sepse vendi i shqipeve ndodhet në zemër të kontinentit plak, por BE duket e gjunjëzuar përpara klasës politike shqiptare.
Ky gjunjëzim ka penalizuar një popull të tërë, që këtë çerek shekulli, duke i patur të gjitha mundësitë të ndërtojë jetën në vendin e vet, prej pasigurisë që ka krijuar klasa politike, i ka mbetur si alternativë vetëm eksodi dhe ikja.
Prandaj jua thashë që në krye, sa herë që vinë kryediplomatë të BE-së në Shqipëri, populli nuk pret më asgjë prej tyre, sepse BE me pafuqinë e saj është bërë palë me klasën politike shqiptare që është kampion korrupsioni në Europë.
Them palë përderi sa nuk e ndryshoni dot situatën, ju sa vini e shkoni, takoheni dhe çtakoheni, ndërsa krizat dhe ngërçet vijojnë, pa ia prishur kush komoditetin dhe lluksin.
BE është një krizë të thellë besimi dhe identiteti sepse nuk i njeh si europianë shqiptarët, ndërsa ka hyrë në një dialog pa fund e krye me lidërshipin politik që po e mban në tunel popullin e vet.
Prandaj janë hipokrizi Herr Hahn vizitat tuaja e të kolegëve tuaj në Shqipëri!
Komentet