Personazh në librin “Zonjat shqiptare në New York”
Sado i vështirë të duket ndryshimi i mënyrës së jetës në fillim në emigrim, ajo të bën akoma më të fortë të luftosh e të arrish atë që ke në plan për një të ardhme më të mirë! A.Bollati
Avokatja Bollati ka lindur në Tiranë dhe mbasi filloi Fakultetin Juridik atje, i mbaroi studimet në Benjmin N. Cardozo School of Law në New York. Ajo punon si avokate për Ministrinë e Drejtësisë në Zyrën e Avokatit të Shteteve të Bashkuara për nje nga qarqet ligjore te New York-ut. Ka 10 vite që punon si avokate dhe merret kryesisht me çështjet ekonomike në lidhje me bankat.
PYETJE: Znj.Bollati kur keni ardhur në Amerikë dhe cilat janë ndjesitë e para të takimit tuaj me botën e lirë amerikane?
ALBA BOLLATI: Unë u vendosa në New York në fund të vitit 1999, së bashku me prindërit e mi. Kisha aplikuar dhe isha pranuar në disa shkolla juridike dhe vendosa të filloja LLM ( Masters of Laws) te Benjamin N. Cardozo School of Law në Manhattan. Ndjesitë e mia të para me botën e lirë amerikanë ishin takimet që pata me shkollat juridike, profesorët, shokët e mi të ardhshëm të shkollës, etj. Mund të them me plot bindje se sado e vështirë të duket ndryshimi i mënyrës së jetës në fillim, ajo të bën akoma më të fortë të luftosh e të arrish atë që ke në plan për një të ardhme më të mirë!
PYETJE: Cila ka qënë fëmijëria juaj në Shqipëri dhe çfarë kujtoni rreth jetës suaj fëminore?
ALBA BOLLATI: Unë kam lindur në Tiranë dhe kam kaluar fëmijërinë derisa u largova nga Shqipëria rreth zonës qe quhet Tirana e Re. E rritur në një familje intelektuale (babai inxhinier kimist dhe profesor ne Fakultetin e Shkencave te Natyrës, dhe nena redaktore në Shtëpinë Botuese të Librave të Universitetit), pavarëshisht nga kushtet e vështira për shkak të sistemit të atëhershëm në Shqipëri, ne në Tiranë kishim një jetë pak a shumë të kënaqshme sidomos si fëmijë. Më kujtohet se çdo vit shkonim 2 javë në plazh në Durrës dhe kjo si fëmijë ishte e mjaftueshme që të zinte me mendime dhe fantazi fëminore shumicën e vitit.
PYETJE: Cilat janë disa nga nostalgjitë që keni për Shqipërinë?
ALBA BOLLATI: Nostalgjitë për Shqipërinë lidhen patjetër me kohën kur isha fëmijë, kur luaja e lirë me motrën time, me shokët e shoqet apo kushërijtë e mij, kur festonim ditëlindjet e njëri tjetrit, festat, e sidomos Vitin e Ri, kur shkoja me pushime në Shkodër dhe sigurisht në plazh në Durrës për çdo verë.
PYETJE: Ju jeni me origjine Çame, ndërkohë jeni e bija e z.Sali Bollati, një prej aktivistëve të mirënjohur në diasporë ish kryetar i shoqatës “Çamëria”, cila është historia e familjës suaj në Çamëri dhe si po punoni për ta ndërkombtarizuar Çështjen Çame?
ALBA BOLLATI: Të dy prindërit e mi Sali Bollati dhe Bule Pronjo kanë lindur në Paramithi të Çamërisë. Në vitin 1944 grekët bashkëpunëtorë me nazistët gjermanë, arritën të realizonin planin e tyre të gllabërimit të krahinës së bukur dhe të begatë të Çamërisë. Në verën famëkeqe të atij viti, ata masakruan gra, burra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur së bashku me gjyshërit e mi nga ana e babit. Kështu detyruan pjesën tjetër të popullsisë të shpërngulet drejt Shqipërisë. Babai im 7 vjecar u rrit në Shtëpinë e Fëmijës të Tiranës, dhe bëri gjimnazin në Shkodër. Duke qenë student i shkëlqyer, ai mori burs të studionte në Brastislavë, (Sllovakia e sotme), ku përfundoi me nota të shkëlqyera si inxhinier kimist. Megjithatë jeta në Shqipëri do kishte shumë vështirësi për të nën sistemin socialist të kohës, ashtu si shumica e popullsisë shqiptare që nuk pranoi të shiste shpirtin të bëhej komunist e të bashkohej me sistemin më të urryer dhe antikombëtar që ka njohur Shqipëria në shekuj. Babi im kurrë nuk harroi prejardhjen e tij dhe kurrë nuk harroi dhimbjen e prindërve të vrarë pa të drejtë. Kështu në vitin 1990 në shtëpinë tonë në Tiranë, u krijua Shoqata Çamëria, që ka si qëllim kryesor kthimin në tokat e të parëve dhe respektimin e gjakut të pafajshëm të derdhur në Çamëri. Pasi u vendosëm në Amerikë, baba krijoi Shoqatën Çamëria dhe në New York. Tani ajo e ka qendrën në Çikago dhe babi është Anëtar Nderi dhe vazhdon çdo ditë “detyrën”siç e quan ai, të luftës për të arritur qëllimet e Çamëve kudo që ndodhen në botë duke shkruar artikuj, duke u takuar me senatorë amerikanë dhe duke marrë pjesë në forume dhe seminare ashtu siç ishte dhe seanca e fundit para Gjykatës së Hagës në Shkurt të 2016, ku iu dorëzua kesaj Gjykate Ndërkombetare për Krimet e Luftës, një dosje me fakte për të drejtat e popullsisë Çame dhe për te drejtën tonë të kthimit në tokat amë.
PYETJE: Ju jeni rritur me gjyshen tuaj fisnike Kadrije Pronjo e cila jetoi në shtëpinë tuaj për 94 vjet. Në një intervistë që i kam marrë para disa vitesh ajo thotë: Ah, si erdhi ajo kohë e mallkuar e vitit 1944 që rrënoi ëndrrat dhe shpresat e një krahine të tërë shqiptare! Nga ai mallkim nuk mbeti pa u ndëshkuar as plaku, as i riu, as gruaja, as fëmija. Cilat janë disa nga përjetimet tuaja me gjyshen veçanërisht kur ajo ju fliste për Çamërinë?
ALBA BOLLATI: Gjyshja ime Kadrije Pronjo kishte lindur nga familja e madhe e Hime-jve në Paramithi dhe u martua në një nga familjet më të pasura dhe më fisnike po të Paramithisë, familjen Pronjo. Fatkeqësisht në vitin 1944, kur ajo ishte vetëm 24 vjece, burri i saj dhe gjyshi im Esat Pronjo, për shkak të tmerreve të asaj vere në Paramithi, vdiq po në atë vit në një spital të Tiranës. Jeta nuk do te ishte më e lehtë për gjyshen time që mbeti e ve 24 vjecare dhe nuk u martua më kurrë se gjithmonë më thoshte: “ asnjë burrë nuk mund të krahasohej me gjyshin tënd!”. Jeta e gjyshes sime iu kushtua vajzës së saj më pak se një vjecare, mamasë time Bule Pronjo – Bollati, që arriti të mbaronte universitetin e Tiranës për Histori-Gjeografi dhe të krijonte familjen e saj. Gjyshja gjithmonë më fliste për shtëpitë e mëdha që kishin në Paramithi. Ajo kujtonte se te Pronjo-t, kishin dhe një shtëpi mysafirësh në të dalë të oborrit, ku tregtarët që vinin nga larg mund të kalonin natën falas dhe bile dhe një stallë të vogël kuajsh për ta. Ajo gjithmonë kujtonte gjellët e mira që gatuanin gratë që aso kohe ishin në shtëpi, dhe harxhet e tjera që mblidhnin për periudhën e dimrit. Një gjë e veçantë ishte nga kujtimet e saj veshjet e grave të shtëpisë së saj dhe shoqeve të veta. Ato veshje ishin zakonisht të kadifta të qëndisura me fije ari, me gjerdanë të çmuara në gusha dhe gishta të duarve të lyera me këna. Ajo më trgonte se sidomos në raste dasmash, nuseve të reja i blinin çanta, këpucë, etj., ne Selanik apo Athinë që t’i kishin të modës. Kur krahasoj këto me shumë krahina të tjera të Shqipërisë të asaj kohe, ndihem dhe më shumë krenare për prejardhjen time nga dyert e larta të Paramithisë fisnike!
PYETJE: Ju sot ushtroni profesionin e nderuar si avokate në Amerikë cilat janë disa nga shërbimet që ju i bëni legjislaturës amerikane?
ALBA BOLLATI: Unë pasi u pranova në Barin e New York-ut në vitin 2005, kam punuar në disa kompani dhe zyra avokatore në Manhattan. Së fundi punoj si avokate për Ministrinë e Drejtësisë në Zyrën e Avokatit të Shteteve të Bashkuara për nje nga qarqet ligjore te New York-ut. (US Attorney’s Office for Eastern District).Unë punoj në Divisionin Civil dhe merrem me investigimin e praktikave të bankave ndërkombëtare dhe rolin e tyre në ekonominë e Amerikës dhe të Evropës.
PYETJE: Si avokate dhe me një përvojë të gjatë në Amerikë, keni menduar ndonjëherë që këtë detyrë ta ushtroni në Shqipëri dhe si konkretisht? Korrupsioni në fushën e drejtësisë në Shqipëri është në shkallën më të lartë dhe tejet shqetësues për popullin, cili është opinioni juaj për këtë gjendje skandaloze?
ALBA BOLLATI: Unë gjithmonë ndjek me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe korrupsioni është gjëja kryesore që të shqetëson. Shqipëria vuajti për gati 50 vjet nën një nga sistemet më të egra komuniste, dhe ndryshimi i sistemit e bëri të lehtë për ish-komunistat dhe shokët e tyrë ta vazhdonin mbajtjen e pushtetit dhe mbas vitëve 90. Ashtu si çdo gjë në jetë, dhe shoqëria shqiptare do kohë të gjatë për të ndryshuar mentalitetin dhe për tu bërë më e ndjeshme ndaj të drejtave të njeriut dhe të qytetarit. Unë mendoj që brezi i ri që po shkollohet sot në Shqipëri dhe që rritet pa ndikimin e sistemit të vjetër komunist dhe idhtarëvë të tyre, do arrij ta çoj Shqipërinë drejt një të ardhme më të sigurtë në Evropë.
PYETJE: Në SHBA, ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh sa të integruar e shihni këtë komunitet në jetën amerikane?
ALBA BOLLATI: Shqiptarët në Amerikë kanë qënë gjithmonë diaspora më e fuqishmë dhe zëri më i fortë i Shqipërisë në shekuj. Kjo për arsyen se në Amerikë çdo njeri ka të drejtë të ruaj identitetin e tij kombëtar. Dhe për më tepër, forca që SHBA ka kudo në botë, e bën që çdo perpjekje të komunitetit shqiptar këtu, të ketë ndikim të rëndësishëm ne fatet e Shqipërisë dhe tokat etnike shqiptare jashtë kufijve. Pra shqiptarët që jetojnë në Amerikë dhe Kanada, qoftë ata nga trojet jashtë Shqipërisë zyrtare që emigruan më parë, qoftë shqiptarët e Shqipërisë që erdhën këtu pas viteve 90, kanë arritur të gjejnë veten e tyre në jetën amerikane.
PYETJE: Sa të angazhuar e shihni gruan shqiptarë në këtë komunitet?
ALBA BOLLATI: Unë qëkur u vendosa në fillim në New York, kam qenë anëtare dhe kam dhënë kontributin tim bashkë me motrën time Betula Bollati e cila ka qënë një nga femrat shqiptare të para te emëruara nga Ministria e Jashtme në Konsullatën e Stambollit në moshën e re 26 vjeçare, në shoqatën e gruas “Motrat Qiriazi” në New York, që ka dhënë dhe vazhdon të japi një kontribut të veçantë per integrimin e gruas shqiptare në Amerikë e më tej, si dhe ka dhënë mësim për disa kohë në Shkollën Shqipe “Alba Life” në Staten Island, New York.
PYETJE: Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellence”, libër që do të botohet për herë të parë për gratë e suksesshme përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?
ALBA BOLLATI: Unë u jam shumë falenderuese botuesve të këtij libri për kontributin e tyre për cështjen e Shqipërisë në botë dhe për të shpalosur arritjet e shqiptarëvë kudo që ndodhen.
PYETJE: Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?
ALBA BOLLATI: Gruaja shqiptare ka vuajtur shumë nën sistemin e kaluar, po ajo asnjëherë nuk e humbi dinjitetin, respektin për veten, dhembshurinë dhe kujdesin për tërë familjen. Tani gruaja shqiptare është e lirë dhe duhet të ndihet si të gjitha gratë e tjera evropiane. Po sigurisht, ka akoma shumë punë për të berë: si sigurimi i të drejtës së punës, pagesës së njëjtë me burrin, më shumë ligje për mbrojten e gruas, dhe më shumë respekt për të si brenda mureve të shtëpisë, ashtu dhe në shoqërinë e brishtë moderne shqiptare.
New York, 2016
Komentet