Pas besëprerjes që ia bëri bllokut të ashtuquajtur V-LAN dhe martesës me PDK-në e kriminalizuar në një koalicion qeverisës, më 2014, dhe pas përzënies së gazetarëve nga skena e një hoteli kosovar, ku ai mbante Kuvendin Zgjedhor, pas pak më shumë se gjashtë muajve, Isa Mustafa “i humbi” përfundimisht gazetarët. Pra, ai e humbi luftën me median…
Pse e ka zët Isa Mustafa median?
Sepse ai në media e ka parë veten tek gënjeu anëtarësinë e gjerë dhe simpatizuesit e LDK-së, zgjedhësit dhe publikun kosovar, kur pati thënë: “Kurrë me PDK-në.”
Së këndejmi, këtë mëri ndaj shtypit ai e ka si mekanizëm mbrojtës për ta justifikuar vetveten përballë gënjeshtrës së madhe, legjendare…
A e sheh ai shtypin si të pabesë dhe armiqësor?
Dhe përse nga një lider i qetë dhe me sfond prej profesori e akademiku, u shndërrua në armik nr. 1 të lirisë së shtypit, në përbuzës dhe sharës pa e mbajtur gojën e medias!?
Dikur betohej se do ta rikthente lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, që, sipas tij, ishin cenuar rëndë nga klika e Hashim Thaçit, PDK-së dhe SHIK-ut.
Ishte “koha e artë” e grupimit V-LAN.
Por, sa shpejt që harroi atë fjalim frymëzues dhe së fundi u pa në një hotel kosovar, me një grumbull delegatësh të shpëlarë nga trutë, përmes inxhinieringut të mendjes, tek “i fshihej” publikut, për ta kamufluar mjerimin e demokracisë së tij aklamacioniste.
Mustafa i humbi mediat për të mbetur krejtësisht jashtë kohe, i vetmuar dhe në përqafimin e “Gjarprit”, përballë sfidave si Gjykatë Speciale, të cilën duket se tashti po e minojnë aktorët kryesorë të vetë PDK-së, që e pandehin veten si subjektet kryesore të hetimeve…
Po ashtu, do të përballet i vetëm dhe i pashpresë me (mos) krijimin e ushtrisë kosovare, të cilën Mustafa e pati shndërruar në levë patriotike (njerëzit që akuzohen për mungesë patriotizmi rëndom bëjnë gabimin fatal: shfaqen në publik si ultranacionalistë dhe “spiderpatriotë”, duke hedhur hapa krejtësisht të gabuar politikë, si në rastin kur Mustafa dhe partia e tij, me turre uraganesh, u ngritën kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë, edhe për një mandat, si këmbim me marrjen e votës së dyfishtë për shndërrimin e FSK-së në FAK.
Madje eksponentë nga partia e tij ia përshkruan këtë “sukses” liderit të tyre, Mustafa, porse pa e menduar kurrë se një shans i tillë vështirë se do të vinte më…
Kisha shkruar në dy raste për ta justifikuar këtë këmbim, vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetet joshumicë, madje jo për një mandat por për dy, mirëpo në këtë refuzim printe LDK-ja e pasuar nga të tjerat.
Krekoseshin se kishin bërë një refuzim të fuqishëm ndaj serbëve kosovarë (që dikush dikur duhet të kujtohet për t’i trajtuar seriozisht, si shtetas të barabartë të Republikës së Kosovës) dhe kinse e kishin kthyer më në fund denjësisht kushtetutshmërinë!?
Këtë huqje fatale e kishte vërejtur ish-shefi i FSK-së, gjenerali i pensionuar Kadri Kastrati, i cili në KTV akuzoi politikën që nuk e kishte bërë më 2014 këtë këmbim.
Thjesht, edhe deklarata e tij kaloi në heshtje nga kuazipatriotët në Prishtinë.
I ballafaquar me ikjet masive të qytetarëve në kërkim të dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për lumturi, Mustafa dhe Qeveria e tij bënin strucin, duke e futur kryet në zall dhe duke tentuar që me masa represive t’ua mohonin kosovarëve këto të drejta.
Madje ministri i tij i Brendshëm, Skënder Hyseni, në disa raste përdori paligjshëm policinë e Kosovës për t’ua prerë njerëzve udhën dhe për t’i kthyer ata nga një udhëtim teknikisht legal!!!
Së këndejmi, i zënë në kurthin konspiracionist të Kumanovës, Mustafa ende nuk di se çfarë po ndodh në shtetin e tij, (duket se atij nuk i raporton askush, as AKI dhe as Policia e shtetit) përkatësisht se çka po ndodh me ata shtetas që duan shpartallimin e Maqedonisë sllave dhe krijimin e “Shqipërisë Etnike” dhe pa asnjë sukses në qeverisjen e tij, prej shtatë muajve, Mustafës nuk i mbetet tjetër pos të shfryjë mbi median, t’i akuzojë e t’i mallkojë gazetarët, natyrisht “në pako” me kundërshtarët e tij brenda të njëjtit kamp politik.
Nuk i zuri në faj gazetarët Mustafa por vetveten, kur e tha at “Jo-në” fabulative kundrejt HTH.!?
Kush i ka faj që ai s’ka barometër, etalon matës të kredibilitetit të deklaratave të veta?
Gazetarët?
As që bëhet fjalë!
Duke e uruar partinë për zgjedhjen e vetvetes si lider, Mustafa ua dedikoi fitoren delegatëve e jo vetes.
Pra, ai e pranoi dështimin e parë!!!
“Ju kërkoj falje, që dhjetë ditë, së bashku me mua, përjetuat një presion të paparë medial. Morët letra dhe porosi nga gazetarë e redaktorë, nga përfaqësues të shoqërisë civile, se kënd duhet ta përkrahni e ta votoni. Këto letra i morët nga ata që sot në emër të lirisë së medias po ankohen se LDK-ja nuk ishte transparente. Unë po ua përcjell atyre këtë fotografi, t’ua tregoj transparencën e LDK-së. Po i lus, që në të ardhmen të mos tentojnë të ndërhyjnë në mënyrë flagrante dhe të cenojnë dinjitetin dhe lirinë e delegatëve tanë. I juaji, Isa Mustafa.”
Në këtë postim në “Facebook” Mustafa nuk ia ka dalë as të shfryhet mjaftueshëm mbi gazetarët, sepse e ka pranuar obsesivisht keqdashjen ndaj mediave, (si pasqyrë shprehëse e lirive civile dhe të njeriut) ngase opinionet (bindjet e lira të gazetarëve, opinionistëve dhe gazetarëve) ai i cilëson si presion dhe si ndërhyrje, sikur gjatë diktaturave në Evropën Juglindore që akuzohej shtypi i lirë për mbështetje të “Kolonës së Pestë”, kurse ata që shprehnin një opinion për akëcilin vend komunist cilësoheshin si armiq të jashtëm e të brendshëm, që po ndërhyjnë në punët e brendshme ectr…
Mustafa nga ekonomisti po shndërrohet në specialist të fabrikimit të armiqve të shtetit!
Dhe ai, besuat apo jo, e dëshmon transparencën e LDK-së me ngritje duarsh e shpatullash, me duartrokitje e brohoritma, thua se shohim fotografitë e Kim Jongut në grup…
Më 2009, në vota kanë dalë 99.98 koreanoveriorë, që kanë dhënë 100 për qind mbështetje për kandidatët e emëruar nga shefi i shtetit.
Sivjet, më 2015 zgjedhjet në Korenë e Veriut Partia e Punës i fitoi me 100% të votave.
Dhe ky njeri, kryeministri aktual kosovar dhe transparenti me nam, një ditë kur mund të jetë në telashe, përballë qytetarëve të Republikës, të cilën e udhëheq, për mungesë të dhënies së një pune, në mungesë të votimit të amendamenteve kushtetuese për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe në mungesë të çfarëdo suksesi në qeverisje do ta shohë dhe vetë se si nuk do t’i dhimbset kujt, se si do ta flakin anash, pa ia qarë hallin kush…
Pra, do të ndeshet me ftohtësinë mediale. Sepse për këtë njeri askush nuk do të ketë keqardhje.
Madje as ata që i duartrokitën aq gjatë dhe me rrapëllima, si moti dikur, u duartrokitej liderëve të pavdekshëm stalinistë…
Si para katër vjetësh, kur erdhi në krye të LDK-së, si para një viti, kur e pati deklaruar rëndshëm “Jo-në” e madhe ndaj koalicionit me PDK-në, Mustafa i kishte mediat në krah dhe gëzonte tërë simpatinë e gazetarëve, që projektonin dëshirat e mira të qytetarëve për të parë dhe përjetuar ndryshime në skenën rigjide e autoritariste politike të Kosovës.
Mirëpo pas tradhtisë që ia bëri bllokut dhe martesës me PDK-në e kriminalizuar në një koalicion qeverisës, dhe pas përzënies së gazetarëve nga skena e një hoteli kosovar, ku ai mbante Kuvendin Zgjedhor, “i humbi” përfundimisht gazetarët.
Po pse kundërshtarja e tij brenda partisë, Vjosa Osmani, brenda pak ditësh krijoi aq shumë simpati tek media kosovare, madje edhe jashtë kufijve të Kosovës?
Në median shqipe në Maqedoni dhe në Shqipëri.
Sepse tashmë gjatë kohë kosovarët presin ndryshimin, të cilin e projektonin tek profili i një gruaje, Vjosa Osmani.
Rreshtimi i medias me një kauzë që e karakterizon ose së paku perceptohet se e karakterizon një lider (lidere) ishte plotësisht i arsyeshëm, për këtë shkretëtirë politike, siç është Kosova.
Dhe është parakushti i parë për të pasur sukses në ndërtimin e karizmës, secili lider.
Dhe në LDK ende nuk ka një burrë ose grua të tillë që për pak ditë fiton aq shumë simpati e vëmendje mediale sa Vjosa.
D.m.th. ajo kishte një të mirë të madhe, mbështetjen qytetare dhe atë mediale, por ende të pamjaftueshme për t’u ngjitur në majat e lidershipit të LDK-së, sepse është e rrethuar me njerëz e grupe interesi, që ose u është dhënë një punë (post publik), ose u është premtuar ajo.
Ka zëra që thonë madje se delegatëve u është kërkuar fotografimi i votës së bashku me dorën dhe orën!? (Sic!) për ta dokumentuar lojalitetin ndaj liderit të madh!
Fuqia e personalitetit të Vjosa Osmanit u ngrit ndjeshëm tek publiku, por jo tek strukturat klienteliste dhe demagogjike partiake.
Po t’u mbushej mendja 178 delegatëve që ta “kualifikonin” për finalen e madhe, në garë me Mustafën, ambiciet e delegatëve më skeptikë do të rriteshin dhe Vjosa sot do të ishte shefe e partisë.
Asaj nuk ia dhanë shansin, sepse tek delegatët mbizotëroi vetëdija e turmës, pa ide dhe pa ideale…
Ajo që ndodhi në Kuvendin Zgjedhor (që një koleg imi e përshkroi si Plenum i tipit komunist) të LDK-së me një fjalë është kontroverse.
U proklamua demokracia e brendshme dhe gara fer (me shumë kandidatë) dhe, në anën tjetër, paradoksalisht kjo u pengua proceduralisht.
Pra, u ndal konkurrenca.
Teknikisht Mustafa ia doli t’i kontrollonte shumicën në atë sallë hoteli, mirëpo, kjo do t’i kthehet atij si bumerang në Kuvendin e Kosovës, ku fraksioni rreth Vjosës do t’ia brejë veshët përditë e më ashpër…
Në anën tjetër, lideri Mustafa u prish me tërë spektrin medial kosovar, prandaj historikisht vlen parimi që ai politikan i cili e ka median kundër nuk e ka të largët rënien.
Mbajeni mend këtë!
Fundja, çfarë do të ndodhte me këtë vend dhe me këtë shoqëri sikur të gjithë dhe gjithmonë të rreshtoheshin me fituesin!
Diktatura të egra.
Prandaj shumë kolege e kolegë të mi zgjodhën të rreshtoheshin me një grua, e cila ndonëse nga kjo garë doli e humbur, ndërtoi logjikën e ndryshimeve brenda LDK-së dhe ky është një sukses, apo jo!?
Sidoqoftë, kundërshtarët politikë të kreut të partisë duhet të sillen denjësisht, por të lidhen edhe më fort rreth ideve të reja e jo rreth njerëzve apo rreth Isa Mustafës konkretisht dhe të rezistojnë në Kuvendin e Kosovës…
Një frymë e re është lindur tashmë në LDK dhe po ngjizet.
LDK-ja është fraksionuar përbrenda Kuvendit të Kosovës dhe ky është fillim i debatit demokratik, sado që është në zanafillë në LDK dhe në mbarë skenën politike kosovare.
Komentet