E kush është ky piciruk i pispillosur si kukull?
Po na është Adolfka, biri i zotërinjve Hitler!
Ndoshta do të bëhet doktor në drejtësi
apo një tenor i operës së Vjenës?
E kujt është kjo doçkë, e kujt, e këto syçka, hundka?
I kujt barku i vogël plot qumësht, ende nuk dihet:
i një tipografi, i një tregtari, i një prifti?
Ku do të shkojnë këto këmbka qesharake, ku?
Në kopsht, në shkollë, në zyrë, në martesë
të paktën me bijën e kryebashkiakut?
Bebe, engjëllush, thesarth, rreze e vogël,
kur një vit më parë vinte në botë
nuk mungonin shenjat në qiell e në tokë:
një diell pranveror, arra në dritare,
muzika e organos së vogël në oborr,
një shenjë e mirë në letrën e hollë të kuqe,
para se të lindte një ëndërr profetike e nënës:
nëse ëndërron një pëllumb – është me fund të lumtur,
nëse e kap – do të vijë ai që e ka pritur gjatë.
Tak-tak, kush është, është zemërza e Adolfkës.
Biberon, pelena, shtupë tharëse, zilkë,
vogëlushi, duke lëvduar Zotin e duke larguar syrin e keq, është shëndosh.,
iu ngjan prindërve, maçokut në sepet,
fëmijëve të të gjithë albumeve të familjes.
Eh, tani le të mos qajmë,
fotografi do të bëjë klik nën pëlhurëne zezë.
Atelie Klinger, Grabenstrasse Braunau,
e Braunau është një qytezë e vogël, por e dinjitetshme,
ndërmarrje të fuqishme, fqinj të mbarë,
aromë torte e sapuni rrobash.
Nuk ndihen qen duke uluruar as hapat e fatit.
Mësuesi i historisë liron jakën
dhe hap gojën përgjumshëm mbi fletore.
Komentet