TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh i sinqertë dje, se i ka shkuar në mendje të bëhet President. I pyetur dje, në studion e “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Ora News ai shtoi se “çdo politikan aktiv do ta pranonte këtë, në rrethana të caktuara”.
Z.Meta, njëlloj si tek telenovelat që po shfaqin televizionet, politikën e ka pushtuar ideja e reformës në drejtësi. Duket sikur një gjë e madhe po zbret nga lart dhe po e shpëton vendin. Duhet të besojmë që pas 25 vjetësh diçka e madhe do të ndodhë me ne?
Është e drejta juaj për ta menduar si të doni dhe vazhdoj të mbetem liberal, jam i habitur se dëgjova dhe në komentin tuaj dhe në parlament pse po zvarritet reforma në drejtësi dhe më duken normale se reforma në drejtësi po ecën me ritmin e parashikuar. Do të ndodhë diçka e madhe, por nuk do të ndodhë brenda natës. Duhet të jemi shumë realistë. Unë kur është thënë që reforma në drejtësi do të mbarojë në janar, gjithmonë ka qenë një kalendar që është respektuar dhe mund të ketë lëvizur 2 javë dhe asgjë më shumë, i Komisionit Parlamentar të Posaçëm. Është një reformë shumë e rëndësishme, si të thuash një rithemelim i dimensionit të drejtësisë. Nuk është e thjeshtë, që do të thotë që do të ketë ndikim në jetën institucionale.
Kush do ta bëjë reformën? Në Shqipëri ata që themeluan 25 vjet këtë sistem drejtësie që kemi dhe themelojne një tjetër përfshirë edhe ju totalisht, Saliu, Fatos Nano edhe demokratët rrëzojnë atë që ndërtuan.
Të sjellim të tjerë nga Marsi?Ambasadorët?
Edhe ata janë të përfshirë, ata shprehin një vullnet politik. Flasim për Euralius, misioni i BE-së i specializuar. Duam të hyjmë në BE, duam të përmirësojmë sistemin e drejtësisë sipas standarteve edhe në drejtim të luftës kundër korrupsionit, krimit, integritetit të sistemit që ëhstë problem në këto dy dekada.
Do të dekriminalizohet jeta politike dhe institucionale e vendit, institucionet më të rëndësishme? Si mund të ndodhë kjo?
Edhe para se të bëhej ligji, vetë realizimi, qoftë edhe presioni ndërkombëtar edhe presioni në të cilën u vu e gjithë politika për shkak të opinionit publik dhe ngjarjeve të papëlqyeshme. Mjaft dorëheqje kanë ndodhur nga Kuvendi edhe ky ligj është miratuar, hyn plotësisht në fuqi në fillim të muajit tjetër. Në këtë drejtim ka pasur progres. Po ka pasur dekriminalizim dhe do t’i japë efektet pozitive në të ardhmen, nuk themi dot që nuk është pozitive.
Kryetarët morrën dhe bënë çfarë deshën dhe futën në parlament njerëz me rekorde kriminiale, a ka përgjegjës?
Patjetër që ka, unë jam dakord që ka përgjegjës, e fus edhe veten time si pjesë e kësaj përgjegjësie. Prandaj është reflektuar, është bërë ligji.
Po trafikantin që erdhi, kongresmeni?
Ai u dënua, ne e kemi pas këtë problem, e kemi marrë këtë përgjegjësi.
Është gjithë parlamenti i inkriminuar me kriminelë?
Bërja e ligjit, zbatimi i ligjit do ta pastrojë Kuvendin aktual dhe në të ardhmen.
Kush do ta pastrojë?
Qytetari. Nëse ka të inkriminuar, pushteti vendos t’i largojë nga zyrat dhe në të ardhmen nuk do të kandidojnë më njerëz të tillë.
Përgjegjësia nuk është vetëm politike?
Duhet të bëjmë një ligj për ata që kanë përgjegjësi normale, gjykatësi më i mirë është opinioni. Ky është sistem që do të konsolidohet, me ligjin që është bërë dhe nuk do të bëhet më. Deri tani nuk ka qenë ligji.
Në 25 vjet në Shqipëri nuk kanë munguar reformat, por njerëz të dënuar kemi vetëm një rast të Nanos në nivelin e lartë dhe më pas gjykata i dha pafajësinë.
Ju më thatë një emër, Fatos Nanon dhe unë nuk kam ndërmend të merrem me emra dhe statistika. Nuk është kjo çështja kryesore. Çdo konceptim për burgosje të politikanëve është dështim, sepse e politizon këtë proçes dhe tregon do të thoja një vizion apo mungesë vizioni të reformës. Duhet parë si do të japë impakt në shoqëri, qytetarë që kanë probleme çdo ditë me drejtësinë, gjykatat, prokurorinë. Se burgosjet politike siç ishte rasti i Fatos Nanos që u akuzua për korrupsion, por ishte edhe vala e komunizmit dhe synonin shpërbërjen e PS mbas 1 viti burgosje të Fatos Nanos. Regjimi i Berishës ka qenë i çeliktë, i ndryshëm nga ai i dyti.
Aludimet janë deri aty, sa njerëz por dhe partnerë thonë se Ilir Meta është politikani si shënjestër.
Meta është mësuar me drejtësi pa integritet, nuk kam asnjë shqetësim nga askush. Prokurorët e mi, hetuesit e mi janë votuesit. Qytetarët e mi i kanë parë këto intriga dhe si kanë dështuar.
Të vijmë te reforma elektorale. Çfarë sistemi preferoni ju?
Sistemi aktual me korrektim kombëtar, të mos humbasin votat. Do të ishte më i drejti dhe më përfaqësuesi. Janë shumë parti që mund të humbasin votat, edhe të ndryshosh çdo 8 vjet nuk shkon.
Z.Meta, dëshira dhe pasioni i PS dhe PD shpesh është që LSI është një barrë shumë e madhe për ta që e reflektojnë herë pas here, është dyshuar edhe për takime të fshehta të lidershipit të z.Rama dhe Basha jashtë Shqipërisë, ku ka zë nuk është pa gjë, dëshira për të qenë vetëm dhe pastaj bën gjithçka.
Ideja ime është që në çdo rast ata që vendosin janë qytetarët shqiptarë, askush nuk e pengon për të qeverisur e vetme.
Ju sapo e thatë se sistemi proporcional i korrektuar, shumë parti të vogla kanë ikur.
Nuk mendoj se kjo e ndihmon parlamentarizmin, sikundër edhe lista të mbyllura. Do durojmë edhe pak për dekriminalizimin është e rëndësishme të shohim reformën zgjedhore për të respektuar vullnetin e qytetarëve.
Idenë e primit, rasti grek?
Kjo është eksperiencë e Greqisë, kjo nuk e ndihmoi Greqinë për të venitur krizën, ishte rezultat i mosbërjes së reformave dhe mospasje transperence që solli atë kolaps. Si është më e rrezikuar transparenca kur kemi 1 parti apo kur kemi 2, 3, 4 forca politike. Pra insistoj që primi nuk është ide e re, ne kemi pasur dushkun. Ky është primi ynë. Në variantin tonë, varianti i 2001 është dushku.
A do të jetë Meta President i Republikës së Shqipërisë në 2017?
Së pari kemi një President. Kam shumë konsideratë. Kjo ide ekziston për këdo që ka moshën mbi 40 vjeç, për Ilir Metën. Nuk është e rëndësishme ça është sot, ça do jetë në 2017. Më e rëndësishme është që të shërbejë që vendi ynë, që qytetarët tanë të realizojnë pritshmërinë ndaj klasës politike.
A dëshironi të jeni President i Republikës së Shqipërisë?
Çdo politikan aktiv nuk është se nuk e mendon, se nuk do ta pranonte këtë pozicion në një moment të caktuar, në rrethana të caktuara. Asnjë lloj pozicioni nuk është qëllim në vetvete, është produkt i natyrshëm i një instance të caktuar.
Pra z.Meta nuk bën përjashtim nga ata politikan që ka dëshirën të jetë President i Shqipërisë?
Që t’ju them që s’më ka shkuar në mendje s’do të isha i sinqertë, por jo ta shoh si domodoshmëri. Edhe në rastin e kryetarit të Parlamentit, në rast se do të isha i bindur se qenia ime si kryetar i Kuvendit nuk do të ishte e dobishme, pavarësisht sa e dramatizoni situatën e Parlamentit, unë mendoj se për aq kohë sa jam i dobishëm.
Ju dini se shpesh se z.Rama është njeriu i befasive të mëdha, elementë që vështirë t’i lexosh te një poitikan klasik, nëse ai propozon Nanon për President, ju e pranoni?
Jemi tepër herët për kandidatura, prioriteti im është reforma në drejtësi.
Keni qenë dakord me këtë sistem taksimi?
Ne nuk kemi qenë partizan të kësaj çështje, por të mos harrojmë se Partia Socialiste e kishte premtim, duhet të ishte prioritet, se ne nuk vendosnim dot veton. Së dyti se kemi parë çështjen e taksimit si ideologjik, duhet parë në interes të rritjes së vendit dhe kjo rritje ka mekanizmat të një rishpërndarje më të drejtë. Dua të theksojë se edhe taksa e sheshtë dha efekte pozitive. Taksa e sheshtë vazhdonte dhe niveli i të ardhurave erdhi duke rënë, kjo kishte të bentë edhe me rritjen ekonomike, efektet e krizës greke, italiane, Eurozonës. Nuk absolutizojmë që faji është i sistemit të taksave, ka vend për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.
Komentet