Kanë rrjedhur shumë ujëra në qyteton tonë turistik. Dhe unë e kam ndërruar shumë herë kostumin e policit nën çatinë e bashkisë sonë bregdetare. Herë me titullarë që betoheshin për Berishën epik, herë me ata që betoheshin për Nanon e shkurtër e, deri te ky i fundit që betohet për fortlartësinë e tij, Ramën.
Ka goxha vite kur qyteti bregdetar u mbush me demokraci, lëvizje të lirë të njerëzve sipas filozofisë së Shvejkut : “ç’më duhet mua se çfar bëj unë!”.
Por të vret i madhi Zot po të mohosh shumë gjëra si zhvillim në këtë qytet-kala që është ndërtuar përplot me pallate nën fronin dhe mendjen e hollë të disa titullarëve bashkiakë. Larg qoftë të mohohet zhvillimi!!
E dini se cfarë i bashkon ish kryetarët e bashkive këtu tek ne, me gjithë lavditë e tyre, deliret e dobësitë? Ua them une: Lopët, vëlla! I bashkojnë Lopët turistike të qyteti tonë që shpesh i shihnin tek kullosnin në barin anës trotuareve, në ndonjë lulishte mbetur si relike nga regjimi hoxhist. Lopët pushtuan edhe në faqet e revistave dhe gazetave të botës!… Pikërisht këto lopë i bashkokeshin, si një konsensus magjik, përmbi palët të majta apo të djathta.
Por ama , secili nga apostujt që kanë drejtuar bashikinë tonë të dashur, ka patur ne sirtar edhe nga një strategji në dosje ‘top sekret” për largimin e lopëve nga qyteti turistik. Strategjia për lopët, gjithmonë ka qenë në të njejtin sirtar të kryetarëve ku gëlonte edhe dosja e strategjisë për turizmin elitar.
Nuk kishin faj fakir qytetarët e rinj. Një pjesë e atyre që mbërritën nga vise të tjera në qytet, në nxitim e sipër, morën me vete edhe…. lopët…. (Se mos patën deve apo gamilje në shtëpitë e origjinës , edhe nuk i sollën edhe ato në Amerikën e ëndërruar.)
Në fakt kur flisnin për “stratëgjitë e turizmit elitar” kryetarët e bashkisë sonë, seç merrnin një pamje prej orakulli duke parë me sytë e mendjes, nga sipër, nga lart, vartësit e administratës dhe në dëgjesa publike me miletin e qytetit.
Dhe sapo dikush nga banorët i përmendëte në takimet publike imazhin e lopëve në qytetin me turizmin elitar; kryetar-apostulli i bashkisë luante nga vendi si ta kish pickuar diçka në ulësen ku qëndronte.
Pastaj përbetohej se kishin për të parë cdo të ngjiste me lopët që pushtuan qytetin. Më pas i kthehej avazit të njohur të paraardhësve të tjerë se ka banorë dhe subjekte të errëta edhe nga opozita pse jo, që duan ta nxijnë punën e bashkisë dhe se realiteti i ri i qeverisjes lokale, u shpon sytë dhe nuk e shikojnë mirë këtë realitet. I verbojnë sukseset tona!
Kur përbetoheshin kryetarët tanë, mua më kujtohej një shkrim që pata lexuar dikur me firmë të mikut tim Hyskë Borobojka: “Kryetari, vret viçin me kobure…!” për një kryetar kooperative që vrau një viç se kishte hyrë në arën me misër të kooperativës.
***
Kryetari ngjiti një ditë shkallët e institucionit dhe te sheshqëndrimi i parë i tyre, i bie zilja e celularit. U ndal i revoltuar. Një nga mëkëmbësit e tij , po i tregonte se ne mediat e huaja po shkruhej për lopët e qytetit tonë.
Të thuash u bë tym, ishte pak. Aty për aty urdhëroi mëkëmbësin e tij për një mbledhje urgjente me trupën e policisë sonë.
Fermani ti tij ishte vërtet i prerë. Iu drejtua shefit tonë të policisë bashkiake:
“ Degjoni ketu ti, Rezmi Lëpushka! Degjoni këtu ju të policisë! Nesër, dua që asnjë këmbë lope të mos figuroje më në këtë qytet! Jemi qytet turistik dhe pikë! As fshat, as kooperativë bujqësore! More vesh? Mora! Asnjë diskutim ! M’i zhdukni nga faqja e qytetit! Çojini ku te doni. Në qoftë se urdhëri nuk zbatohet deri pasnesër në drekë, gjeni vend ku të futeni ju të parët që nga ti, zoti shef i punëve të kota-e ngriti zërin kryetari duke goditur tavolinën disa herë me ceularin e tij.
Situatë tensioni. Thua ishim para nje sulmi terrorist!… Disa shkruanin. Disa të tjerë vendosën mbi tavolinën e madhe ca nxorën harta ushtarakë të kohës së ish Bashkimit Sovjetik …Të gjithe shikonin nga ora ne mur! Se ora ecte pa ndalim dhe policia bashkiake duhet të zgjidhte misionin urgjent…
Më në fund, u vendos të realizohej aksioni I koduar “Stadiumi”. U shkëmbye parrulla, kundërrparrulla dhe ec para, bab! Lopët e kapura nëpër rrugë e trotuare u grumbulluan një nga një, i futëm natën në stadiumin e futbollit.Top secret.
– Kjo ishte faza e pare….”Kaq!”-na u dha urdhëri.
Në etapën e dytë të operacionit “Stadiumi”, ishin të mëdhenjtë që do të caktonin hapat e mëtejshme. Sezoni turistik veror sa kishte nisur.
E gjithe struktura u gëzua. Në fakt shumicës së policave u erdhi keq se u kujtoheshin lopët në fshatrat e origjinës. Ishte verë dhe lopët e burgosura në stadium pasi endeshin nëpër fushën e futbollit brenda dhe jashtë kuadrateve të vijëzuara me të bardhën e pluhuri të gëlqeres, për të ‘kruajtur ‘ ndonjë fije bari, u ngelën dhëmbët jashtë , kërkonin ujë, zahire dhe ”mmmu-uuu –mmuu-uuu!!!” Gjithë kohës. Gojë të gjalla.
Por kjo situatë nuk zgjati shumë. Nisën ankesat:
-“Na kanë marrë lopët!…”Duam lopët tona!” Duam lopët tona!… Na i morën çifligarët e bashkisë!
Te shefi ynë i policisë, Rezmi Lëpushka vërshuan lutjet sentimentale edhe nga kolegët tanë me origjinë nga fshati:
– Zoti shef, është gjynah, lopët në stadium kanë nisur të pëllasin..u thanë për një pikë ujë….ç’të bëjmë? T’i nxjerrim nga stadium?
Shef Lëpushka përsëriti fjalët e kryetarit:
– Po të është mërzitur buka e kalamajve , ik e nxirri!.. Jepua lirinë. Po ta mban!
Një grup me të zotët e lopëve gra edhe burra qe e kishin nuhatur aksionin e koduar “Stadiumi” po thërriste pasdite para bashkisë.
-“Duam lopët”
-”Po shkelni të drejtat e njeriut!…”
-Do t’i shkruajmë OSBE-së dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë.-kërcënonin.
Dhe kështu, operacioni “Stadiumi” dështoi me sukses të plotë.
Ish kryetari ynë i nderuar, nuk e zuri më në gojë historinë e lopëve. Por historia e turizmit elitar ama, vazhdonte.
Kryetari radhës Eduard Gjoksi kishte grumbulluar informacion të madh për lopët dhe të zotët e tyre, si te “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë.
I nxehur për imazhin e qytetit turistik me lopë, ai kishte ardhur nga një dreke pune me raki Përmeti dhe iu sul shefit tonë i cili besoj sa s’i i lagu pantallonat e uniformës kur Gjoksi e goditi me bidonin plastik të uji që mbante ne tavolinë.
Pas konferencës kombëtare për turizmin e integruar në rajonin e qytetit tonë nisën shkresat për pronarët e lopëve.
Republika e Shqipërisë
Bashkia e Mamalloit
Nr…501 Urdhër:
1. Lopët e grumbulluara në stadiumin e futbollit, të lëshohen dhe t’u dorëzohen pronarëve duke paguar secili gjobën. Lista e pronareve të lopëve të paraqitet për mbledhejn e radhës të këshillit bashkiak.
2. Asnje pronar nuk do ta marrë lopën pa paguar gjobën. Gjoba për pronarin e lopës që kapet në mjediset publike dyfishohet në rastin e dytë dhe, katërfishohet në rastin e tretë.
Kryetari i bashkisë:Eduard Gjoksi (d.v)
Të uruarat lopë që i bashkuan të gjithë kryetarët e bashkisë në një emërues për nga shqetësimi dhe strategjia e eliminimit nga qyteti turistik.
Por derisa një ditë u larguan nga qyteti ato e kishin fituar tashmë statusin “Lopë turistike!”. ///
—o0o—
.