Nëse ‘Albania’ u identifikua si fjala më e përdorur në të përditshmet e agjencitë italiane të informacionit përgjatë 2024, viti 2025 nis në Itali me të njëjtën kryefjalë: ‘Shqipëria’.
Parlamenti Italian hap dyert e punimeve për vitin 2025 me diskutimet mbi draft ligjin e hartuar nga qeveria mbi marrëveshjen e pensioneve mes Italisë e Shqipërisë.
Për gati një dekadë kjo marrëveshje ka mbetur një nga premtimet e pa mbajtura të fushatave elektorale të Partisë Socialiste që në çdo prag vote deklaronte gënjeshtrën se ‘marrëveshja u krye’.
Kështu ndodhi më 2013, më 2017, më 2021 e më zgjedhjet vendore të 2023.
Kronologjia e ngjarjeve konfirmon se kjo marrëveshje u nënshkrua vetëm më 6 shkurt 2024 në Romë e 3 muaj pas Paktit mbi Emigracionit mes Ramës e Melonit, firmosur më 6 nëntor 2023 po në Romë.
‘Njëra dorë lanë tjetrën e të dyja lajnë fytyrën’, thotë një shprehje e urtë shqiptare e me sa duket të dy kryeministrat me marrëveshjet mes tyre kanë shkëmbyer favoret për të ‘shpëtuar’ fytyrat e njëri tjetrit.
Meloni për shkak të presionit mediatik e një premtimi elektoral që po i kthehej në boomerang në pazgjidhjen e kolapsit të sistemit kombëtar të azilkërkuesve e Rama tashmë dukshëm nën komandën e çdo pushtet në Shqipëri dhe atij legjislativ që kishte programuar tashmë votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2025 .
E marrëveshja e pensioneve do të jetë ‘flamuri’ elektoral për votën e emigrantëve në Itali.
Prej 2013 kur Erion Veliaj ishte Ministër i Çështjeve Sociale, ‘dokrrat e hinit’ të qeverisjes socialiste përdornin premtimet gënjeshtra për votën e diasporës.
Qysh në këtë vit deklarohej se ‘marrëveshja e pensioneve’ po kryhej.
E vërteta është se sot në janar të 2025 kjo marrëveshje është ende në pritje të votës në dhomën e deputetëve që me shumë gjasa do të jetë pasditen e së mërkurës 8 janar 2025.
Më pas ky draft ligj do të kaloj në analizën e dhomave të komisioneve përkatëse të Senatit e me votën në Asamblenë Parlamentare.
E ky është një rrugëtim mëse normal i një draft ligji hartuar nga qeveria italiane, por që përkon në mënyrë perfekte me afatet kohore të hapjes së fushatës elektorale në Shqipëri që me shumë gjasa ka pasur një marrëveshje në mënyrë maniakale nga miqësia e Ramës me Melonin.
E sidoqoftë marrëveshja e pensioneve tashmë arritur pas 3 mandatash e premtime të pambajtuara të qeverisës së Ramës, nuk ka më si të ‘shitet’ si suksesi i tij.
Draft ligji që pritet të diskutohet e të votohet më 7 e 8 janar në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian mban numrin 1916 e përmban 31 nene.
Në të dhënat e mbledhura është dokumentuar se janë mbi 293 mijë emigrantë shqiptarë që në vitin 2020 marrë për referim në hartimin e këtij drafti ligji, kanë derdhur kontributet e tyre në Sigurimet Sociale Italiane.
Për të përfituar nga kjo marrëveshje qytetari shqiptar duhet të ketë moshën 67 vjecë e 20 vite pune totale mes Italisë e Shqipërisë.
Po sipas të dhënave të referuar në këtë draft konfirmohet se janë 421.561 emigrantë shqiptarë në Itali në të dhënat e vitit referencial 2020 e 2053 italianë që punojnë e jetojnë në Shqipëri.
Mbulesa financiare për këtë marrëveshje është: 9.8 milionë euro për vitin 2024, 10.9 milionë euro për 2025, 10,5 milionë euro për 2025, 10 milionë euro për 2027, 12 milionë euro për 2028, 13.9 milionë euro për 2029, 16.2 milionë euro për 20230, 18.2 milionë euro për 2031, 20.31 milionë euro për 2032.