Viti 2024 shënoi nga një sërë zhvillimesh sfiduese për gazetarët dhe gazetarinë në Shtetet e Bashkuara. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Cristina Caicedo Smit sjell disa prej ngjarjeve më të mëdha të vitit, nga arrestimet e gazetarëve në protesta, tek dënimi me burg i një zyrtari të zgjedhur për vrasjen e një gazetari apo marrëveshja historike për lirimin e gazetarëve amerikanë nga burgjet ruse.
Në fillim të këtij viti një oficer policie i Nju Jorkut shtyu protestuesit dhe gazetarët në një protestë kundër luftës në Gazë në universitetin Kolumbia. Skena kaotike ishte një prej shembujve të asaj që dëshmon se 2024 ishte një vit sfidues për lirinë e shtypit në Shtetet e Bashkuara, siç thonë ekspertët.
“Është vënë re një trefishim i numrit të gazetarëve të arrestuar krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa në 2023-shin u arrestuan 14 gazetarë, këtë vit, numri ishte më shumë se 40”, thotë Kirstin McCudden, përfaqësuese e ‘Gjurmuesit mbi Lirinë e Shtypit në SHBA.
Organiza jopartiake, që dokumenton incidentet që lidhen me gazetarët amerikanë, regjistroi në vitin 2024, 79 sulme ndaj gazetarëve dhe 30 raste të dëmtimit të pajisjeve te tyre. Sipas të dhënave shumica e incidenteve ndodhën gjatë mbulimit të protestave.
Po kështu për herë të parë në historinë e Shteteve te Bashkuara një zyrtar i zgjedhur u dënua për vrasjen e një gazetari.
Një gjykatë në Nevada dënoi me 28 vjet burg, ish-administratorin e qarkut, Robert Telles, për vrasjen e Jeff German në vitin 2022.
Jeff German që punonte për gazetën ‘Las Vegas Review’ kishte investiguar veprimet e paligjshme të zyrës së Robert Telles.
“Për gazetën tonë ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme lehtësimi“, tha Glenn Cook, redaktor i gazetës duke iu referuar dënimit të politikanit.
Më herët çështja gjyqësore kishte çuar në një seancë të Gjykatës së Lartë të Nevada për të parandaluar kontrollimin e pajisjeve të gazetarit. Në një vendim të vitit 2023 gjykata vendosi në favor të gazetës.
“Megjithëse ishte një vendim qe nuk mund te perdoret si precedent, ata i dhanë gazetarit nga Nevada një mbrotje të forte ligjore, që në Shtetet e Bashkuara është si një standardi i artë, një ligj shumë, shumë i forte, që garanton se mbrojtja ligjore vazhdon edhe pas vdekjes së një gazetari“, tha zoti Cook.
Por gjatë 2024-ës gazetarët amerikanë u vunë në shënjestër të qeverive armiqësore. Pasi qëndroi disa muaj në një burg në Rusi, Alsu Kurmasheva e cila punon për rrjetin simotër të Zërit të Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe Evan Gershkovich, një gazetar i ‘Wall Street Journal’, u ribashkuan me familjet e tyre, si pjesë e një marrëveshje historike për shkëmbimin e të burgosurve.
Pas lirimit gazetarja Kurmasheva foli mbi mjedisin e zymtë në Rusi.
“Për më shumë se një vit nuk kisha qasje tek lajmet e lira e të pavarura. Që nga vera e vitit 2023, ndjeva se ekziston një ndjenjë e madhe pasigurie në Rusi. Niveli i frikës është më i larti, ndoshta që nga koha e ish-Bashkimit Sovjetik”, tha ajo.
Me lirimin e gazetarëve, Kurmasheva dhe Gershkoviç, vëmendja është kthyer tek Austin Tice, një gazetar profesionist i pavarur, që mbahet në Siri prej më shumë se 12 vitesh.
Që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad-it këtë muaj, familja e gazetarit po i kërkon me ngulm qeverisë amerikane që të gjejë Austin Tice. Ai është aktualisht gazetari i vetëm amerikan që mbahet i burgosur jashtë vendit.