Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, aktualisht deputet i Partisë Socialiste Plarent Ndreca i cili është marrë i pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera akuzohet se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë kanë favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve.
Sipas SPAK, Ndreca dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues dhe lidhur kontratë me me bashkimin e Operatorëve ekonomikë, Derbi-E shpk,ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore.
Radovani sikurse rezulton në dosjen e SPAK rezulton të jetë mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka shkëmbyer dhe mesazhe. E duket se për shkak të njohjeve dhe lidhjeve me titullarin e institucionit, kompania e tij ka fituar dhe tendera pranë ministrisë së Brendshme.
Nga hetimet rezulton se mes Radovanit i cili ka qenë konsulent në Ministrinë e Brendshme për këtë tender dhe të pandehurit Plarent Ndreca janë shkëmbyer emaile, që përmbajnë të dhëna lidhur me ambientet e komisariateve Vlorë, Pogradec dhe Mirditë, të cilët do të rikonstruktoheshin.
Sipas SPAK të dhënat i janë përcjellë paraprakisht shtetasit Gjon Radovani, i cili është ortak i APE shpk që u shpall fitues si bashkim operatorësh me Derbi-E shpk, në procedurën e prokurimit.
Në dosje thuhet se mes Ndrecës dhe Radovanit por edhe zyrtarëve të tjerë të ministrisë janë zhvilluar takime dhe kanë diskutuar lidhur me gjendjen e objekteve policore.
“Nga ky komunikim provohet se i pandehuri Plarent Ndreca ka patur dijeni paraprakisht lidhur me angazhimin dhe pjesëmarrjen e shtetasit Gjon Radovanit në hartimin e projekteve tip për objekte të policisë së shtetit për të cilat do të zhvillohej më pas dhe procedura e prokurimit”, thekson SPAK.
Për të pandehurin Plarent Ndreca me detyrë në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm dhe Titullari i Autoritetit Kontraktor në procedurën e prokurimit, objekt hetimi evidentohet qartësisht sjellja e tij e kundërligjshme duke dokumentuar një sërë shkelje ligjore gjatë fazave të ndryshme të procedurës së prokurimin publik objekt hetimi.
SPAK thekson se ai në bashkëpunim me punonjësit e tjerë, si specialistët e prokurimeve, anëtarët e KVO, anëtar KSHA, drejtoreshën e kabinetit të Ministrit dhe drejtoreshën e Shërbimeve Mbështetëse në Ministri kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte BOE Derbi-E dhe APE shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.
Për çudi pavarësisht se ish-zv.ministri Gjon Radovani rezulton se ka fituar tendera nga institucioni që drejtonte një prej miqve të tij, as ai dhe as Sandër Lleshaj nuk janë vënë nën akuzë nga SPAK. bw