Nga Knuth Lampe, BILD
Në një ceremoni simbolike në prag të Krishtlindjes, Papa Françesku hapi derën e shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, e cila ishte e mbyllur prej disa vitesh.
Viti i Shenjtë i Kishës Katolike ka nisur zyrtarisht.
I ulur në një karrocë, Françesku (88 vjeç) trokiti disa herë në derën e rëndë prej bronzi, kurse ndihmësit e hapën atë nga brenda.
Françesku, i cili lëviz me një karrige me rrota për shkak të një problemi të rëndë në gju, u ul në pragun e derës dhe qëndroi në lutje të heshtur për një moment.
“Vëllezër dhe motra, në Krishtlindje ne përgatitemi për të hyrë në Derën e Shenjtë me besim. Hapat e rrugëtimit tonë janë hapat e të gjithë Kishës, e pelegrinëve në botë dhe dëshmitarëve të paqes”, tha Françesku.
Duke kaluar pragun, besimtarët do hyjnë në “kohën e mëshirës dhe faljes”.
Më pas, Papa kremtoi meshën tradicionale të Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Në predikimin e tij, Françesku i nxiti besimtarët të sillnin shpresën si “pelegrinët e dritës në errësirën e botës”. “Kjo është nata kur dera e shpresës i është hapur botës, kjo është nata kur Zoti i thotë secilit: Ka shpresë edhe për ju!”
Kisha Katolike zakonisht feston të ashtuquajturin Viti i Shenjtë, i njohur gjithashtu si Viti Jubilar, çdo 25 vjet.
Sipas kuptimit katolik, besimtarët mund të marrin faljen e mëkateve të tyre përmes lutjes dhe pendesës gjatë një viti jubilar.
Këtu përfshihet edhe pelegrinazhi në Romë dhe kalimi nëpër portat e shenjta.
Viti i Shenjtë 2025 përfundon zyrtarisht më 6 janar 2026.
Motoja është “Peregrinantes in Spem – Pelegrinët e Shpresës”. Sipas Françeskut, kjo moto synon të inkurajojë besimtarët në mbarë botën që të “sjellin shpresën atje ku ka humbur”. sn