Shate Palinci me gomarin e saj në fshatin Borje të Shqipërisë. Banorët e këtij fshati nuk mund të llogarisin në shërbimet që ofron shteti, për shkak të pozicionit ku gjendet, dhe banorët udhëtojnë në qytezat e Kosovës për t’u furnizuar me ushqim dhe për nevoja tjera shëndetësore.
Fotografi e Arben Hotit
Radio Evropa e Lirë
Në tentimin tonë të parë për të mbërritur në Borje, fshat në verilindje të Shqipërisë, afër kufirit me Kosovën, jemi kthyer mbrapsht nga rojet kufitare. Një ditë më vonë jemi kthyer me leje udhëtimi dhe na është mundësuar kalimi.
Përmes rrëfimit të një familjeje në Borje, ne kemi treguar sfidat me të cilat përballen rreth 900 banorët e fshatit – kryesisht të moshuar – për shkak se nuk kanë qasje në shërbimet thelbësore të Shqipërisë, në mungesë të rrugëve adekuate. Ata mund të furnizohen me ushqime dhe të marrin shërbime shëndetësore vetëm në Dragash të Kosovës.
E kemi vëzhguar banoren lokale, Shate Palinci, e cila me djalin e saj 12-vjeçar është nisur në agim për të kryer kontrolle shëndetësore në Kosovë, dhe më pas është kthyer në shtëpi për të përgatitur darkën për familjen. Ajo i ka kryer e vetme pothuajse të gjitha punët e shtëpisë.
Në këtë fotografi, Palinci shihet mbi gomarë, diku në Borje. Për mua kjo fotografi shpërfaq vështirësitë dhe forcën e atyre që jetojnë në izolim të tillë.
Fotografi e Serhiy Nuzhnenkos
E kemi kaluar ditën në pozicionet e Brigadës së 25-të, dhe pastaj jemi nisur në muzg me trupat ushtarake që janë nisur për në front të luftës. Shumë ushtarë i kanë mbajtur sytë në qiell, të gatshëm për të goditur dronë rusë FPV.
Dronët e kanë ndryshuar gradualisht mënyrën se si luftohet. Në të kaluarën, pozicionet e fushëbetejës kanë qenë të qasshme relativisht lehtë – tani janë jashtëzakonisht të rrezikshme.
Dronët e zbulimit mund t’i gjurmojnë lëvizjet prej 10-15 kilometrave largësi prej vijës së frontit, dhe sapo t’iu afroheni mund të përballeni me forcën e tyre të pamëshirshme.
Tre prej nesh jemi ngushtuar aq sa kemi mundur mbrapa makinës, dhe kemi tentuar të zvogëlohemi në maksimum, për të mos u ngatërruar me ushtarët. Jam përpjekur që të mos mendoj për pozicionet ruse, që kanë qenë vetëm një kilometër larg, apo nëse kemi qenë shënjestër e dronëve të tyre.
Puna ime ka qenë të bëj fotografi, mirëpo në dritë të turbullt, në pluhur, dhe rruga me gunga, e ka bërë fokusin pothuajse të pamundshëm.
Fotografi e Mzia Saganelidzes
Pasi kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, ka bërë të ditur se do të pezullojë bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian deri më 2028, rrugët para Parlamentit janë mbushur shpejt me protestues.
Në natën e parë të këtyre protestave, më 28 nëntor, Qeveria i ka shpërndarë dhunshëm protestuesit, por këto veprime vetëm i kanë zemëruar edhe më tepër qytetarët. Ditën tjetër, turmat kanë qenë edhe më të mëdha.
Edhe pse dhuna dhe sjellja e keqe policore ka vazhduar me ditë, kjo natë ka mbetur në kujtesë për faktin se zyrtarët policorë kanë përdorur zmadhues zëri për të ofenduar dhe frikësuar protestuesit. Ata kanë ofenduar nënat e protestuesve me fjalë që nuk mund të publikohen, dhe janë zotuar se do t’iu shkojnë njerëzve nëpër shtëpi.
Kjo ka qenë gjëja më e paimagjinueshme për mua, që ekziston një grup njerëzish në këtë shtet që nuk ndëshkohet në asnjë skenar.
E kam bërë këtë fotografi në hyrje të Parlamentit, ku kanë qenë të stacionuara forcat speciale. Turma ka kërkuar përgjigje për ofendimet dhe dhunën e përdorur nga zyrtarët policorë.
Fotografi e Viyaleta Sauchyts
Atë mbrëmje, Kisha e Reformuar Evangjelike e Vilniusit ka qenë e mbushur me bjellorusë që kanë ikur prej shtetit, dhe që kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit lituanez më herët gjatë ditës.
Kjo fotografi është shkrepur teksa kori ka qenë duke performuar himnin e famshëm bjellorus Mahutny Boza (Zoti i Plotfuqishëm). Kënga është bërë simbol i protestave kundër Qeverisë së Bjellorusisë, më 2020.
Përgjatë performancës, kam parë njerëz duke qarë. Një grua më është afruar edhe më ka thënë. “Po më rrëqethet trupi. Kjo muzikë më kthen mbrapa traumën, por dhe shpresën”.
Para azilit të sforcuar, Kori i Lirë ka kënduar në mbështetje të protestuesve, të cilat kanë kundërshtuar shtypjen e dhunshme të disidentëve në Bjellorusi, pas zgjedhjeve presidenciale të kontestuara të vitit 2020. Shumë pjesëtarë të korit janë ndaluar plot herë. Sot, ata performojnë nëpër kryeqytete evropiane, me qëllim të rritjes së vetëdijes për vështirësitë që përjetojnë bjellorusët nën regjimin e Lukashenkas.
Fotografi e shkrepur nga Amos Chapple
Lipovanët e Rumanisë janë pasardhës të rusëve etnikë që kanë ikur nga skajet e ish-Perandorisë Ruse për t’iu ikur persekutimeve fetare në shekullin e 17-të. Përgjatë fundjavës së Pashkëve, kishat në fshatrat e lipovanëve të Rumanisë, i kanë hapur dyert për të gjithë ata që kanë dashur t’i vizitojnë.
Zilet e kambanave sa i shtonin atmosferën rrugës sonë, ndërsa lipovanët, të veshur me veshje tradicionale, dëgjoheshin duke i thënë njëri-tjetrit me gëzim se “Krishti është ringjallur”, dhe të tjerë që përgjigjeshin, “Natyrisht, është ringjallur”. Megjithatë, zhurma brenda kambanave ishte tepër e madhe.
Kur jam ngjitur në njërën kambanore, jam përballur me këtë skenë, sesi burrat dhe djemtë lëviznin kambanën për të krijuar meloditë.
Zhurma ka qenë shurdhuese, mirëpo poshtë nesh kanë qenë plot burra duke dëgjuar melodinë. Pak pasi jam larguar prej kishës, e kam humbur dëgjimin në veshin e majtë.
Dëgjimi më është kthyer pas disa javësh, por edhe sot, sa herë futem nën ujë, ai vesh më bllokohet dhe më humb dëgjimi për një kohë.
Fotografi e Veselin Borishevit
Data e 7 nëntorit njihet si përvjetori i një beteje të rëndësishme të shekullit të 19-të në luftën serbo-bullgare, dhe nacionalistët e konsideronin fyese që në atë datë të luhej shfaqja, Armët dhe Njeriu, e cila bazohet në atë konflikt. Disa besojnë se shfaqja tallet me ushtarët bullgarë.
Shumë priftërinj nga Kisha Ortodokse Bullgare patën nisur të protestonin para teatrit, duke u lutur për shpirtat e ushtarëve të rënë, dhe ka pasur edhe fëmijë me veshje tradicionale. Nuk ka pasur kordon policor, dhe zyrtarët vetëm kanë qenë afër duke tymosur cigare grupe-grupe.
Turma ka nisur të rritet e të bëhet më e zhurmshme, dhe vetëm atëherë protestuesi më i vjetër, Yolo Denev, nacionalist 84-vjeçar, dhe kandidat politik që është prezent në secilën protestë në qytet, ka nisur të bërtasë i pari kundër shfaqjes.
E gjithë turma ka nisur të bërtasë më vonë: “Turp! Mallkovich, shko në shtëpi!”
Policia ka nisur t’i ndalë ata, por ka qenë vonë. Drejtori i teatrit ka dalë jashtë ndërtesës dhe ka tentuar të flasë me protestuesit, mirëpo është sulmuar fizikisht. Ai është rrahur dhe i është shqyer këmisha dhe kravata. Koka e tij shihet në fund të fotos. Policët kanë arritur ta fusin disi në ambiente të teatrit. Audienca është larguar nga teatri dhe shfaqja atë natë është luajtur vetëm për një grup gazetarësh.
Fotografi e Petr Trotsenkos
Në qytetin e bukur të Hujdandit kam arritur në një ditë të nxehtë vere, në kuadër të një projekti fotografik në Lumin Sir Darja. Në ditën e arritjes, kolegu im taxhik, Farzon Masharipov, më ka çuar në atraksionin kryesor të qytetit, në tregun Panjshanbe.
Këto tregje në Azinë Qendrore janë një lumturi për fotografët. Ofrojnë pamje të ndritshme, janë të zhurmshme, interesante, dhe njerëzit nuk e kanë problem të fotografohen, ndonëse është gjithmonë mirë që të jeni nën shoqërinë e dikujt, që njerëzit ta dinë se jeni fotograf dhe jo spiun.
E kam përdorur një kamerë kompakte që pothuajse nuk i ka rënë në sy askujt. Kam bërë shumë fotografi atë ditë, mirëpo siç ndodh zakonisht, më e rëndësishmja është bërë aksidentalisht.
Kam rastisur në dyqanin e një kasapi dhe menjëherë më ka marrë vëmendjen. Mënyra se si drita i ka rënë mishit, e ka bërë atë edhe më joshës për konsumatorët. Para dyqanit ka qenë një grua dhe kam pritur derisa është larguar për t’ia bërë një fotografi shitësit. Kam pasur pak sekonda për të drejtuar aparatin dhe sapo është larguar gruaja, kam nisur të bëjë foto. Kasapi më ka vërejtur dhe menjëherë është fshehur. Kaq kohë kam pasur për ta bërë foton.
Fotografi e Maryan Kushnirit
Ky njësit ka qenë në një fushë, vetëm qindra metra larg pozicioneve ruse, teksa ushtria ruse ka tentuar t’i thyejë linjat ukrainase të frontit. Streha përbëhej prej një zgavre ranore, ndoshta një metër të thellë. Trungjet e pemëve e krijonin tavanin.
Kanë qenë gjashtë ushtarë brenda asaj që i referoheshin si “vrima e lepurit”, në të cilën nuk ka hapësirë për të bërë gjumin rehat. Disa luftëtarë kanë qenë duke punuar për ta bërë strehën më të banueshme, të tjerë kanë tentuar të pushojnë për pak kohë. Çdo 15 minuta, ushtria ruse i ka goditur pozicionet me artileri të rëndë. Në disa raste mund të shihej lehtësisht stresi në fytyrat e ushtarëve. Temperatura ka qenë e acartë atë natë, dhe një qiri ka qenë burimi i vetëm i dritës dhe nxehtësisë në strehë. Gjithçka tjetër do të rrezikonte ekspozimin e pozicionit.
Përgjatë ditës, ka qenë pothuajse e pamundshme të endesha nëpër zonë, pasi bombardimet nuk ndaleshin. Ushtarët e quanin zonën ‘Pylli i Verdusë’, si referencë për betejën e Luftës së Parë Botërore në Francë. Pothuajse një vit më vonë, ushtria ruse ka arritur t’i shtyjë linjat ukrainase të frontit në rajonin e Harkivit dhe e ka zaptuar këtë pozicion.