Në dy ditë të njëpasnjëshme kur Rama, kryeministër dhe kreu i elitës së Rilindjes Socialiste, pedalon fort në të përpjetën e mbylljes së vitit 2024 duke i marrë një e nga një trofetë e monopolizuara prej vitesh kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ky i fundit po humb edhe peshën e influencës në propagandën e partisë shtet.
Çfarë i ka ndodhur të parit të kryeqytetit që është shtyrë në orbitën e Tiranës me shfaqjen më të fundit më 22 Dhjetor, 2024?
Gjeli i Detit/ Qurani i Baldushkut po promovohet për vitin e ri ndryshe nga bonusi i kryeministrit për pensionistët nga Erion Veliaj si “krenaria Tiranase”ose:- “Është një mundësi e jashtëzakonshme, për të mos e lënë këtë tokë. Kjo tokë mund të prodhojë ekonomi, mund të prodhojë mirëqenie. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, të gjithë lokalet e Tiranës, të gjithë hotelet e Tiranës, bujtinat, të blejnë vetëm gjelat e Baldushkut”.
I parë ftohtë, ky lajm në kryeqytet se çfarë po ndodh me protestat antikorrupsion sikurse dhe me trokitjen e drejtësisë në rrethin e ngushtë familjar të Erion Velisë në festat e fundvitit, propaganda dhe mjegulla mbi të vërtetën bashkohen në një.
A do t’ua shtrojë Rama Veliajn në tryezë shqiptarëve dhe njerëzit të ndjehen të ngopur nga me drejtësinë pa filluar viti i ri drejtë zgjedhjeve apo është ende herët?
Kurbani nga Hamburgu (me tigrin) dhe Baldushku me (gjel detin/quranin) janë sërish dy metafora që i ndërton një marrëdhënie e luftës për pushtet brenda elitës të rilindësve socialistë.
Vetëm dje më 23 Dhjetor, bashkëshortja e Erion Veliajt qëndroi/u mor në pyetje në SPAK prej rreth 3 orësh.
Heshtje nga Veliaj, heshtje nga skuadra e tij e kryeqytetit dhe po ashtu heshtje nga mediat që ai i influencon me justifikimin deri në zbardhjen e fakteve të vërteta.
Për drejtësinë duhet luftuar dhe sakrifikuar, por kjo nuk ndodh mes moralit të të korruptuarve.
Standardi është eliminimi.
Por a është bashkëshortja Ajola Xoxe temë e lajmit në propagandën zyrtare të partisë-shtet në ATSH?
Postimi më i fundit për të dhe çiftin Veliaj ka qenë muaji Maj 2024 me çeljen e një ekspozite me veprat e Salvador Dalisë. Pjesa tjetër është heshtje dhe veprimtari në hije deri sa SPAK nisi një proces hetimor për pasurinë familjare të të parit të Tiranës.
Kur rrethi mbyllet kaq shumë dhe Veliaj nuk reagon dhe mbron të drejtën, përse drejtësia mbetet orbitale rreth Veliajt?
Pyetja nuk shtrohet për ndëshkimin dhe “kënaqësinë me kurbanin”, por me keq menaxhimin e qytetit me rreth 1 milion banorë, vepra dhe buxhet që i janë besuar Erion Veliajt t’i administrojë në 8 vitet e fundit.
Ashtu si mediat pranë qeverisë, pranë ideologjisë së Rilindjes Socialiste dhe më pranë kryetarit të bashkisë Tiranë nuk lanë lajme pa pasqyruar për çdo fidan të pyllit orbital të kryeqytetit, për çdo shkollë të ri konstruktuar, për çdo koncert e maratona që pushtojnë Sheshin Skënderbej gjatë gjithë vitit etj. në këtë rast përpjekje me drejtësinë heshtin. Heshtin ose fshihen pasi e njohin mirë orbitën mbrojtëse dhe luftën për pushtet brenda elitës së Rilindjes Socialiste që prej shumë vitesh me kujdes kanë rrëmbyer drejtimin e Partisë Socialiste.
Në kujtesë për lexuesin nga një shënim të muajit Maj prej UGSHPD-s me titull “RAMA SIMBOLIKISHT IA MERR BIÇIKLETËN KRYETARIT TË BASHKISË VELIAJ”*, shënimi theksonte pikërisht forcën e drejtësisë për të ndalur fluksin e parasë që investohet për propagandë brenda dhe jashtë atdheut për të siguruar zgjedhjet e 2025.
Rilindja Socialiste e kishte përgatitur strategjinë për fushatën ndërsa opozita i kishte marrë dhe do të merrte goditjet e tjera.
Duket se Rama po mbron orbitën e vet dhe po e përzë përfundimisht Veliajn pa mëshirën e festave.
Një shprehje e kryebashkiakut nga salla e operacionit fill pas Pashkëve që u duk si kohë e fituar për të mos u paraqitur në SPAK dhe jo si “ringjallje” mes korrupsionit, ishte “humba 2 gurë bashkë me tëmthin…” dhe menjëherë pas daljes nga SPAK pas disa javësh nisi të shpërfaqë të gjitha projektet për Tiranën si kryeqyteti i dialogut dhe kulturës Mesdhetare, i muzikës, i rinisë, i sportit, i ekselencës së studentëve, i ndihmave për të moshuarit dhe atyre në nevojë etj…etj. deri tek fidanët e pyllit orbital.
Por tani në etapën e fundit duke ditur se ku kanë shkuar paratë dhe sa afër finishit të zgjedhjeve Rilindja Socialiste është, Rama i merr Veliajt edhe “Giro D’Italia 2025”, edhe “Medaljet e Arta” të nxënësve ekselentë, ashtu sikurse do t’i marrë atij me vështirësi edhe Tiranën.
Interesante ishte dhe simbolika e një starti të ri nga Rama kur shprehet se:-“Gara e famshme popullore, me një traditë 114-vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra-milionë teleshikues”. Këtu flasim pas zgjedhjeve 2025, kohë kur propaganda e Ramës në prag të zgjedhjeve për veprimtarinë do të jetë në kulm. Në fakt në sy të shqiptarëve Giro d’Italia mund të fillojë në një nga qytetet e sipërpërmendur, pa harruar se do të kalojë edhe nga Shëngjini për të mbaruar në Gjadër në dy qytezat e reja Italiane dhe një njëkohësisht të BE-së.
Morali në mes të korruptuarve nuk lidhet me drejtësinë, por me ruajtjen e imazhit. Veliaj dhe shumë të tjerë kanë “punuar” për pushtetin e tyre për të mbajtur me lavde një autoktrat si Edvin Rama, ndërsa ky i fundit nuk e ka problem që brenda elitës që atë e mbajnë t’i zëvendësojë kurbanet me shërbëtorë të tjerë të gatshëm. Pushtetin e korruptuar e ka si një armë mbi orbitën e vet elitë, administratë dhe patronazhistë, pasi zgjedhësit socialistë janë larg dhe opozita e popullit dhe ajo politike janë përballë.
____________________________
* Qurani- Gjeli i Detit, mish shpendi për festën e fundvitit.
24 Dhjetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)