Më 16 dhjetor të këtij viti pas keqësimit të papritur të gjendjes shëndetësore në Spitalin Universitar të Gjenevës, ka ndërruar jetë aktori ynë i njohur Adem Muji. Ademi ka lindur më 25 prill të vitit 1958 në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit. Sikurse shumë moshatarë të tij, ashtu edhe ai u ballafaqua me vështirësi të shumta ekonomike.
Mirëpo, dëshira e madhe për shkollim bëri që Ademi të mos bije preh e zakoneve dhe paragjykimeve të mbrapshta të asaj kohe të pakohë. Talentin e tij në fushën e aktrimit e shfaqi qysh si nxënës i shkollës 8-vjeçare “Zenel Hajdini“ të Bresalcit.
Ky fshat me artdashës të shumtë qysh në vitet e 80-ta, e kishte Shtëpinë e Kulturës, dhe Shoqërinë Kulturore dhe Artistike me emrin“ Afërdita”
Ademi aktrimin e vazhdon me të njëjtin elan edhe si nxënës i gjimnazit ‘’Zenel Hajdini ‘’ tani ‘’Xhavit Ahmeti ‘’të Gjilanit.
Ai, pas kryerjes së Shkollës së Mesme më 1977, regjistrohet në Shkollën e Lartë të Arteve të bukura në Prishtinë, të cilën e përfundon me sukses.
Muji së bashku me kolegët e tij, Ramadan Kurti, Shemsi Syla, Ejup,Uruqi dhe Bujar Haziri,etj, para një numri të madh shikuesish gjatë viteve 90-të, shfaqën dramën ”Logu i gjarpërinjve” . Në këtë dramë Ademi e pati luajtur rolin kryesor. Ai me lojën e tij të bukur i pati rrëmbyer zemrat e shikuesve.
Muji ka luajtur edhe në shumë drama të tjera të organizuara nga teatri i Gjilanit, i cili pas atij të Prishtinës, ka mbledhur artistët më të mirë të Kosovës, dhe e ka pasur statusin e teatrit profesionist.
Ademi tek artdashësit shqiptarë do të mbetet i paharruar me njërin nga rolet kryesore në serialin filmik me diku 26 episode ‘’Qyteti pa lumë‘’ të regjisorit Ilir Kabashi.
Rrugën e realizimit edhe të shumë projekteve të tjera atij, ia ndërpreu migrimi i detyruar. Ademi së bashku me familjen e tij, u vendos në verën e vitit 1994,në Gjenevë të Zvicrës.
Në tubimin e sotëm mortor të organizuar n딓Chapelle Johon Camoletti”nga të pesë fëmijët e Ademit mbi jetën dhe veprën e tij, në Kosovë e posaçërisht në mërgim foli zonja,Mirishahe Limani- Hiler, poete dhe mike e ngushtë e të ndjerit.
Ajo duke njohur natyrën e tubimeve të tilla ku dominon dhembja e pikëllimi nga jeta e aktorit, Adem Muji, ka shkëputur vetëm të dhënat më elementare. Zonja, Limani- Hiler ka thënë:‘’ Ademi jetën pa artin e kishte të pamundur’’ Ai edhe pas migrimit të detyruar për asnjë moment nuk hoqi dorë nga aktrimi.
Në vitet e para të migrimit Ademi ,sikurse shumë bashkëkombës të tij, punoi çdo punë që iu ofrua.
Mirëpo, atë pak kohë të lirë që e kishte në dispozicion e kalonte në shoqatën kulturore dhe artistike ‘’Ikballe Prishtina‘’të Gjenevës. Ai së bashku me shumë bashkatdhetarë të trojeve tona bënte përpjekje për ruajtjen e kulturës dhe traditave tona.
E, nga 14 maji i vitit 1996, komunitetin shqiptar me strehë dukshëm më të përshtatshme e bëri z. Ueli Leuenberger, mik i madh i çështjes shqiptare.
Ai në zemër të Gjenevës ,hapi Universitetin Popullor Shqiptar, në të cilin mërgata jonë u organizua për mrekulli , duke u shndërrua në promotore të vërtetë të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës sonë.
Ademi në këtë çerdhe ku tuboheshin të gjithë mërgimtarët shqiptarë gjatë viteve 90- të, me rastin e promovimit të ndonjë libri apo romani me zërin e tij, të ëmbël së bashku me zonjushën, Arta Kryeziu, lexonin vargje dhe fragmente nga autorë të ndryshëm.
Fytyra e tij serioze me atë buzëqeshjen e rrallë por, tërheqëse na shfaqet përherë, sidomos në Festat e 2 Korrikut, të cilat organizoheshin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nëndega në Gjenevë, në nderim të Kushtetutës së Kaçanikut, dhe vënies së themeleve të shtetësisë së Kosovës.
Ademi në cilësinë e moderatorit të programit festiv dhe solistja e njohur Fatime Jashanica –Mustafa, me këngëtarë e këngëtare nga mbarë Zvicra, krijonin atmosferë të jashtëzakonshme.
Njëra prej fushave afër stadiumit FC.Meyrin të Gjenevës, mbushej përplot me mërgimtarë dhe miq të tyre zviceranë. Këto momente mbresëlënëse që s’do të harrohen asnjëherë i pati xhiruar z. Lufti Kelmendi,pronar i portalit ‘’Kosova info ‘’në Gjenevë të Zvicrës.
Ademi pas përvetësimit të gjuhës frënge u kualifikua në “ Haute ecole de travail social de Geneve”
Pastaj, ai krijoji marrëdhënie pune në cilësinë e asistentit social, në një nga qendrat e Azilit të kantonit të Gjenevës. Këtë detyrë e kreu me mjaft sukses, por i lënduar shpirtërisht sepse çdo ditë takonte grupe të shumta shqiptarësh që i braktisnin shtëpitë e tyre nga dhuna dhe terrori serbë e maqedonas.
Ademi pas çlirimit të Kosovës kishte planifikuar kthimin definitiv në Atdhe, ku me kolegë dhe miq mendonte realizimin e shumë projekteve filmike të lëna përgjysmë.
Kjo dëshirë e tij, nuk u realizua ngase nuk mundi t’i linte vetëm fëmijët që ishin në vlugun e
studimeve, e po ashtu edhe shëndetin nuk e kishte aq të mirë.
Fëmijët e Ademit si fëmijë të mbarë dhe të edukuar mirë, kanë kryer studime të larta në Universitetin shtetëror të Gjenevës . Afërdita është mjeke e specializuar e sëmundjeve të brendshme dhe punon në Kantonin Vaud të Zvicrës. Kurse, Iliri ka bërë Master në të Drejtën Penale dhe punon në Cyrih. Edhe tre fëmijët e tjerë më të vegjël të Ademit, janë mjaft të suksesshëm në studime.
Në fjalën e saj përmbyllëse zonja Limani-Hiler, duke e ditur përkushtimin e aktorit Muji ,ndaj trojeve tona, lexoi poezinë ‘’Atdheu ‘’të At ‘Gjergj-Fishtës, të cilin Ademi e kishte idol.
Kujtime nga jeta me babin e tyre Ademin, me shpirtin e lënduar nga dhembja kanë rrëfyer edhe dy fëmijët e tij të mëdhenj Iliri dhe Afërdita. Këto kujtime kanë qenë të shoqëruara edhe me pamje të shumta në ekran, nga mosha rinore e aktorit Muji, dhe ndejat dhe udhëtimet me fëmijët e tij.
Në këtë ndarje të hershme dhe të papritur s’kanë munguar as fjalët mjaft emocionuese të Nolit,Andit dhe Adeas, kushtuar gjyshit të tyre Adem Muji.
Me të përfunduar ceremonia e varrimit të aktorit Adem Muji, fëmijët e tij, për të gjithë pjesëmarrësit në “Cafe Brasserie de St.Georges” kanë ofruar meze dhe pije.
Ky njeri i mirë dhe i urtë që çdo bisedë e niste me Kosovën dhe hallet e saj, e pastë shpërblim nga Zoti parajsën!
ARIF EJUPI