Burimi : The New York Times, e hënë, 10 qershor 1929, faqe n°5
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Dhjetor 2024
“The New York Times” ka botuar, të hënën e 10 qershorit 1929, në faqen n°5, një shkrim asokohe rreth figurës së Mbretit Zog I, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Mbreti Zog punon 18 orë në ditë
Sovrani shqiptar bën pushime 10-minutëshe çdo 2 orë nga ora 6 e mëngjesit deri në mesnatë
Ai luan me shqiponjat
Monarku i ri shpjegon se zogjtë e mëdhenj janë simbole të lirisë, ashtu si në Amerikë
Tiranë, Shqipëri, 9 qershor (AP). — Mbreti Zog I, sovrani i vetëshpallur i Shqipërisë, edhe pse në fron më pak se një vit, ka fituar titullin monarku më punëtor në botë.
[Javën e kaluar Mbreti Zog nxori një dekret që të gjitha familjet myslimane në Shqipëri të heqin dorë nga përdorimi i qyteteve në lidhje me emrat e tyre dhe të adoptojnë sistemin evropian të emrave të familjes. Në përputhje me dekretin, ai hoqi shkronjën “u” nga emri i tij.]
Tetëmbëdhjetë orë punë të angazhuara në ditë, me vetëm dhjetë minuta ushtrim çdo dy orë i izoluar në pallatin e tij me gëlqere të bardhë, përbën, sipas tij, një ditë të zakonshme pune.
Mbreti ngrihet me shqiponjat e malit në orën 6 të mëngjesit. Ai pi një filxhan kafe turke, thith një cigare dhe zhytet menjëherë në punë. Me përjashtim të një vizite disa minutëshe te mamaja e tij, me të cilën është shumë i lidhur, ai nuk del kurrë nga zyra e tij deri në mesnatë. Devijimi i tij i vetëm është loja e herëpashershme me qentë e tij të preferuar në parkun e mbikqyrur të pallatit.
Në mbrëmje, puna e gjatë sovranit ndërpritet vetëm kur mbreti dëgjon meloditë e tij të preferuara amerikane në gramafonin e tij amerikan, të cilin ministri Hart ia dhuroi atij.
Miqtë e monarkut shqiptar thonë se atij i mungon aftësia për të deleguar detyra të tjerëve, madje edhe ministrave të tij. Prandaj, ai këmbëngul që të bëjë gjithçka personalisht dhe të drejtojë vendin praktikisht me dorën e vetme.
Megjithëse qeveris Shqipërinë i vetëm, ai nuk ka pamjen e një diktatori.
Tiparet e tij të buta, hunda e tij akuiliane, goja e tij delikate, flokët e tij biondë, mustaqet e tij të vogla gështenjë, dinjiteti i tij i mrekullueshëm dhe pamja e tij e rezervuar aristokratike sugjerojnë më tepër një fisnik francez ose austriak që nuk i është dashur kurrë të djegë dorën ose vetullat në punën e përditshme.
Megjithatë, sovrani më i ri i Evropës nuk është mbret diletant apo sallonesh. Ai drejton një million nënshtetasit e tij me një dorë të fortë dhe të papërkulur, por të drejtë dhe i jep mbretërisë një shembull të shkëlqyer me mundin e tij të pandërprerë.
Ndonëse Mbreti Zog u shndërrua pothuajse brenda natës nga mbështetësit e tij nga një kryetar i zakonshëm fisnor i rrethit të tij të lindjes në pushtetin dhe lavdinë e një monarku, ata që kanë privilegjin ta takojnë atë, mahniten nga sjelljet e tij mbretërore, hijeshia e tij e kudondodhur, hiri dhe përzemërsia e tij.
Kur korrespondenti i The Associated Press vizitoi sot pallatin, ai gjeti Mbretin duke përkëdhelur dhe duke luajtur me një grup shqiponjash të mëdha malore, të cilat i zbuti vetë.
“Meqenëse Shqipëria është një vend me shkëmbinj dhe maja të larta, — tha Mbreti duke buzëqeshur dhe në një gjermanishte të shkëlqyer, — ne këtu kemi pothuajse po aq shqiponja sa ju keni harabela në Amerikë. Ashtu si shqiponjat në mbarë botën”, vazhdoi ai, “shqiponja shqiptare është krenare, sfiduese, e guximshme dhe e pavarur. Prandaj, ne e bëmë atë simbol të lirisë sonë kombëtare, ashtu si Shtetet e Bashkuara. Njerëzit e mi m’i sjellin ato në një numër të madh si dhurata që tani kam mjaftueshëm për t’i eksportuar disa në Amerikë.”
Duke qeshur, mbreti shtoi :
“Por e di që populli amerikan tashmë ka mjaft shqiponja dhe liri të mjaftueshme.”