Burimi : Daily Express, e premte, 7 shtator 1928, faqe n°9
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Dhjetor 2024
“Daily Express” ka botuar, të premten e 7 shtatorit 1928, në faqen n°9, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretin Zog I në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Deklarata e drejpërdrejtë e Mbretit të Shqipërisë
Burimi : Daily Express, e premte, 7 shtator 1928, faqe n°9
Planet për të ardhmen e vendit të tij
Nga G. E. R. Gedye,
Korrespondenti special i “Daily Express”.
Tiranë, e enjte, 6 shtator.
Sapo jam kthyer nga një audiencë e gjatë që më dhuroi Mbreti Zog I i Shqipërisë. Ishte e vetmja intervistë që i është dhënë një përfaqësuesi të një gazete evropiane nga monarku më i fundit (i ri) i Evropës.
Ishte një përvojë e çuditshme të ecja nga hoteli im i vogël, i veshur në stilin Perëndimor – kapele dhe xhaketë – nëpër rrugët e këtij fshati të vogël turk, i cili ka luftuar trimërisht për dy vjet për t’u bërë një qytet mjaft i denjë për t’u bërë kryeqyteti i Shqipërisë.
Kalova nëpër dyqanet ku poçarët me çallmë ishin ulur këmbëkryq, duke i dhënë formë argjilës si në kohën e Omar Khayyam-it dhe kalova sheshin ku javën e kaluar trupat e katër burrave të dënuar për komplot për të vrarë mbretin Zog u varën gjatë gjithë ditës në një trekëmbësh si një paralajmërim për të gjithë përreth, deri në pallatin ku ishin vendosur burra që i përkisnin truprojës së famshme të mbretit të ri.
Roje piktoreske
Vetë pallati është një ndërtesë piktoreske, e ulët, një lloj shtëpie njëkatëshe gjigante. Anëtarë të tjerë të truprojës dhe rojeve, të veshur me uniformën piktoreske flakë të kuqe me bishtalecë të zinj, të veshur me kapele gëzofi dhe të armatosur me pushkë të mbushura, ruanin paradhomën ku më priti kolonel Sareggi, shefi i kalorësisë së Mbretit të Malit.
Kolonel Sareggi më çoi nëpër një kopsht, përmes një paradhome të mbuluar me qilim të trashë dhe sixhade, në një dhomë të gjatë, me tavan të ulët, me qilima madhështorë orientalë dhe të zbukuruar me një pikturë të vetme — atë të nënës së mbretit Zogu, — për të takuar njeriun karriera e të cilit ka pushtuar imagjinatën e botës.
Ishte një figurë e hollë pothuajse djaloshare, e veshur me një uniformë të thjeshtë kaki me jakë flake të kuqe dhe bishtalecë ari, e cila ngrihej me mirësjellje nga një karrige e lartë prej lisi e kurorëzuar me dy shqiponja për të më pritur. Kisha përshtypjen e syve të kaltër tërheqës, të shpejtë për të buzëqeshur ose të ngushtë në përqendrim kur diskutonim çështje serioze, një gojë të fortë e të drejtë që tregonte vendosmërinë dhe një aftësi për të marrë vendime të menjëhershme, ndërsa Mbreti Zog doli përpara për të më takuar duke më shtrënguar dorën, duke më treguar një karrige dhe duke më thënë : “Përshëndetje. A pini duhan ?”
Flet rrjedhshëm gjermanisht
Ishte një përshëndetje tërësisht angleze, megjithëse e folur në një gjermanishte të rrjedhshme, teksa më kaloi një kuti cigaresh.
“Ju e kuptoni, — fillova unë, — që Daily Express më dërgoi në Tiranë sepse ngjitja juaj në fron ka ngjallur interes të madh në vendin tonë. A mund t’ju kërkoj të na jepni disa detaje rreth karrierës suaj ?”
Këtu takova refuzimin e vetëm gjatë bisedës një orëshe. “Nuk e konsideroj formë të mirë të flas për veten time. Le të flasim për diçka më të rëndësishme ndoshta për vendin tim”, — tha Mbreti Zog.
Askush nuk mund të kundërshtojë mbretërinë.
“Cili do të jetë, në vija të përgjithshme, efekti në Shqipëri i shpalljes suaj Mbret ?” — e pyeta unë.
“Para së gjithash, – u përgjigj ai, – shpresoj ta çliroj vendin nga betejat e kota partizane. Presidenti i Republikës ishte detyrimisht njeri partiak, i detyruar të favorizonte partinë që e kishte zgjedhur, ndërsa partitë e tjera luftonin vazhdimisht për ta zëvendësuar me kandidatët e tyre. Mbreti do të jetë mbi partitë, në shërbim të vendit në tërësi, i cili do t’i shpëtojë zgjedhjeve presidenciale periodike dhe destabilizuese.”
“Njerëz të prapambetur.”
“Ministria, ushtria dhe xhandarmëria do të qëndrojnë në komunikim të drejtpërdrejtë me monarkun pa asnjë ndërhyrje të palës së tretë. Ne jemi një popull primitiv dhe i prapambetur, i mësuar me parimin trashëgues dhe i paaftë për të vlerësuar domethënien e republikës. Fiset malore janë qeverisur gjithmonë nga një prijës trashëgues.”
“A do të ndryshojë shumë dinjiteti mbretëror mënyrën tuaj të jetesës ?” — e pyeta.
“Shumë pak”, u përgjigj ai. “Si gjithmonë, unë do të ngrihem në pesë, do të filloj punën në shtatë dhe do të vazhdoj deri në shtatë të mbrëmjes, me një interval nga mesdita deri në tre.”
“Ju vetë e dini se sa urgjente është të arrihen gjërat në Shqipëri. Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për paqe dhe një regjim të qëndrueshëm, që duhet të na japë një monarki. Financiarisht, një mbret nuk do t’i kushtojë vendit asnjë qindarkë më shumë se një president.”
“Detyra ime do të jetë t’i siguroj vendit tim të sprovuar, Hirushes së Evropës, hekurudha, të cilat nuk i kemi ende, rrugë të përshtatshme, shërbime postare e telegrafike dhe arsim praktik.”
“Nuk kam ndërmend të bëj gabimin duke krijuar një ushtri burokratësh gjysmë të arsimuar. Brezi ynë i ri do të kalojë nga shkolla fillore në shkolla praktike të përshtatura për nevojat e vendit, ku do të mësojë bujqësi, gërshetim (tjerrje) apo përpunim të metaleve.”
“Tashmë kemi themeluar tre kolegje për djem dhe për vajza. Çdo nënprefekturë ka nga 100 deri në 150 shkolla dhe ne kemi shpenzuar paratë e marra nga kreditë e jashtme për sistemin ujitës dhe përmirësime të tjera bujqësore, si dhe për importimin e racave më të mira të bagëtive.”
“Shumë kritikë të huasë suaj në Itali,” i thashë, “sugjerojnë se ajo po përdoret për t’i krijuar asaj një urë për pushtimet e saj në Ballkan.”
Mbreti qeshi.
“Marrëzira keqdashëse dhe qesharake,” — tha ai.
Mbreti Zog vazhdoi të diskutojë zakonet luftarake të nënshtetasve të tij malësorë dhe të shpjegoi se si synon të merret me to.
“Sado e rrënjosur thellë që mund të jetë tradita e hakmarrjes familjare,” tha ai, “tradita e paprekshmërisë së miqësisë pasi të jetë shtrirë dora është aq e thellë sa një ceremoni e thjeshtë e kremtuar në praninë time nga udhëheqësit e mi besnikë do t’i japë fund përgjithmonë këtyre grindjeve të tmerrshme. Më pas pushkët që mban çdo malësor do të hidhen tutje.”
“Njerëzit e mi do të kenë akses të lirë tek unë në çdo kohë, brenda kufijve të lejuar nga punët e shtetit.”
“Ju po e çoni popullin tuaj drejt qytetërimit perëndimor,” — i thashë.
“Jam i bindur për këtë,” deklaroi Mbreti Zog. Dhe jam i bindur se vendi im tani do të jetë vërtet i bashkuar nën një regjim që e kërkon karakteri i popullit.”