Ka kaluar një muaj që nga vrasja e Martin Canit, 14-vjeçarit që u godit me thikë për vdekje nga bashkëmoshatari i tij në afërsi të shkollës “Fan Noli”.
Sot, prindër dhe fëmijë kanë nisur marshimin nga shkolla Fan Noli në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Në 30 ditë, janë zhvilluar disa protesta për vrasjen e adoleshentit. Në tubime kanë marrë pjesë prindër, fëmijë, politikanë, personazhë të njohur e aktivistë të shoqërisë civile.
Në protesta, qytetarët kanë kërkuar siguri në shkolla për fëmijët dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Protesta para MAS/ Nëna e Martin Canit shpërthen në lot: E kam çdo moment në sy! Kishte ëndrra të mëdha, por ma morën shpresën! Sot jam nëna e të gjithë fëmijëve shqiptarë
Mamaja e Martin Canit, 14-vjeçari që humbi jetën një muaj më parë në ngjarjen e rëndë në shkollën “Fan Noli”ka prekur zemrat e gjithëve me fjalët e thëna në protestën që po mbahet para Ministrisë së Arsimit.
Ajo ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë atyre që nuk mbrojtën dot vogëlushin e saj.
“Kam rritur e edukuar një fëmijë, kam punuar vetë në arsim, e kam rritur me vuajtje, por ma morën, ja morën ëndrrat, me morën jetën e shpresat. Kërkoj të japin dorëheqjen ata që nuk e mbrojtën Martinin, që nga dera e shkollës e deri tek ministrja dhe Rama.
Martini ishte një fëmijë i buzëqeshur, e kam cdo moment në sy! Kishte ëndrra të mëdha”, tha ajo.
“Bir kujdes, ka njerëz që nuk dua t’ua kesh besën”, shpërthen nëna e Martinit: Le të më vrasin, nuk kam frikë! Dua drejtësi
E prekur dhe në gjendje shumë të keqe emocionale është shfaqur në protestën e mbajtur para Ministrisë së Arsimit, Florina Cani, e cila rreth një muaj më parë humbi të birin, Martin Cani, në ngjarjen e rëndë në shkollën “Fan Noli” në kryeqytet.
Ajo ka kërkuar drejtësi për vrasjen e të birit, ndërsa nuk ka harruar Luis Meçen, shokun e Martinit që u plagos dhe tashmë po merr ndihmë mjekësore jashtë vendit.
Florina këmbënguli në dorëheqjen e kujtdo që ka përgjegjësi mbi ngjarjen, ndërsa shtoi se nuk ka frikë nga askush dhe asgjë.
“Bëja pa fund biseda për të, i thoja Martin kujdes biri im sepse ka shumë njerëz që nuk duhet tua kesh besën. Ende nuk e di përse ndodhi kjo, fëmija im nuk ishte agresiv, e kam rritur me shumë dashuri. Zgjodha të punoja 4 orë që ta rrisja e të isha pranë. Pse nuk dalin e të thonë një fjalë, ka 30 ditë që qaj e rënkoj. Nuk di çfarë të bëj. Kërkoj dorëheqje të na qetësohet pak shpirti. Po na vrasin çdo ditë e më shumë.
Nuk kam më frikë për askënd e asgjë, le të më vrasin këtu, unë kërkoj drejtësi!”, tha ajo.
“Sot e kam fëmijën në dhe, nuk më vjen më”, nëna e Martin Canit për News24: Prindërit e Marios nuk më kanë kontaktuar! Kur mora vesh kush ishte autori…
Ka tronditur me fjalët e dhimbjes që nëna e Martin Canit ka thënë sot në marshimin e organizuar për vrasjen e të birit.
Florina Cani ka kërkuar drejtësi për të birin, ndërsa përr News24 ka zbuluar se ende nuk është kontaktuar nga prindërit e autorit të vrasjes, 14-vjeçarit Mario Përlleshajt.
“Duhet të më kontaktonin dhe të më shpreheshin se kishin të njëjtën dhimbje me mua, pasi Martini im sot është në dhe”, kanë qenë fjalët e saj, ndërsa ka shtuar se kur mori vesh që autori ishte i mitur nuk foli asnjë fjalë, por se priste një reagim.
“Martini nuk u vra pasdite apo në orarin kur kishte mbaruar puna. Ndryshe do të ishte përgjegjësia ime. Martini ishte një fëmijë shumë i sjellshëm, Dua drejtësi dhe vetëm drejtësi! Më parë isha mësuese në fshat dhe i ndiqnim fëmijët me sy deri në momentin që iknin nëpër rrugica. Ne nuk na njoftuan kurrë. Nuk më dha askush një sinjal, nëse do ta dija… unë e njoh më shumë fëmijën tim. Kam qenë në gjendje shumë të rëndë. Nuk e dija kush ishte autori, kur mora vesh që ishin bashkëmoshatarë nuk fola asnjë fjalë sepse janë fëmijë. Por prindërit e tij duhet të reagonin duhet të thonin kemi të njejtën dhimbje si ju! Unë e kam në dhe sot fëmijën, nuk më vjen më”, tha nëna e Martin Canit.