Vepra e Konicës ku duket më qartë erudicioni dhe personaliteti i tij si njohës i thellë i botës shqiptare, është pa dyshim “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore.”
E shkruar midis viteve 1936-1939, me kërkesën e botuesit Robert MacBridge, për të mbushur sadopak boshllëkun e ndjeshëm në literaturën angleze për këtë vend të panjohur të Evropës, ajo duhet të ishte një histori me karakter popullarizues. Në atë kohë Konica kishte arritur moshën 60-vjeçare dhe fakti se u mendua plot 11 ditë për t’iu përgjegjur pozitivisht kërkesës, tregon qartë se ishte i vetëdijshëm për mundin dhe rropatjet që kërkonte një vepër e tillë. Nëse e pranoi këtë barrë, nuk e shtyri as honorari, as lavdia, po vetëm dashuria për t’i shërbyer atdheut.
Nuk mund të thuhet se kjo është vepër historike e mirëfilltë, që nga Ilirët te Mbretëria e Zogut, madje as divulgative, për arsye se autori lë menjanë parimin bazë të historiografisë, kronologjinë. E shkrojtur në formë esesh, me qëllim që të ishte sa më tërheqëse, autori e fokuson vështrimin në një qerthull temash që synojnë të nxjerrin në pah identitetin në çdo fushë, që nga veshjet, gjuha, muzika, deri te vetitë morale dhe karakteri shqiptar, duke i lënë ngjarjet historike vetëm në sfond.
Vepra është një polemikë e hapur, dinjitoze, lojale, e argumentuar me fakte për të hedhur poshtë shpifjet e përhapura me zell shovinist nga “akademikë” dhe nga pseudodijetarë serbë e grekë, të cilët me një fushatë të organizuar qëllimisht prej më se një shekulli, ishin përpjekur ta demonizonin popullin shqiptar duke e paraqitur në sytë e Evropës si një tribu të egër nomade, pa histori, pa kulturë, pa asnjë veti qytetërimi.
Çdo lexues befasohet nga sasia e madhe e informacionit dhe e referencave që gjen në faqet e këtij libri me përmasa modeste. Nëse dikush do të ishte kureshtar të mësonte ç’kanë thënë të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë njëzet shekujve, asgjëkundi nuk mund t’i gjejë në mënyrë më të përmbledhur e më koncize se sa aty dhe do t’i shtohej respekti akoma më tepër për autorin, sapo të mësonte se shumë prej tyre i ka zbuluar ai vetë si hulumtues i palodhur.
Konica ka neveri ndaj pasioneve nacionaliste, prandaj u lutet lexuesve ta falin dhe ta justifikojnë, poqese u krijohet një mbresë e tillë, e cila e ka burimin jo te pikëpamjet e tij, por nga që historia e Shqipërisë është trajtuar duke u mbështetur në dëshmitë subjektive të armiqve të saj. Kjo ndrojtje e shtyn Konicën të kërkojë ndihmën e referencave autoritative të personalitetevve të huaja, qofshin albanologë, historianë, dijetarë e udhëtarë, sepse kësisoj ruante më mirë këndvështrimin e një studiuesi serioz. Për Konicën, nacionalizmi dhe dashuria për atdheun ishin dy nocione krejt të kundërta. Dashuria për kombin, për traditat e vyera duket në çdo faqe.
Bukuria fizike e Shqipërisë me male në formë amfiteatri e me shkrepa ku ndërton folenë shqiponja, me lumenjtë që zbresin drejt detit me një oshëtimë të veçantë, sa atij i duken si persona të gjallë, e entusiazmon Konicën poet. Në shmë faqe hhasim një apoteozë të natyrës shqiptare në prozë, e cila nga bukuria artistike rivalizon me poemën e Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”.
Natyrën dhe klimën, sidomos përbërjen malore ai i sheh në një korelacion të pandashëm me jetën, traditat, qëndresën, etikën dhe virtytet e shqiptarit. Ai thekson se malet kanë qenë mbrojtja më e mirë, fortesat natyrale kundër pushtimeve të huaja dhe asimilimit, ashtu sikurse kanë ndikuar edhe për një veçim konservator në organizimin shoqëror.
Madhështia e Konicës duket në trajtimin e pavarur të shumë subjekteve që analizon, duke mbajtur kurdoherë qëndrim realist dhe objektiv. Ai është aq i drejtë si shkencëtar dhe aq i ndershëm si qytetar, sa të mos mbyllë sytë as përpara veseve a të metave të bashkatdhetarëve të vet, shpesh duke gjetur edhe shkaqet burimore të këtyre dobësive, me qëllim që t’i bëjë më të ndërgjegjshëm e më të vetëdijshëm për kërkesat që shtronte koha.
Ndërmjet eseve të “Kopshtit Skëmbor”, Konica na ka mundësuar të shohim pikëpamjet e tij më thelbësore në fushën filozofike, historike, politike e gjuhësore.
Konica është përkrahës i zjarrtë i prejardhjes ilire të popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe me një rrjedhë vijimore historike, të turbulluar kohë mbas kohe nga pushtimet e huaja. Studimet e këtij gjysmë shëkulli në disiplina të ndryshme shkencore, arkeologji, toponomi, etimologji, brenda kufijve administrativë dhe ndër trevat etnike kanë ndihmuar që kjo tezë të fitojë gjithmonë e më shumë tërren shkencor. Konica i kundërvihet me ironi tezës sllave të mohimit të trojeve ilire të Kosovës dhe trevave të tjera. Ai shprehet: “Që shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe flasin gjuhën e tyre, është pohuar shumë herë. Megjithatë për arsye thjesht politike dhe jo historike, ndonjëherë kjo e vërtetë është mohuar. Këtu nuk është fjala për vendbanimin e ilirëve. Megjithëse edhe kjo çështje është vënë në dyshim ndonjëherë, prapseprapë asnjë “shkencëtar” nuk ka shkuar aq larg sa të shpikë një teori për ndonjë kkataklizëm gjeologjik, që të ketë në det Ilirinë e vjetër dhe të ketë nxjerrë në dritë një tokë të re në vend të saj.” Konica hedh poshtë me argumentin shkencor spekulimet sllave rreth së ashtuquajturës “e drejtë historike” duke zbuluar rrënjët shkencore të shovinizmit sllavo-serb. Ai shprehet: “Fakti që shkencëtarët ishin të mendimit që shqiptarët si pasardhës të ilirëve kanë pasur dikur pjesën më të madhe të Evropës Juglindore, ishte diçka e padurueshme, si kripa në sy, për sllavët. Nëse shqiptarët kishin zënë dikur dhe kishin ende në zotërim toka të banuara sot prej sllavëve, do të thoshte se ata kishin të drejta zotërimi jo vetëm tokat e banuara vetëm nga shqiptarë, por edhe mbi ato toka ku popullsia shqiptare ishte e përzier me sllavët. Prandaj ishte me rëndësi të dorës së parë për sllavët e jugut që të ngjallnin dyshime për mendimin e shkencëtarëve se shqiptarët jannë pasardhësit e ilirëve dhe përpiqeshin ta rrëzonin krejt këtë mendim.” Botëkuptimin agresiv serb, Konica e stigmatizon shkurt e qartë: “Mënyra e të menduarit dhe metodat e veprimit të sllavëve janë një enigmë për popujt e tjerë…Po t’i hapësh derën e shtëpisë një serbi, të nesërmen s’e ka për gjë të të kërkojë gjysmën e saj si një e drejtë që i takon, kurse një ditë më vonë do të përpiqet t’u flakë përjashta dritares si një të huaj.”
Fakti që Konicën nuk mundi ta merrte përpara rryma raciste e supremacisë së racës ariane, e përhapur gjerësisht në vitet 30 nga ideologjia naziste, tregon pjekurinë dhe pavarësinë e tij intelektuale. Ai e kundron me dyshim këtë teori, ndërsa përkrah tezën racionale të dijetarëve seriozë, se në Evropë asnjë shtet nuk mund të pretendojë për pastërti të kulluar raciale, prandaj në vend të fjalës racë sugjeron termin “grup etnik”. Ai ishte i mendimit se shqiptarët formojnë një popullsi kompakte homogjene, që flet të njëjtën gjuhë nga njëri skaj i vendit te tjetri. Konica bën përpjekje t’i kategorizojë shqiptarët në dy tipa, në ezmerin e shkurtër me sy dhe flokë të errët dhe në tipin biond, i gjatë, me sy të çelët dhe flokë gështenjë, por ai me intuitën e dijetarit e ndjen dobësinë e tij në këtë fushë, prandaj pohon me sinqeritet: “ky përshkrim i shkurtër është i një vëzhguesi të kujdesshëm”, pra jo i një antropologu. Duke theksuar nevojën për një studim të gjithanshëm nga një specialist, ai përkrah tezën e antropologut gjerman Dr. Paul Treager se shqiptarët në tërësi janë një grup racial homogjen.
Konica pohon ekzistencën e disa minoriteteve në Shqipëri, duke sjellë të dhëna historike për origjinën e tyre, sado që i çek përkitazi. Për minoritetin grek të Dropullit, Konica thotë tekstualisht: “Ata nuk janë shqiptarë të greqizuar, siç mund të mendojë dikush, por janë grekë të ardhur nga Greqia në vitet e fundit të shekullit XVIII. U sollën aty si krahë pune nga shqiptarët që kishin prona si në Shqipëri të Jugut, ashtu edhe në Veri të Shqipërisë”, ndërsa tezën greke të Vorioepirit e quan një stisje të përçudnueshme të shovinizmit grek. Për minoritetin sllav, ai pohon se përbëhet nga jo më shumë se 2000 vetë, të ardhur nga Mali i Zi, si refugjatë politikë aty nga mesi i shek. XIX. Citojmë një paragraf: “megjithëse ardhja e tyre mbahet mend mirë nga pleqtë që ishin gjallë deri në fillim të shekullit tonë, serbët dhe malazeztë e përdorin pa pikë turpi praninë e tyre në Shkodër, si një pretekst para Fuqive të Mëdha që këto t’u japin jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe gjithë krahinën që përfshihet nën këtë emër”. Pëe vllehët e Pindit, ku përfshihen edhe kucovlehët e Shqipërisë, rreth 20.000 vetë, por nga konteksti i librit nuk del e qartë, nëse kjo shifër përfshin vetëm vllehët nomadë, që jetonin vetëm me blegtori, apo edhe popullatën që ishte kthyer prej kohësh sedentare, sidomos në zonën e Korçës, të Pogradecit, Gramshit, Kavajës, Durrësit, Lushnjës dhe Fierit. Shumica e familjeve sedentare e humbën si gjuhën ashtu edhe zakonet, duke u shkrirë me popullsinë shqiptare sidomos nëpër qytete. Konica përmend edhe ciganët e Shqipërisë, duke sjellë të dhëna interesante, çka tregon se ai i kishte lexuar studimet e botuara për ta nga albanologët anglezë S. Mann dhe M. Hasluck.
Konica është studiuesi i parë që shpreh mendimin se shkrimet shqipe fillojnë së paku dy shekuj para Buzukut. Ai e argumenton këtë pohim me faktin se pa një traditë të gjatë, letërsia shqipe e mëvonshme nuk mund të ishte aq e konsoliduar. Ai përkrah mendimin e Shuflait se Shqipëria në kohën e mesjetës ishte më tepër një zgjatje kulturore dhe tregtare e Italisë, se sa një krahinë nën ndikimin e Bizantit, prandaj në kohën kur në Itali fillon shkrimi i italishtës popullore, në vend të latinishtës, kjo s’kishte si të mos gjente jehonë edhe në Shqipëri. Silogjizmi i Konicës duket bindës.
Pushtimin turk ai e sheh jo vetëm si ndërprerje të lidhjeve natyrore me Evropën dhe me kulturën e saj, por sipas tij e keqja më e madhe ngjau kur familjet fisnike, nga frika e reprezaljeve ose e kompromentimit i zhdukën të gjitha dorëshkrimet e çmuara që mbanin, të cilat do të ishin burime për kulturën dhe historinë.
Në vlerësimin e letërsisë artistike shqiptare, Konica tregohet më i gjerë e më tolerant se Noli, po jo më pak esksigjent, për shkak të etosit të tij artistik, prandaj nuk duhet të habitemi pse disa autorë të dëgjuar të Rilindjes nuk përmenden. Për Konicën, vendin e nderit, shkrimtar i parë i letërsisë së re, e zë Noli, kurse për kontributin e tij në lëvizjen letrare shprehet me modesti se nuk mund të thotë asgjë.
Konica ndofta ka dhënë shpjegimin më bindës dhe më të arsyeshëm për islamizimin e shqiptarëve. Konvertimi nis së pari me familjet feudale dhe aristokrate për t’u pasuar nga masat popullore, ne shek. e XVIII. “Ky kthim në masë, shprehet Konica, mund të shpjegohet me faktin se shqiptarët ishin identiteti më i vogël racial në mes popujsh armiq, sllavët nga njëra anë dhe grekët nga ana tjetër”. Ai e sheh konvertimin si një përpjekje për vetëruajtje dhe si rrugëzgjidhje për t’i shpëtuar trysnisë së dyfishtë, shtypjes politike turke dhe asaj fetare, kryesisht ortodokse sllavo-greke. Duke përqafuar fenë islame shqiptarët mbeteshin zotër në tokat e tyre dhe njëkohësisht fitonin një status më të favorshëm brenda Perandorisë.
Konica vëren se pjesa veriore, ndryshe Malësia, përmbledh vetëm një të dhjetën e popullsisë, prandaj Shqipëria nuk mund të gjykohet vetëm nga dukuritë e kësaj zone. Kjo vërejtje u drejtohej studiuesve të huaj, të cilët arrinin në përgjithësime të gabuara ose jo të sakta, kryesisht në sferën e strukturës shoqërore, duke njohur vetëm një zonë të veçantë.
Edhe pse pinjoll i një familjeje bejlerësh, Konica është i çliruar nga çdo lloj mburrjeje e kryelartësie, prandaj e gjykon dhe e vlerëson klasën e tij me sytë e një intelektuali perëndimor. Në shekujt e parë të pushtimit, vëren ai, shpesh bejlerët shërbyen si rrufepritës kundrejt furisë osmane, kurse në kohët e vona i humbën lidhjet me popullin, humbën burrërinë dhe pavarësinë, u bënë mjeshtër të intrigave dhe të dallavereve, duke shpërdoruar përfundimisht besimin. Zilitë e tmerrshme mes bejlerëve, të cilat inkurajoheshin edhe nga Sulltani, vëren ai, kanë penguar për shumë kohë unitetin kombëtar. Një farë gjallërimi patriotok ata e patën kur Turqia po merrte të tatëpjetën, por ai i quan të paaftë të kryenin drejtimin e shtetit të ri shqiptar. Lufta e tyre kryesore u karakterizua nga përpjekjet për të zënë poste zyrtare menjëherë ppas shpalljes së pavarësisë. Konica nuk mund t’ua falte bejlerëve mungesën e theksuar të horizontit kulturor, të cilën e kishte venë re nga afër në takimet dhe bisedat e zhvilluara.
Askush nuk ka spikatur më mirë se Konica karakteristikat e shqiptarit në të dy kahjet. Ndër vlerat pozitive, ai rendit: trimërinë, guximin, qendresën, energjinë, mikpritjen, dinjitetin, besën, dashurinë për vendin, e cila shtyn në plan të dytë dallimin mes besimeve fetare. “Flamuri etik i shqiptarit është besa e tij:, deklaron në mënyrë lapidare autori. Ndër anët negative ai vë në pah: kryelartësinë boshe, gjaknxetësinë, individualizmin, etjen për para dhe për t’u dukur, vetëbesimin e tepëruar, mungesën e frymës kolektive dhe të idealeve, duke theksuar se në një vend ku njeriu vdes për hiçmosgjë në grindje të kota, nuk ka shembuj të sakrificave për ideale të larta.
Analiza e tij sociologjike për ndryshimet midis shqiptarëve dhe popujve të tjerë të gadishullit janë sinjifikative. Përklundrejt apatisë turke, ai vë dinamizmin e shqiptarit, kundrejt dinakërisë sllave vendos humanizmin shqiptar. Në mënyrë gjeniale Konica ka vërejtur ndryshimin thelbësor midis botëkuptimit grek dhe shqiptar. “Shqiptarët dallojnë nga grekët, sepse lidhjet e kombësisë i ndjejnë më tepër se lidhjet e fesë. Për grekët mendjelehtë ‘feja ortodokse’ dhe ‘kombësia greke’ kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dy terma që nuk dallohen nga njëra-tjetra”.
Këtë ngatërrim po e ndjejmë dhe sot e kësaj dite. Ortodoksët shqiptarë kanë më se një shekull që po u thonë grekëve se janë shqiptarë dhe se feja s’ka pse njësohet me kombësinë, por ata nuk duan të dëgjojnë nga ai vesh dhe nuk shqitën nga paragjykimet e vjetra, çka duket shkoqur në statistikat e stërsmadhuara të minoritetit grek në Shqipëri, ku futin edhe otodoksët shqiptarë. Po vallë a ka mundësi që ne të jemi minoritet në atdheun tonë?
Arsyen e pushtimeve të shumta nga të huajt Konica e gjen te mungesa e një qendrese të kombinuar dhe te koncepti se ideja e shtetit për shqiptarin nuk kalonte përtej caqeve të krahinës, ose përtej maleve ku banonte.
Së fundi dy fjalë për marrëdhëniet e Konicës me Zogun. Konica e respektonte sovranin si kryetar shteti, po ndërkohë kjo nuk e pengon të ketë vërejtje për politikën e tij, mënyrën si e qeveris vendin dhe për karaktrin. Kontradiktat e kanë burimin tek pikëpamjet e Konicës për modelin e sovranit. Si intelektual i rritur dhe i edukuar në Perëndim, ai do të dëshironte që Zogu t’i përqasej shembëlltyrës së monarkut të demokracive perëndimore. Zogu që e njihte vendin e tij shumë më mirë se Konica kishte plot arsye të vepronte ashtu si veproi. Gjithsesi ata bashkëpunuan gjatë për të mirën e kombit.
Konica meriton respektin tonë dhe të pasardhësve si njeri që i vuri jetën dhe dijenitë e tij në shërbim të atdheut. Me hulumtimet e tij dhe kulturën enciklopedike ai e pasuroi etnografinë dhe kulturën kombëtare duke i kthyer çka i përkiste historikisht, fustanellën dhe xhubletën, këngët polifonike dhe vallen pirrike dhe mbi të gjitha i jemi mirënjohës për simbolin e parë të kombit tonë, për Flamurin e Skenderbeut.
* Shkrimtari Naum Prifti, ish sekretar i Vatres ne 100 vjetorin e Gazetes Dielli. (Dielli-Arkiv)
Komentet