Në një shkrim të tijin, Pjetër Arbnori, duke dashur që të interpretonte misterin që
barte jeta e tij, thoshte se realiteti ia kalon çdo fantazie. E kishte fjalën për sesi i
shkuan punët dhe peripecitë e ngjarjeve të tija. Thoshte se kur kishte qenë i ri
kishte lexuar shumë libra, kryesisht letërsi artistike, romane e novela, e shprehet se
në shumë raste nuk ishte dakord me zgjidhjen që autorët e ndryshëm kishin dhënë
për fatet e personazheve të tyre. “Nuk i besoja, sepse e tepronin, jepnin zhvillime të
pabesueshme, e nuk i aprovoja. Por kur vonë iu ktheva jetës sime, pashë se ajo ia
kalonte çdo fantazie të një autori të mundshëm. Unë që isha dënuar me pushkatim,
që u gjenda në qeli në pritje të ekzekutimit të vendimit, më vonë u gjeta se u
zgjodha dy herë kryetar i Kuvendit Popullor. Asnjë shkrimtar nuk do të guxonte të
fantazonte kështu!”.
Pse e solla këtë shembull? Sepse po kështu është edhe jeta e zotit Eugjen. A do t’i
kishte shkuar atij në mendje se ai, i arrestuari që po hetohej se kishte folur fjalë të
mira për gjyshin e tij Mustafa Kruja, ai që mori dënimin me shumë vite burg për
akuzën e agjitacion e propagandës, ai që u çua në Spaç për ta bërë të dënimin, ai
djali i ri që ecte në tunelet e minierës, ndërsa shkonte çdo ditë të nxirrte bakër e
pirit duke shtyrë vagonët, ai, pra, a do ta besonte se një ditë do të hiqte ai vetë, me
dorën e vet, copën që mbulon bustin e Mustafa Krujës, gjyshit të tij në qytetin e
lindjes së tij, në Krujë, me bekimin e institucioneve shtetërore? Kurrë nuk do ta
kishte besuar, nëse dikush do t’ia thoshte këto fjalë në atë fillim të viteve ’80,
ndërsa i dënuar kishte lënë prindërit në internim. Por ja se edhe në këtë rast,
realiteti ia kalon çdo fantazie. Mendja krijuese dhe fantazia e asnjë shkrimtari nuk
do të mund ta imagjinonte një gjë të tillë.
Por kjo na çon edhe pak më larg, kjo do të thotë se drejtësia bëhet, vihet në vend,
edhe pse kalojnë shumë vite e personi i mohuar e i nëpërkëmbur deri dje, pra plot
tetëdhjetë vite i përfolur e i anatemuar, ky person, gjyshi i tij, zë vendin që i takon
në mes të qytetit të tij, Krujës. Kjo do të thotë se Zoti ekziston dhe se ka shpresë
për të gjithë të nëpërkëmburit, të shtypurit e viktimat e padrejtësive. Çast i madh
triumfi i të së vërtetës.
Unë sot jam këtu të flas për një aspekt tjetër të Mustafa Krujës, që nuk e pashë se
e cekën në këtë takim: atë se ky njeri human, shpëtoi hebrenjtë në kohën e Luftës
së Dytë Botërore, kur ishte me detyrën e kryeministrit. Unë jam shkrimtar dhe
shkrimtari i përngjet ndërtuesit. Ndërtuesi i banesave, përpara se të fillojë, mbledh
lëndën e parë: tullat, llaçin, hekurin e pastaj i vihet punës. Kështu edhe shkrimtari,
nëse është një i tillë që shkruan për një roman historik. Ka nevojë për këtë material.
Edhe unë, në përpjekjen që të shkruaja romanin “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”,
që flet për odisenë e një familjeje hebreje në tokën shqiptare, gjeta se Mustafa
Kruja nuk ka pranuar që të implikohet në arrestimin dhe depërtimin e hebrenjve e
dorëzimin e tyre gjermanëve nazistë.
Gjeta, mes fakteve historike, se Jakomoni, që ishte mëkëmbësi i perandorit italian
në Shqipëri, e thërret një ditë zotin Kruja e i kërkon informacion për hebrenjtë që
janë këtu, sepse, sipas një kërkese që ka ardhur nga Italia, mbështetur në
aprovimin e ligjeve racore antihebraike, të firmosura pak kohë më parë nga vetë
Vittorio Emanueli III, kërkohet njoftim për ta se sa janë, nga janë, ku gjenden?
Mustafai ngrihet në këmbë e ia refuzon qartë e prerë e i thotë se “unë nuk jam këtu
për të arrestuar të pafajshëm e për t’i çuar që të eliminohen padrejtësisht. Nëse ky
refuzimi i im përbën problem, unë jap në vend dorëheqjen!”. Mora vesh, në atë
material që gjeta, se vetë mëkëmbësi kishte mbetur i mrekulluar nga ky qëndrim
burrëror.
Por është edhe rasti tjetër, kur vetë zoti Kruja, propozon në këshillin e ministrave
që refugjatët hebrenj që kanë ardhur tashmë në tokën shqiptare, të çohen në
kampe, të financuara nga qeveria e tij, larg, në Berat e në Gjirokastër, që gjithsesi
të mos jenë afër kufijve veriorë, ku mund të ketë prani gjermane. Dhe e realizon një
gjë të tillë, ngritjen e këtyre kampeve.
Po kështu kalon një tjetër peripeci të sikletshme me konsullin e përgjithshëm
gjerman, Martin Schliep. Ngjarja kishte qëlluar kështu. Në vitin 1941, në Kosovë,
tamam-tamam në Mitrovicë, një grup hebrenjsh, të thuash më mirë i gjithë
komuniteti hebre i këtij qyteti, merr vesh se gjermanët duan të bëjnë një mësymje
mbi ta, t’i fusin në dorë, t’i arrestojnë e t’i çojnë në Auschwitz. Si parantezë duhet
thënë se kur Gjermanët vendosën të zhbënin Jugosllavinë, pasi e pushtuan në prill
të vitit 1941, duke pasur informacion të zgjedhur e duke pasur parasysh se në
Mitrovicë jetonte edhe një komunitet serb, që italianët, të cilëve iu dorëzua gati e
gjithë Kosova (duke formuar atë që u quajt tokat e lirueme) përveç kësaj zone
veriore, vendosën ta mbanin ata, sepse vetëm ata mund t’i bënin ballë serbëve, nëse
ata do të përpiqeshin të ngrinin krye. E dinin se italianët nuk do të ishin të aftë ta
kryenin një gjë të tillë. Një ditë, pra, hebrenjtë, në mënyrë tepër sekrete, njoftohen
se gjermanët kanë vendosur që të nesërmen në mëngjes të një dite të caktuar të
muajit dhjetor 1941, të kapin hebrenjtë e këtij qyteti e t’i çojnë në Poloni, në
kampin e tmerrshëm. Pasi e marrin vesh, në mesnatë, të veshur me zhele e të nxirë
në fytyra me qymyr, marrin rrugën në këmbë e kalojnë në territorin që kontrollohet
nga italianët e mbërrijnë në mëngjes në Prishtinë. Atje i del dikush para e i drejton
për tek spitali civil i qytetit, drejtor i të cilit është Spiro Lito, gjirokastrit, doktor. I
porositur nga vetë Kryeministri Kruja, që është kryeministër edhe për territoret e
aneksuara të Kosovës, i kërkohet tij që të njoftojë të shtruarit në spital që të
largohen për dy ditë, sa të bëjnë dezinfektimin e spitalit e pastaj të paraqiten prapë.
Të sëmurët lanë spitalin. Me një shpejtësi skëterrë, të gjithë hebrenjtë e ardhur në
qytet, drejtohen, të sugjeruar, tek spitali i zbrazur tashmë e fshihen aty. Nuk vonon
e shihen motoçikletat gjermane që kanë shkelur protokollin e kanë hyrë pa
autorizim në Prishtinë, në territorin që kontrollohet prej italianëve. Janë në kërkim
të hebrenjve, që janë zhdukur pa nam e pa nishan nga Mitrovica, por që një
informacion i ka thënë atyre se kanë mbërritur në Prishtinë. Prandaj, ia kanë
mësyrë këtij qytetit. Sillen, kontrollojnë, rrinë në pritje, gjurmojnë rrugë, rrugica e
qoshe, por nuk gjejnë asgjë. Por nuk mbaron me kaq, sepse është e nevojshme që
hebrenjtë të shpërngulen prej andej, që të mos bien viktimë e reprezaljeve të tjera
të papritura të gjermanëve e pra lind nevoja që të nisen për në Shqipëri. Kalojnë
kufirin e me autorizim të kryeministrit Kruja, mbyllen sytë e futen këtu. Pastaj,
struken dikush në një vend e dikush në një vend tjetër e fshihen, treten, si kripa në
ujë, pa e marrë vesh askush se ku gjenden.
Ndërkohë, nga informatorë të ndryshëm, njoftohet konsulli i përgjithshëm Martin
Schliep se hebrenjtë që kanë ikur nga Mitrovica janë në Shqipëri, të strehuar, që
kanë kaluar kufirin nga Kukësi me bekimin e zotit Mustafa. Atëherë, zoti Schliep i
kërkon, në zyrën e kryeministrit, informacion për personat që kanë kaluar kufirin
dhe a ka ai dijeni për një kalim të tillë. Zoti Kruja mohon se hebrenj kanë kaluar
kufirin me dijeninë e tij. “Ka mundësi që të kenë mbërritur, por jo në rrugë zyrtare,
nuk janë paraqitur në pikat e kalimit kufitar, por kanë kaluar tinëzisht, ilegalisht!”.
Ia doli për herë të dytë të largonte gjurmët nga hebrenjtë. Schliepi u përpoq që ta
kërcënonte, duke i thënë se nëse do ta verifikojmë se ke dorë në këtë mesele ose se
fsheh informacionin, ju që po prishnin marrëdhëniet mes anëtarëve të aleancës , do
të jepni llogari. Por zoti Kruja nuk u lëkund.
Desha të kujtoj edhe se ata që kanë rrezikuar jetët e tyre për të shpëtuar
hebrenjtë, kudo në Evropë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, i kanë emrat e
tyre në mure, në një bulevard, në Jerusalem, që quhet Jad Vashem, rruga e të
drejtëve të kombeve. Atje janë shumë e shumë prej atyre që rrezikuan seriozisht
jetën për të panjohurit që i ranë në derë. Shqiptarët kanë 69 emra të tillë. Por
mungojnë edhe emrat e Mustafa Krujës, Ibrahim Biçakut, Kol Bib Mirakës, Xhafer
Devës e Mehdi Frashërit e shumë e shumë të tjerëve, njerëz të thjeshtë, që nuk janë
përfshirë deri tashti.
Kur isha në Izrael, në vitin 2018, më qëlloi të njihja një hebre, familja e të cilit
ishte shpërngulur nga Gjermania për atje. Iu prezantova si shkrimtar. Më pyeti se
çfarë po shkruaja tani. I tregova se “kam në dorë një histori të shpëtimit të një
familjeje hebrenjve, familjes Rabinovitz nga Vjena, e cila vjen të kërkojë strehim e
shpëtim në Shqipëri!”. Kur ai mori vesh për fabulën e romanit e u njoh me faktin se
burra shteti kanë rrezikuar jetën e tyre për shpëtimin e hebrenjve, më pyeti: “a i
është mirënjohëse Shqipëria këtyre burrave të mëdhenj që kanë rrezikuar jetët e
tyre, duke shpëtuar të panjohurit? Janë treguar në lartësinë e një humanizmi
shembullor?”. I thashë se Shqipëria i çoi në plumb të gjithë, si armiq të popullit të
vet. “Kanë shpëtuar njerëz të popullit të huaj e kanë tradhtuar popullin e vet? E
pamundur!”. U shpreh me keqardhje hebreu në moshë. “Po”, – i thashë, – “ky
paradoks na ra për hise!”. “Tragjik populli i juaj deri në absurd!” – më tha.
Sot, pra, Kruja po gëzon jo vetëm se po nderon birin e saj, Mustafa Krujën, por
edhe për gjë tjetër shumë më të madhe, shpresëdhënëse për çdo njeri: po përsërit
këtu, sy të gjithëve, mësimin që Zoti na e jep pa pushim, edhe pse njerëzit janë të
leshtë e të ngadaltë të kuptojnë e të padurueshëm në kohën e veprimit të tij:
drejtësia vonon, por nuk harron kurrë të vijë.
Lavdi veprës së zotit Mustafa Kruja dhe gëzim për mësimin e madh moral që po
marrim përsëri.
24.11.2024