Mustafa Merlika Kruja lindi në vitin 1887 në Krujë, dhe pati mundësinë të studiojë, falë dhe mbështetjes së një bamirësi të pasur si Esad Pasha në rüştije-n lokale (shkollën e mesme), në Janinë dhe në Mekteb-i Mülkiye (shkollë e mesme) në Stamboll. Pas përfundimit të arsimit të tij në vitin 1910, u kthye në Shqipëri pasi u emërua mësues në idadinë (shkollë e mesme) e Durrësit dhe më vonë u emërua Drejtor i Arsimit Publik për sanxhakun e Elbasanit. Po ashtu Kruja ishte aktiv në kryengritjen shqiptare të vitit 1912 kundër osmanëve dhe në Vlorë, ku si përfaqësues i Krujës ishte ndër firmëtarët e deklaratës së pavarësisë dhe ishte dhe anëtar i senatit të formuar në atë kohë. Më 1914 u emërua këshilltar për arsimin publik në administratën e re të Princ von Wied duke qenë një nga mbështetësit e tij.
Në vitin 1918, ishte i pranishëm në Kongresin e Durrësit, dhe më pas u emërua Ministër i Postë-Telegrafëve në qeverinë e re pro-italiane. Ai vetë favorizonte një protektorat italian (“Pavarësinë e Shqipërisë së madhe nën mbrojtjen e Italisë”). Për të, vetëm Italia do të mund ta ruante dhe lejonte ndërtimin e një qeverie kombëtare shqiptare përmes zgjedhjeve të lira, pasi Italia ishte ndër shtetet që mbështeste një Shqipëri të pavarur pas Luftës së Parë Botërore.
Në vitet 1920, si deputet, i përkiste lëvizjes progresiste që kundërshtonte Ahmet Zogun, dhe ishte mik i afërt me deputetët kosovarë, për çka iu desh të arratisej jashtë vendit për një periudhë të gjatë. Kështu, në vitin 1922, iku në Jugosllavi pas një përpjekjeje për grusht shteti me shqiptarët në rajonin veriperëndimor. Më pas mori pjesë në të ashtuquajturën “Lëvizja e Qershorit 1924”, një puç kundra pushtetit legjitim. Nën adminitratën e kryeministrit Fan Noli u emërua prefekt i Shkodrës. Pas rikthimit të legalitetit të Ahmet Zogut në dhjetor 1924, sërish u detyrua të emigronte në Kroaci, Zvicër dhe Itali.
Në mërgim, Kruja ishte anëtar i Komitetit Kombëtar Revolucionar (KONARE), një organizatë politike shqiptare e krahut të majtë, ku ai përfaqësonte krahun e djathtë. Pas disa përplasjeve me fraksionin e majtë për marrëveshjen që KONARE bëri me Bashkimin Sovjetik si dhe për nënshkrimin e “Manifestit Anti-imperialist” të vitit 1927 nga ish-kryeministri Peshkop Fan Noli në emër të KONARE-s, akte të cilat Kruja i kritikoi, ai dhe miqtë e tij themeluan, me mbështetje financiare nga qeveria italiane, Grupin Nacionalist pro-italian të Zarës, në Kroaci.
Nga kjo kohë deri në vitin 1939, Kruja qëndroi në mërgim dhe u përfshi në aktivitetet politike të këtij grupi, ndërkohë që vazhdoi studimet dhe shkrimet e tij mbi shqiptarët, gjuhën dhe historinë e tyre të lashtë, disa prej të cilave u botuan në periodikët e kohës. Pas kthimit të tij në Shqipëri në vitin 1939 kur Italia fashiste pushtoi vendin, Kruja u bë senator dhe kryetar i Institutit Italo-Shqiptar të Studimeve Shqiptare. Në vitin 1941, u emërua Kryeministër dhe Ministër i Brendshëm. Ai dha dorëheqjen në vitin 1943 dhe pjesën tjetër të jetës e kaloi në mërgim në Austri, Itali, Egjipt dhe në fund në Shtetet e Bashkuara, ku vdiq në vitin 1958 në Niagara Falls, New York.
Gjatë viteve të tij në mërgim, bindjet antikomuniste të Krujës ishin aq të forta sa që ai bashkëpunoi edhe me kundërshtarin e tij më të madh, Mbretin Zog I. Ky i fundit e ftoi Krujën të bashkëpunonte me të në Aleksandri të Egjiptit, ku u takuan disa herë, me synimin për të bashkuar diasporën politike shqiptare kundër qeverisë komuniste në Shqipëri. Sipas Krujës, Shqipëria komuniste do të ishte vetëm një provincë e vogël e perandorisë sllavo-komuniste, që shtrihej nga Deti i Japonisë deri në Adriatik. Pas luftës së dytë botërore, ai e konsideronte Mbretin Zog I si të vetmin që mund të bashkonte grupet e diasporës shqiptare dhe të vetmin që mund të kishte ndikim mbi shqiptarët në Shqipëri. Mbreti Zog I kishte fuqinë për të mbështetur, si financiarisht ashtu edhe shpirtërisht, veprimet politike kundër regjimit komunist, si jashtë ashtu edhe brenda Shqipërisë. Vetëm pas rënies së komunistëve në vitin 1992 do të ishte e mundur për shqiptarët që të vendosnin me plebishit mbi regjimin e tyre kushtetues, qoftë një monarki apo një republikë demokratike.
Veprimtaria e Krujës pas 1939
Në verën e vitit 1941, duke parë se qeveria e Shefqet Bej Verlacit ishte e paaftë të kontrollonte trazirat e brendshme në rritje, veçanërisht në provincat e sapo pushtuara si Kosova, dhe problematikat e shkaktuara nga Lufta italo-greke Mëkëmbësi italian Francesco Jacomoni i propozoi Musolinit dhe Galeaco Cianos, Ministër i Punëve të Jashtme, senatorin Mustafa Merlika Kruja si Kryeministrin e ri të Shqipërisë. Sipas propozimit të tij, megjithëse Kruja ishte me origjinë të thjeshtë, ai do të përfaqësonte me sukses elitën intelektuale të vendit. Për italianët, Mustafa Merlika Kruja ishte njeriu i përsosur në momentin e duhur. Rezistenca antifashiste ishte ende në një fazë të hershme, dhe për italianët, qeveria tradicionale e drejtuar nga Verlaci ishte bërë simbol i paaftësisë për të qeverisur. Për mëkëmbësin italian Jacomoni, Kruja dukej si një nacionalist i zjarrtë. Si i tillë, ai do t’u shërbente mirë italianëve duke u paraqitur për shqiptarët si antikomunist, intelektual dhe, natyrisht, nacionalist. Nacionalizmi, që Kruja e mishëronte në mënyrë të përkryer gjatë gjithë jetës së tij, realizoi një ëndërr të vyer gjatë pushtimit, veçanërisht pas vitit 1941 me krijimin e “Shqipërisë së Madhe” pas bashkimit të saj me pjesën më të madhe të Kosovës. Pas këtij bashkimi, çështja kombëtare shqiptare, sipas italianëve, do të zgjidhej, sepse do të ishte e pamundur që shqiptarët të ngriheshin kundër një kryeministri që e identifikonte veten si nacionalist. Kjo nënkuptonte se ata nuk do të kundërshtonin italianizimin e Shqipërisë dhe as nuk do të bashkoheshin me lëvizjen antifashiste. Sipas Pearson-it, Kruja u emërua nga italianët kryeministër për të tërhequr shqiptarët drejt politikës fashiste, duke luajtur me ndjenjat e tyre nacionaliste përmes një propagande të zgjuar, ndërkohë që shtypte çdo përpjekje për rezistencë.
Qeveria e Krujës ishte kështu kabineti i parë kombëtar i Shqipërisë së Madhe. Ndjenjat nacionaliste të Krujës u shfaqën hapur kur ai protestoi ndaj deklaratave të Anthony Eden-it, Cordell Hull-it dhe Molotov-it për Shqipërinë në dhjetor 1942. Për një kohë të gjatë, Aleatët kishin qenë të heshtur për Shqipërinë. Ishin Shtetet e Bashkuara, që nuk e kishin njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë nga Kurora Italiane e Savojës që e thyen këtë heshtje. Më 10 dhjetor 1942, Sekretari i Shtetit, Cordell Hull deklaroi se, mbi bazën e Kartës së Atlantikut, SHBA dëshironte të shihte një Shqipëri të lirë, të vetëqeverisur dhe me të drejta sovrane.
Kruja reagoi menjëherë. Në fjalimin e tij në Këshillin e Madh Korporativ Fashist më 23 dhjetor 1942, ai kritikoi secilën prej këtyre deklaratave, duke thënë se ato kërcënonin unitetin kombëtar shqiptar (tansin kombtare). Deklarata britanike për kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë pas luftës ishte më shqetësuesja, pasi ajo do të hapte çështjet kufitare me Greqinë dhe Jugosllavinë. Sipas Krujës, ky rrezik provohej nga miratimi i qeverisë greke për qëndrimin e Eden-it, gjë që dëshmonte se pas luftës Britania do të mbështeste fqinjët e Shqipërisë dhe do ta reduktonte territorin e saj në një shtet fantazmë.
Megjithatë, Kruja nuk arriti të realizonte aspiratat nacionaliste të vendit të tij. Programi i tij i thjeshtë politik shfaqi varësinë e tij të madhe politike nga italianët, pasi të gjitha vendimet i nënshtroheshin miratimit të mëkëmbësit italian. Ai pati suksese të kufizuara. Megjithëse përpiqej të mbante kontakte me nacionalistët që e kundërshtonin, ai dështoi të mbante pozicionin e tij përballë antifashistëve të majtë. Në këtë gjendje të ngarkuar politike, Kruja dështoi të merrte masa kundër grupeve të rezistencës antifashiste, veçanërisht kundër komunistëve. Stabiliteti relativ i fazës së parë të aneksimit italian nuk zgjati shumë, kryesisht për shkak të mungesës së efikasitetit administrativ, fushatave të dështuara ushtarake të italianëve kundër Greqisë, gjendjes së përkeqësuar ekonomike dhe forcës në rritje të rezistencës antifashiste.
Në janar 1943, Kruja shprehu dëshirën për t’u tërhequr nga jeta politike aktive. Ai nuk bashkëpunoi kurrë me gjermanët, të cilët në përgjithësi shmangnin përfshirjen me elitën tradicionale politike shqiptare, sidomos me italofilët. Megjithatë, ai mori pjesë në disa takime të organizuara nga qarqet nacionaliste dhe monarkiste, pasi si një antikomunist i devotshëm, kishte ende një farë ndikimi mes tyre. Në shtator 1944, Kruja udhëtoi vetëm në Vjenë, ku një nga djemtë e tij ishte i sëmurë rëndë. Djali i tij vdiq në nëntor 1944, vetëm pak ditë para tërheqjes gjermane nga Shqipëria. Prej asaj kohe deri në vdekjen e tij në vitin 1958, Kruja mbeti në mërgim, duke lënë familjen e tij, gruan dhe djemtë në Shqipëri.
Fashizmi vs. komunizmi
Dy arsye mund të shpjegojnë bashkëpunimin e Mustafa Merlika Krujës me fashizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Së pari, ai ishte një nacionalist i shpallur që ishte i gatshëm të bënte një pakt me fuqitë e Boshtit për të promovuar çështjen nacionaliste shqiptare. Fashistët italianë e identifikuan Krujën me nacionalizmin ekstremist, por e shihnin gjithashtu si të dobishëm për interesat italiane për të qetësuar rezistencën antifashiste. Politika e Italisë ndaj Shqipërisë shpjegon më së miri, se pse ai besonte se Italia ishte vendi i vetëm, me të cilin Shqipëria mund të bashkëpunonte. Ndër fuqitë e Boshtit, Italia, sipas tij, ishte mbështetësja kryesore e aspiratave kombëtare shqiptare dhe garantuesja e pavarësisë dhe integritetit kombëtar të saj. Hubert Neuwirth përmend gjithashtu edhe armiqësinë e Krujës ndaj Mbretit Zog I si një nga arsyet e bashkëpunimit të tij. Në vitin 1939, pasi Mbreti u largua në mërgim, Kruja u kthye në Shqipëri nga Franca. Ai pranoi propozimin italian për t’u bërë kryeministër pasi Italia ra dakord të bënte disa koncesione në drejtim të autonomisë shqiptare dhe të hiqte simbolet fashiste të dinastisë Savoja nga flamuri shqiptar, që kishin shkaktuar pakënaqësi publike. Kruja përshëndeti me entuziazëm bashkimin e pjesës më të madhe të Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për më tepër, ai refuzoi dhe kritikoi deklaratat e Aleatëve në vitin 1942 që favorizonin pretendimet territoriale greke dhe jugosllave ndaj territorit shqiptar pas përfundimit të luftës. Qëllimi i tij ishte të mbronte me çdo kusht bashkimin e arritur të Shqipërisë. Kështu, në emër të çështjes kombëtare të vendit, Kruja vazhdoi bashkëpunimin me fuqitë e Boshtit.
Së dyti, Kruja ishte një antikomunist i zjarrtë. Siç ka shkruar vetë ai, një nga arsyet që pranoi të bëhej kryeministër dhe bashkëpunoi me Italinë fashiste ishte kundërshtimi i tij ndaj komunizmit, për të cilin ai besonte fort se do të pengonte lirinë e Shqipërisë. Pas aktivizmit politik të rezistencës së majtë dhe themelimit të PKSH-së nga komisarët jugosllavë, ai pranoi propozimin e mëkëmbësit për t’u bërë “Kryeministri Kuisling i Shqipërisë.” Sipas Julian Amery-t, Kruja vazhdoi luftën kundër komunistëve, jo vetëm gjatë mandatit të tij si kryeministër, por edhe pas dorëheqjes së tij. Amery argumenton se britanikët në atë kohë ishin të shqetësuar për marrëdhëniet e Abaz Kupit me kolaboracionistët. Megjithatë, Amery shton se, në një vend si Shqipëria, lufta e brendshme midis nacionalistëve dhe komunistëve me ndihmën e “miqve të armikut” ishte një formë bashkëpunimi objektiv. Kështu, në Shqipëri morali politik perëndimor u zëvendësua me marrëveshje kompromentuese, pasi ideologjitë e liberalizmit, fashizmit dhe antikomunizmit nuk ishin të njohura gjerësisht apo të rrënjosura thellë në botën shqiptare. Me fjalë të tjera, pozicionet politike ose publike në Shqipëri nuk merreshin për arsye ideologjike, por për motive ose avantazhe personale.
Lufta Italo-Greke, e cila për më shumë se gjashtë muaj u zhvillua kryesisht në Shqipëri, po ashtu shkaktoi shumë ankesat nga popullsia shqiptare, veçanërisht ushtarët që luftonin në Frontin Greko-Shqiptar në Jug të Shqipërisë. Avancimi dhe sukseset e grekëve bënë që shqiptarët të dezeratonin me qindra nga Fronti dhe inati ndaj Qeverisë së Vërlacit u rrit. Edhe vizita njëjavore e Mbretit italian Viktor Emanueli III në maj 1941, nuk shkoi mirë. Një tentativë për të vrarë Mbretin që u bë më 17 maj 1941, dështoi. Mbretit iu shkaktuan vetëm lëndime të lehta. Ndërkohë, gjatë vjeshtës së atij viti në Jug të Shqipërisë dhe rreth kryeqytetit, Tiranës, filluan të shfaqen veprimet e para të armatosura nga grupe të ndryshme të rezistencës antifashiste. Më 8 nëntor 1941, me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e të dërguarve jugosllavë, grupet e majta aktive që nga fillimi i pushtimit italian, krijuan Partinë Komuniste Shqiptare. Në kuadër të kësaj gjendjeje të vështirë, me qeverinë e Vërlacit që nuk mund të kontrollonte shqetësimet e brendshme në rritje, Mëkëmbësi i Përgjithshëm Jakomoni i propozoi Musolinit dhe Kontit Çiano, senatorin Mustafa Merlika-Kruja, si Kryeministrin e ri të Shqipërisë, i cili mori detyrën më 4 dhjetor 1941. Çiano e konsideroi emërimin e Mustafa Merlika-Krujës, 54 vjeçar, dhe kabinetin e tij, që zëvendësoi politikanët e vjetër me një elitë intelektualësh të rinj, si një gjest tolerance ndaj ekstremistëve nacionalist shqiptarë. Pra, Merlika-Kruja, i cili u kthye nga mërgimii detyruar në Francë u rikthye në Shqipëri në verën e vitit 1939. Ai ishte një politikan ambicioz, antikomunist dhe nacionalist i zjarrtë, i cili gëzonte mbështetje të plotë nga Italia dhe iu lejua më shumë liri veprimi sesa paraardhësve të tij. Atij iu dhanë disa të drejta për të bërë koncesione ndaj autonomisë shqiptare, duke përfshirë në qeverinë e tij anëtarë nga grupet intelektuale dhe nga populli, jo nga të vjetrit pronarë tokash (bejlerë), si dhe ngritjen e një ushtrie të pavarur shqiptare që do të vepronte përkrah forcave italiane, ushtri e cila ishte shkrirë pas pushtimit të 1939. Ai u lejua të lirojë një numër të madh antifashistësh nga burgu apo internimi dhe më pas u mundua të bënte dallimin në sjelljet ndaj nacionalistëve antifashistë dhe komunistëve, duke u paraqitur si një mbrojtës i irredentizmit nacionalist shqiptar. Gjatë fazës së parë të qeverisjes së tij, italianët e shikonin me dyshim, pasi frikoheshin se ai ishte një ekstremist nacionalist; më vonë, megjithatë, sipas Çianos, ai u dëshmua si më i moderuar. “Tani që ai është në pushtet, e kuptoi se të bësh kritikë është e lehtë, por të veprosh është e vështirë”. Në fakt Kruja nuk kërkoi nga Çiano asgjë të pazakontë, përveç disa korrigjimeve të vogla në kufirin e Malit të Zi dhe kthimin në ndryshimet e 12 prillit të Kushtetutës dhe flamurit: “ata nuk e duan shqiponjën e burgosur mes fashave të liktorit dhe nyjave të Shtëpisë së Savojës”, shënon Çiano në Ditarin e tij. Gjatë një takimi në Romë me Musolinin në shkurt 1942, Musolini I theksoi kryeministrit Merlika-Kruja dëshirën e tij për t’i dhënë Shqipërisë autonomi më të madhe. Kjo, sipas tij, ishte e vetmja politikë që do të jepte rezultate, pasi në të kundërt Shqipëria do të shndërrohej gjithashtu në krah të rebelimit dhe intrigave si shtetet e tjera të pushtuara.
Kabineti i Krujës qëndroi vetëm trembëdhjetë muaj, nga 4 dhjetori 1941 deri më 19 janar 1943, kur ai dha dorëheqjen nga detyra. Pas Luftës së Dytë Botërore, Kruja pranoi se ishte përdorur nga italianët dhe makiavelizmi i tyre për të përfituar nga devotshmëria e tij nacionaliste për mbrojtjen e territoreve etnike shqiptare. Ishte përsëri Jakomoni, ai që propozoi që ai të zëvendësohej me dikë nga aristokracia e vjetër, duke i theksuar Çianos se “Kruja është një njeri që në interesin tonë duhej ta konsumonim.” Për italianët, Merlika-Kruja ishte njeriu perfekt në momentin e duhur. Nacionalizmi, të cilin Merlika-Kruja e përfaqësonte përsosmërisht gjatë gjithë jetës së tij, luajti një rol thelbësor në bashkëpunimin e tij me italianët. Sipas tij, sidomos pas krijimit një ditë para se të emërohej kryeministër, të “Shqipërisë së Madhe” në vitin 1941, që do të përfshinte Kosovën dhe zona të tjera kryesisht shqiptare në Jugosllavi dhe rajonin e Çamerisë në Greqinë veriore, si një produkt i marrëveshjes Çiano-Ribentrop në prill Vjenë, pas pushtimit të Greqisë dhe Jugosllavisë, Merlika-Kruja besonte se çështja kombëtare shqiptare do të zgjidhej vetvetiu. Në fjalimin e tij të parë si Kryeministër, më 10 dhjetor 1941, Merlika-Kruja lavdëroi krijimin e Shqipërisë së Madhe si një arritje e madhe për territoret etnike të lira. Ai madje krijoi një Ministri për Tokat e Lira, me Tahir Shtyllën dhe më pas me ish-ministrin e Financave, Fejzi Alizoti, dhe Eqerem bj Vlorën si ministra dhe urdhëroi një regjistrim të popullsisë për territorët e lira, si dhe një reformë agrare që do të shpërndante pasuritë tokësore të konfiskuara nga popullsia serbe dhe malazeze gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë te popullsia shqiptare e atyre territoreve.
Në emërimin e Merlika-Krujës, Jakomoni dhe Çiano shpresonin të mobilizonin shqiptarët në politikën fashiste duke luajtur me ndjenjat e tyre nacionaliste përmes propagandës, ndërkohë që po ashtu shuan çdo tentativë për rezistencë. Qeveria e Merlika-Krujës ishte kështu kabineti i parë kombëtar i Shqipërisë së Madhe. Ndjenjat nacionaliste të Krujës u shfaqën hapur. Ai madje protestoi kundër deklaratave të Anthony Eden, Cordell Hull dhe Molotov për Shqipërinë më 10 dhjetor 1942, me Sekretarin amerikan të Shtetit Hull që shpallte se, në bazë të Kartës së Atlantikut, Shtetet e Bashkuara dëshironin të shihnin një Shqipëri të lirë, të vetëqeverisur dhe me të drejta sovrane. Kjo u pasua nga një deklaratë e ngjashme e Ministrit të Punëve të Jashtme britanik Eden, me rezervimin se kufijtë e shtetit shqiptar pas luftës do të përcaktoheshin në negociata, nëse një marrëveshje midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj do të dështonte. Ministri i Jashtëm sovjetik Molotov shprehu simpati të qeverisë sovjetike për luftën e patriotëve shqiptarë kundër forcave italiane dhe dëshirën për të parë Shqipërinë të rikthehej në pavarësi. Menjëherë pas kësaj deklarate, Kryeministri Merlika-Kruja mbajti një fjalim në Këshillin e Madh Korporativ Fashist (parlamenti) më 23 dhjetor 1942, ku kritikoi deklaratat Hull-Eden-Molotov për Shqipërinë, duke u shprehur se ato kërcënonin unitetin etnik, tansinë kombtare, pasi nuk e pranonin ndryshimet që ishin ndodhur në Shqipëri pas vitit 1939. Uniteti kombëtar që ishte arritur nën qeverinë fashiste (Shqipëria e Madhe) do të humbte kështu. Aleatët i premtonin popullit shqiptar lirinë dhe pavarësinë, por rreziku i afërt nuk ishte politika e fuqive të Boshtit, por rreziku komunist brenda vetë Shqipërisë. Entuziazmi i tij nacionalist çoi të bënte dhe deklaratën pasionante, që “nëse qeveria shqiptare do të ishte e detyruar të zgjidhte midis fitimit të Kosovës dhe humbjes së pavarësisë, ajo do të zgjidhte të humbte pavarësinë, sepse nëse ne mbetemi të bashkuar me Kosovën, një ditë do ta rikthejmë pavarësinë tonë”.
Megjithatë, qeveria e Merlika-Krujës nuk arriti të realizonte aspiratat nacionaliste të vendit të tij. Programi i tij politik i thjeshtë tregonte varësinë e tij politike nga italianët; ai ishte i kufizuar në vendimmarrjen e tij, pasi të gjitha vendimet i paraqiteshin për miratim nga Mëkëmbësi i Përgjithshëm italian. Qeveria e tij pati sukses të kufizuar. Edhe pse ai u mundua të mbante kontakte me nacionalistët që e kundërshtonin atë dhe italianët, dështoi të merrte masa kundër grupeve të rezistencës antifashiste, veçanërisht komunisteve, çka çoi në krijimin e Ushtrisë së Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Stabiliteti i relativ gjatë fazës së parë të aneksimit italian nuk zgjati shumë, kryesisht për shkak të mungesës së efikasitetit administrativ, dështimeve të fushatave të tij kundër Greqisë, situatës ekonomike të përkeqësuar dhe forcës në rritje të rezistencës antifashiste. Më janar 1943, ai shprehu dëshirën për t’u tërhequr nga jeta politike aktive dhe pas shtatorit 1943, nuk bashkëpunoi me gjermanët nazistë. Në shkrimet e tij personale të pasluftës, Merlika-Kruja e paraqet veten si një nacionalist, që karrierën politike e udhëhoqi nga një parim: “të mbrojë dhe t’i shërbejë interesit kombëtar shqiptar”. Bashkëpunimi i tij me regjimin fashist ishte i motivuar nga bindjet e tij nacionaliste nga njëra anë dhe ndjenjat e tij antikomuniste nga ana tjetër. Ai ishte gati të ndërmerrte çdo akt politik për të shërbyer çështjes kombëtare të shqiptarëve, dhe ishte pikërisht gjatë pushtimit fashist që pjesët më të mëdha të Kosovës, Dibrës dhe Çamerisë u bashkuan me Shqipërinë. Ai gjithashtu ishte i motivuar të bashkëpunonte nga kundërshtimi i tij ndaj grupeve të rezistencës nacionaliste shqiptare; shumë nga liderët e tyre ai i kishte marrëdhënie personale që nga koha e veprimtarisë anti-monarkiste. Për të, një fitorja komuniste pas luftës do të shënonte shkatërrimin e Shqipërisë, pasi do ta reduktonte vendin në kufijtë e vitit 1912 dhe kështu do të linte jashtë gjysmën e kombit shqiptar. Ashtu siç ka shkruar ai vetë një herë, një nga arsyet që ai pranoi të bëhej kryeministër dhe të bashkëpunonte me Italinë fashiste ishte kundërshtimi i tij ndaj komunizmit, i cili, sipas tij, do të pengonte lirinë e Shqipërisë. Kështu, pas aktivizmit politik të rezistencës së majtë dhe krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë nga emisarët jugosllavë, ai pranoi propozimin e Jacomonit për t’u bërë “Kryeministri i Quisling iShqipërisë”.
Përfundime
Në shkrimet e tij personale, të publikuara nga familja e tij në Shqipëri, Kruja e përshkruan veten si një nacionalist, karriera politike e të cilit udhëhiqej nga një parim: “të mbronte dhe t’ishërbente interesit kombëtar shqiptar.” Bashkëpunimi i tij me regjimin fashist u motivua nga bindjet e tij nacionaliste nga njëra anë, dhe ndjenjat e tij antikomuniste, nga ana tjetër. Ai ishte i gatshëm të ndërmerrte çdo akt politik për t’i shërbyer çështjes kombëtare shqiptare. Kjo shpjegon pse Kruja shërbeu italianët dhe fuqitë e Boshtit dhe refuzoi deklaratat e Aleatëve në dhjetor 1942, që do të kishin rrezikuar interesat kombëtare të Shqipërisë pas luftës. Ai gjithashtu u motivua të bashkëpunonte edhe prej aktivitetit të grupeve të majta shqiptare. Për të, një fitore komuniste pas luftës do të nënkuptonte shkatërrimin e Shqipërisë.
Nga koha kur shkoi në mërgim në vitin 1944 deri në vdekjen e tij në 1958, Kruja nuk u përfshi në asnjë aktivitet politik kundër regjimit komunist dhe as nuk ishte anëtar i ndonjë organizate politike shqiptare. Megjithëse simpatizonte Bllokun Indipendent Shqiptar të Ernest Koliqit dhe madje mori pjesë në mbledhjet e tyre në Egjipt dhe Itali, ai nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në vendimet e tyre. Kruja mori azil politik nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1956 dhe deri në vdekjen e tij në dhjetor 1958, iu përkushtua kryesisht shkrimeve të tij.