HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi ynë moral, si dhe i çdo gjenerate shqiptare, ndaj historisë dhe së ardhmes të kombit tonë.
Beteja e Kolesianit
Nderimi për luftëtarët që sakrifikuan dhe flijuan jetën për lirinë e Shqipërisë është shprehja më e drejtpërdrejtë e atdhedashurisë që duhet të mbartë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike.
Parë nga ky këndvështrim, përjetësimi i emrit të dëshmorit të atdheut Emin Cibaku (me një vendim unanim të këshillit të Bashkisë Dibër) duke i vendosur emrin e tij segmentit rrugor nga kryqëzimi i rrugës Peshkopi – Kukës deri në qendër të fshatit Sohodoll, është ndër vendimet më të vlerësuara nga komuniteti dibran e më gjerë. Kjo për faktin se vlerësimi i gjakut të derdhur për Shqipërinë është borxhi, që kemi të gjithë ne që gëzojmë lirinë ndaj sakrificës së tyre sublime.
HISTORIA
Dëshmori i atdheut Emin Habedin Cibaku ka lindur në Sohodoll të Dibrës rreth vitit 1856. Ishte i martuar me Sibe Veselin nga Cetushi, dhe kishin tre fëmije: Habedini, Qamili dhe Shiretja (Vraniçi). Jetonin së bashku me vëllain e tij më të madh, Abdullahin. Familja e tyre janë marrë me bujqësi e blegtori.
Në vitet kur Perandoria Osmane po jetonte fundin e saj, vendet fqinje shtuan përpjekjet për aneksimin e trojeve shqiptare: serbët e malazezet në Veri dhe grekët në Jug. Duke konkretizuar orekset e tyre shoviniste, deri në fillim të nëntorit 1912, serbët kishin pushtuar Prizrenin, Gjakovën e Hasin, dhe po përgatiteshin me forca të shumta për të sulmuar Lumën e Dibrën, dhe pastaj t’i drejtoheshin Durrësit.
Ndërkohë, në anën tjetër, forcat atdhetare po mobilizonin vullnetare në Dibër e Lumë, për të mbrojtur trojet amtare. Edhe nga Sohodolli dolën dhjetëra vullnetarë që rrokën armët për t’i dalë zot atdheut.
“Të shkoni e të vini shën dosh”- i uruan bashkëfshatarët që kishin dalë për të përcjellë luftëtarët. “Në qoftë se e çojmë serbin në Beograd, kthehem në Sohodoll, në të kundërt jo, se nuk e duroj serbin ndër gra e fëmijë”,- iu përgjigj Emin Cibaku.
Sipas historianëve, rreth 3 mijë luftëtarë lumjanë dhe 1 mijë dibranë, ishin vendosur në mbrojtje në Qafën e Kolesjanit përballë mbi 20 mijë ushtarëve serb.
“Ishim vendosur në vijën e parë të mbrojtjes me Eminin, Brahim Përgjegjin e Beqir Bushin”-tregonte Dalip Tafa pas kthimit në Sohodoll.
“Lufta filloi e ashpër, plumba e predha, të vrarë e të plagosur nga të dy anët. Erdhi urdhri për një tërheqje, për të zënë pozicione të reja luftimi. Tërhiquni ju, – thotë Emini, unë po vazhdoj të hap zjarr që t’ju mbroj gjatë tërheqjes. Por, sapo ishim larguar pak, Emini goditet në gjoks nga një plumb armik. Kthehemi menjëherë, dhe me disa bashkëluftëtarë, marrim trupin e pajetë te tij, dhe ia dërgojmë imamit të fshatit për ta varrosur, sepse ne u kthyem menjëherë në frontin e luftës” – ka treguar Dalipi për rënien e Eminit në luftën e Kolesjanit.
Siç shkruan akademik Fatos Daci – “Mjeshtër i Madh”: “Forcat shqiptare, dibrane e lumjane korrën një fitore të shkëlqyer, duke asgjësuar plotësisht ushtrinë serbe, e cila la në fushën e betejës plot 12.000 të vrarë. Kjo betejë, unikale për nga përmasat, heroizmi dhe të vrarët qe një Termopile shqiptare dhe një Vaterlo për serbët”.
HAKMARRJA
Një vit më vonë, në tetor 1913, barbarët serbë kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile në Dibër, duke djegur e plaçkitur, duke vrarë e prerë gra, fëmijë e pleq. Në Sohodoll vranë edhe vëllain e Eminit, Abdulla Cibaku, si dhe plaçkitën bagëtitë dhe dogjën shtëpitë e tyre.
Për këtë, mjafton t’i referohemi albanologut të mirënjohur Robert Elsie, i cili në artikullin “Masakrat serbe në Dibër, 1913”, botuar në gazetën e përditshme Corriere delle Puglie, Bari, XXVI, 354, e 21 dhjetorit 1913. (nga anglishtja Gëzim Aliu) (botuar edhe në: Albanica Ekskluzive: revistë mujore për dije e kulturë, Prishtinë, 73-74, tetor/ nëntor 2007, f. 17-), ndër të tjera shkruan se: “…..Në Sohodoll, i dogjën tri shtëpi dhe i masakruan katër burra: Abdullah Abedinin, Tusun Dalipin, Sulejman Bahtiarin dhe Dalip Ismajlin, si dhe një grua me emrin Belure dhe të birin e saj gjashtëvjeçar me emrin Mazllum (Methasani). Po ashtu, i vodhën edhe 200 dele e 30 kuaj….”
Për kontributin e tij ndaj atdheut, Emin Cibaku është vlerësuar nga Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit Dibër, i cili me vendimin nr. 72 datë 23.5.1978 e shpall: “Dëshmor i atdheut”.
Këshilli i Komunës Kastriot, me vendimin nr. 28 datë 15.11.2012 e shpall: “Nderi i komunës”. Këshilli Bashkiak Dibër, me vendimin nr. 11, datë 31.01.2024 vendosi që, segmenti rrugor nga kryqëzimi i rrugës Peshkopi – Kukës deri në qendër të fshatit Sohodoll, të emërtohet: Rruga “Emin Cibaku”, duke përjetësuar kështu emrin e tij.
IDENTITETI
Vlerësime të tilla si ai i Këshillit të Bashkisë Dibër për dëshmorin e atdheut Emin Cibaku është në radhë të parë nderimi dhe respekti ndaj vetë identitetit kombëtar, ndaj integritetit si shqiptarë dhe dinjitetit tonë njerëzor.
Rivlerësimi i heronjve dhe atdhetarëve në këndvështrimin europian të një shoqërie demokratike i lartëson dhe përjetëson aktet e tyre në realitetet e reja aktuale dhe të perspektivës së kombit. Ai është një refleks i përmbajtjes dinamike të vetë historisë së një kombi.
Vlerësimi dhe rivlerësimi i kontributit dhe akteve historike të Heronjve, Dëshmorëve apo Atdhetarëve të shquar, përherë është lidhur dhe duhet të lidhet me interesin mbarëkombëtar dhe jashtë këndvështrimit politik aktual apo të kohës në të cilën janë kryer këto akte. Në këtë kontekst duhet vlerësuar edhe Beteja e Kolesianit e nëntorit 1912 (e njohur si prelud i pavarësisë), kur rreth 4000 lumjanë e dibranë, të armatosur ishin pozicionuar në formë patkoi, duke harkuar mbi pozicionet serbe, poshtë Qafës së Kolesjanit, nga lindja e perëndimi.
Beteja e Kolesjanit, gjatë së cilës ra dëshmor edhe trimi Emin Cibaku nga Sohodolli, meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo pengoi drejtpërdrejt forcat e Armatës së Tretë serbe, duke i gjakosur, rraskapitur e vonuar në realizimin e qëllimit serb, për të dalë në Adriatik e për të bërë fakt të kryer pushtimin e Shqipërisë para Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare./Gazeta Panorama