Më 5 dhjetor u mbushën 30 vjet që kur Ukraina firmosi marrëveshjen për të dorëzuar arsenalin bërthamor, i treti më i madh në botë, në atë kohë. Ndërsa agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës po i afrohet vitit të tretë, Kievi e cilëson tani marrëveshjen me Moskën, si dritëshkurtër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Tatiana Vorozhko i hedh një vështrim historisë së kësaj marrëveshjeje.
5 dhjetor 1994. Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë nënshkruajnë Memorandumin e Budapestit. Steven Pifer ndihmoi në negocimin e traktatit.
“Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Rusia u zotuan të respektojnë sovranitetin, pavarësinë dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës dhe u zotuan të mos përdorin forcë, ose të kërcënojnë se do të përdorin forcën kundër Ukrainës”, shprehet zoti Pifer.
Ukraina, e cila trashëgoi arsenalin e tretë më të madh bërthamor pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ra dakord t’i transferonte të gjitha armët bërthamore në Rusi për t’u çmontuar dhe të nxirrte jashtë përdorimit depot nëntokësore prej ku mund të lëshoheshin raketat bërthamore.
Mariana Budjeryn, është autore e një libri mbi ngjarjet e asaj kohe.
“Pjesë e marrëveshjes ishin edhe çështje të tjera, si asistenca teknike dhe financiare”, shprehet ajo.
Në vitin 2014, Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë nga Ukraina dhe nxiti një lëvizje separatiste në rajonet lindore të Ukrainës. Në vitin 2022, filloi sulmin në shkallë të gjerë.
Në një deklaratë të fundit, Ministria e Jashtme e Ukrainës e cilësoi Memorandumin e Budapestit “një dëshmi të dritëshkurtësisë në vendimmarrjen strategjike të sigurisë”. Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha solli një kopje të memorandumit në takimin e NATO-s para disa ditësh.
“Ky dokument, ose kjo letër, dështoi që të ruante sigurinë e Ukrainës dhe sigurinë trasnatlantike. Ndaj, duhet të shmangim përsëritjen e gabimeve të tilla”, u shpreh ministri Sybiha.
Kievi thotë se e vetma garanci reale për sigurinë e Ukrainës dhe pengimin e agresionit të mëtejshëm rus ndaj saj, është anëtarësimi i Ukrainës në NATO.
Petro Poroshenko, udhëheqës opozitar dhe ish-President i Ukrainës, ndan të njëjtin mendim.
“Firmosja e një ftese për anëtarësim në NATO duhet konsideruar si një vazhdim i detyrimeve të partnerëve tanë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, që rrjedhin nga Memorandumi i Budapestit. Ky ishte një parakusht kur Ukraina hoqi dorë vullnetarisht nga aresnali i tretë më i madh bërthamor në botë”, shprehet zoti Poroshenko.
Si zonja Budjeryn dhe zoti Pifer thonë se në periudhën e memorandumit, Ukraina kishte nevojë për më shumë aftësi teknike dhe ekonomike për të ruajtur dhe zhvilluar arsenalin bërthamor, si një mekanizëm frenues për Rusinë.
Megjithatë, zonja Budjeryn thotë se Ukraina mund të kishte investuar më shumë në aftësitë e saj ushtarake konvecionale.
“Asnjë dokument i vetëm, sado ligjërisht i detyrueshëm, sado i shkruar mirë, nuk është një bazë e mjaftueshme për sigurinë kombëtare. Çdo vend duhet të investojë për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare”, shprehet ajo.
Zoti Pifer thotë se Memorandumi i Budapestit nuk është i vetmi dokument që rusët e nënshkruan dhe e shkelën, çka ngre pyetje në lidhje me marrëveshjet e ardhshme me Moskën.
“Ndodhi edhe në Traktatin Rusi-Ukrainë të vitit 1997 mbi Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Paqen. Ka patur disa dokumente të tjera ku qeveria ruse është shprehur qartë: “Ne e njohim Ukrainën në kufijtë e 1991.”
Shkeljet tregojnë gjithashtu brishtësinë e sistemit ndërkombëtar të sigurisë, thotë zonja Budjeryn.
“Efektshmëria e tyre varet nga shtetet që vëzhgojnë vullnetarisht, por po aq edhe nga shtetet që reagojnë në mënyrën e duhur ndaj shkeljeve.”
Zyrtarët rusë fajësojnë Ukrainën dhe partnerët e saj për shkeljen e Memorandumit të Budapestit, sepse, siç thonë ata, zgjerimi i NATO-s kërcënon interesat ruse të sigurisë.