Presidenti sirian, Bashar al-Assad, është larguar nga shteti, njoftoi aleatja e Qeverisë së tij, Rusia, teksa rebelët thanë se kanë marrë kontrollin e kryqytetit, Damask, pasi ditëve të fundit kanë kryer një ofenzivë të shpejtë.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se Assadi “vendosi të jepte dorëheqje” pas “negociatave” me “një numër të pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur” dhe u largua nga detyra “duke lënë instruksione për transferimin paqësor të pushtetit”.
“Rusia nuk mori pjesë në këto negociata”, tha ministria.
Kjo deklaratë erdhi, pasi rebelët përmes një deklarate të publikuar në televizionin shtetëror sirian tha se Damasku “tani është i lirë nga Assadi”, familja e të cilit ka sunduar me grusht të hekurt këtë shtet për më shumë se 50 vjet.
The statement came as the rebels said in a statement aired on state TV that Damascus is “now free of Assad,” whose family ruled the country with an iron fist for more than 50 years.
Vendndodhja e presidentit Bashar al-Assad nuk dihet, megjithëse Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britani, tha se Assadi ishte larguar me një aeroplan nga Damasku dhe kishte lënë vendin herët në mëngjesin e 8 dhjetorit. Nuk u tha se ku kishte udhëtuar Assadi.
Ndërkaq, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka shkruar në llogarinë e tij në Truth Social se “Assadi është larguar nga shteti. Mbrojtësja e tij, Rusia, nuk ishte e interesuar që ta mbronte më”.
Ky raportim nuk mund të konfirmohej, por kryeministri sirian Mohammad Ghazi al-Jalali tha në një video se Qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”.
“Ne besojmë se Siria është për të gjithë sirianët dhe se është vendi i të gjithë bijve të saj, dhe se ky vend mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën pa u përfshirë në ndonjë aleancë apo bllok rajonal”, tha al-Jalali, duke shtuar se ai ishte ende në shtëpi në Damask dhe nuk kishte ikur.
Abu Mohammad al-Golani, një udhëheqës i grupit rebel, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), tha në orët e vona të 7 dhjetorit se luftëtarët rebelë ishin “në momentet e fundit të çlirimit të Homsit”, një qytet me 775.000 banorë.
HTS-ja konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.
Kush është HTS-ja?
Hayat Tahrir al-Sham (HTS) është grup militant islamist, anëtarët e së cilit janë kryesisht salafistë, një sekt ultra-radikal i islamit sunit. Ky grup kërkon themelimin e një shteti në Siri që qeveriste sipas ligjit islamik.
Grupi u shfaq në skenë më 2012, një vit pas nisjes së luftës civile siriane. Fillimisht, grupi u shfaq me emrin Jabhat al-Nusra, apo Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidas.
I udhëhequr nga Muhammad al-Julani, grupi merrte urdhra nga Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i Al-Kaidas në Irak. Baghdadi më pas shkëputi lidhjet me Al-Kaidan dhe themeloi grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), grup në të cilin Julani refuzoi të bëhej pjesë.
Fronti Nusra u shndërrua në një nga grupet më vdekjeprurëse që luftojnë kundër Assadit dhe përdor taktika, sikurse bombardimet vetëvrasëse dhe pajisjet artizanale plasëse.
Grupi militant më pas ndryshoi emrin disa herë dhe u distancua nga Al-Kaida. Më 2017, ajo u bashkua me grupe të tjera opozitare në veriperëndim të Sirisë për të formuar HTS-në.
Ky grup është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe grupet aleate.
Humbje për Rusinë
Ekspertët thanë se rënia e regjimit të Assadit do të paraqesë një humbje të madhe gjeopolitike për Kremlinin, i cili së bashku me Teheranin kanë mbështetur Qeverinë siriane përgjatë luftës civile që nisi më 2011.
Instituti për Studim të Luftës, me bazë në SHBA, tha se “forcat e regjimit të Assadit kanë kolapsuar dhe mbështetësit e Assadit duket se nuk kanë vullnet që të mbështesin ushtrinë arabe siriane, duke dislokuar menjëherë forca shtesë”.
Rusia ka disa ndërtesa ushtarake në Siri, përfshirë bazën ajrore në Hmeimim dhe një bazë strategjike detare në Tartus, baza që janë përdorur po ashtu për të mbështetur veprimet e Kremlinit në Afrikë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk pranoi të komentonte për fatin e bazave ruse, duke thënë se “nuk është në interesin e askujt që të hamendësojmë”.
Instituti për Studim të Luftës tha se Moska ende nuk është evakuuar nga baza, “por mbetet e paqartë nëse Rusia do të mbajë anije në port, teksa rebelët sirianë vazhdojnë të avancojnë me shpejtësi në territoret e mbajtura nga regjimi”.
Konstantin Kosachyov, zëvendëskryetar i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, tha më 8 tetpr se të gjithë sirainët duhet të përballen vet me luftën në shkallë të plotë, por sugjeroi se Moska është e gatshme të mbështesë popullin sirian në rrethana të caktuara.
Ruslan Suleymanov, ekspert rus për Lindjen e Mesme, i tha Radios Evropa e Lirë se Moska do të “bashkëpunojë me rebelët” nëse ata e marrin pushtetin në Damask dhe se HTS-ja po ashtu “ka pretenduar më herët se është e gatshme të negociojë” me Kremlinin.
“Putini dëshiron të shpëtojë praninë e tij ushtarake në rajon. Në çdo rast, për ta bërë këtë, ai duhet të bëjë koncesione, si me xhihadistët ashtu edhe me [presidentin turk, Recep Tayyip] Erdogan, i cili mbështet [rebelët]”, tha ai.
Ndërkohë, presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të kenë asnjë lidhje” me luftën në Siri, ku një kontingjent i vogël i forcave amerikane vazhdon të jetë i dislokuar në disa zona.
Ofensiva e befasishme nisi më 27 nëntor nga një koalicion i grupeve të rebelëve. Ofensiva udhëhiqet nga HTS-ja.
Përveç HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia mohon se mbështet ofensivën, edhe pse ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.
Më 6 dhjetor, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona mund të detyrohen të zhvendosen, teksa rebelët po avancojnë dhe po i shkaktojnë humbje Assadit, por edhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.
Assadi është varur nga Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet që kur shpërtheu konflikti më 2011.
Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata morën edhe qytete të tjera të mëdha, teksa forcat e Asadit bënë pak rezistencë.
Rajoni dhe bota reagon për zhvillimet në Siri
Zhvillimet në Damask kanë shtyrë fqinjët e Sirisë që të ndërmarrin masa urgjente. Libani ka njoftuar për mbylljen e të gjithë kufijve tokësore me Sirinë, përveç njërit që lidh Bejrutin me Damaskun.
Jordania po ashtu ka mbyllur kufijtë me Sirinë.
Izraeli tha se ka dislokuar trupa në zonën neutrale që gjendet përgjatë kufirit të tij verior me Sirinë dhe ka dërguar trupa “në vende të tjera të nevojshme për mbrojtjen tonë”.
Ushtria izraelite tha se ky dislokim është bërë për të ofruar siguri për banorët në Lartësitë e Golanit, të aneksuara nga Izraeli.
Shtetet e Bashkuara thanë se do të mbajnë praninë e tyre në lindje të Sirisë dhe do të ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar rishfaqjen e grupit ekstremist, Shteti Islamik në rajon.
Zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes për Lindjen e Mesme, Daniel Shapiro, tha se Uashingtoni “është në dijeni për rrethanat kaotike dhe dinanike në terren në Siri që mund t’i japin hapësirë IS-it që të gjejë mënyrë për t’u bërë aktiv dhe të planifikojë sulme të jashtme”.
Duke folur në një konferencë të sigurisë në Bahrejn, Shapiro tha se SHBA-ja është e vendosur që të punojë me partnerët “për të vazhduar që të denigrojë aftësitë e IS-it”.
I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, u kërkoi të gjithë aktorëve në Siri që të mbajnë rendin dhe ligjin dhe të ruajnë institucionet publike.
Ai tha se nuk ka informacione për vendndodhjen e Assadit.
Tom Fletcher, kreu i agjencisë për ndihmë humanitare të OKB-së, paralajmëroi për gjendjen e rëndë të miliona sirianëve të zhvendosur si pasojë e luftës 14-vjeçare civile. Shumë të tjerë janë në rrezik, tha Fletcher.
Megjithatë, ai tha se do të ndihmojnë civilët në Siri me furnizime, por edhe me ngritjen e qendrave të pritjes për të zhvendosurit.
Shefja për diplomaci e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, shkroi në X se fundi i diktaturës së Assadit është zhvillim pozitiv.
“Po ashtu tregon dobësimin e mbështetësve të Assadit, Rusisë dhe Iranit. Prioriteti ynë është të sigurohemi që rajoni të jetë i sigurt”, tha ajo.
Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “më në fund ka rënë shteti barbar” i Assadit.
Ndërkaq, zëvendëskryeministrja britanike, Angela Rayner, bëri thirrje për “zgjidhje politike”. REL