Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, presidenti francez Emmanuel Macron dhe udhëheqësi i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u takuan për bisedime në Paris të shtunën, para se të merrnin pjesë në një ceremoni madhështore që shënon rihapjen e Katedrales Notre Dame, pesë vjet pasi ajo u dëmtua rëndë nga zjarri.
Udhëtimi në Francë shënon kthimin e zotit Trump në skenën botërore, ndërsa përgatitet për t’u përballur me një mori krizash ndërkombëtare kur të marrë detyrën më 20 janar.
Presidenti Zelenskiy dhe udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar se zoti Trump mund të ndalë ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën në një moment vendimtar në betejën e saj për të zmbrapsur agresionin e Rusisë.
Para se të përshëndeteshin me Presidentin Zelenskiy, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Francës u përshëndën ngrohtësisht në shkallët e Pallatit Elize. Është udhëtimi i parë i zotit Trump jashtë vendit që kur fitoi zgjedhjet presidenciale një muaj më parë dhe kjo vizitë mund t’i ofrojë zotit Macron një mundësi për të luajtur rolin e ndërmjetësit midis Evropës dhe zotit Trump, një rol që udhëheqësi francez e ka luajtur edhe në të kaluarën.
Presidenti Macron është një përkrahës i fortë i aleancës së NATO-s dhe luftës së Ukrainës, ndërsa zoti Trump mendon se vendet evropiane duhet të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre të përbashkët dhe fundi i luftës në Ukrainë duhet të sigurohet përmes një zgjidhjeje e negociuar.
Presidenti i zgjedhur Trump i tha Presidentit Macronit se kishin shënuar “sukses vërtet të madh” kur kishin bashkëpunuar gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
“Dhe sigurisht bota duket disi e çmendur aktualisht. Dhe ne do të flasim për këtë,” vazhdoi zoti Trump.
“Zoti Macron po i kthehet përsëri një qasjeje që pati një sukses të kufizuar gjatë mandatit të parë të zotit Trump. Macron e di se zoti Trump vlerëson shumë pompozitetin dhe madhështinë e ceremonive shtetërore dhe (Macron) ia ofron një gjë të tillë me bujari,” thotë Heather Conley e Fondit Gjerman Marshall.
Zoti Trump po merr pjesë në krah të dhjetëra udhëheqësve botërorë dhe personaliteteve të huaja në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame 5 vjet e gjysëm pasi ajo u dëmtua rëndë nga zjarri. Presidenti i zgjedhur Trump do të takohet edhe me Princin Uilliam të Britanisë.
NJË CEREMONI NË NJË SKENË GLOBALE
Republikani Trump ishte në pushtet kur Notre-Dame u shkatërrua nga zjarri në vitin 2019 dhe vizitoi Francën katër herë ndërsa ishte president nga 2017-2021, përfshirë ceremonitë e përvjetorit të Ditës së Zbarkimit të Aleatëve në Normandi në vitin 2019.
Bashkëshortja e Presidentit Joe Biden, zonja e parë Jill Biden, përfaqëson Shtetet e Bashkuara në ceremoninë për rihapjen e Katedrales Notre-Dame.
Këshilltari republikan Doug Heye tha se Trump do të përcjellë imazhin e një burri shteti në Paris.
“Kjo është ceremonia më madhështore në botë dhe ai do të jetë bashkë me udhëheqësit e tjerë”, thotë ai.
Presidenti Macron, i cili po përballet me një krizë të thellë politike në vend pasi qeveria e tij u rrëzua nga parlamenti këtë javë, ndoqi një qasje akomoduese ndaj jokonfrontuese ndaj zotit Trump gjatë mandatit të parë të këtij të fundit, duke shpresuar se duke u angazhuar me të, mund të siguronte më shumë bashkëpunim.
Por me kalimin e viteve, vendimet për politikat mbi klimën, taksat dhe Iranin në veçanti shkaktuan fërkime midis dy udhëheqësve.
Edhe në mandatin e dytë të zotit Trump mund të ekzistojë potenciali për mosmarrëveshje, duke pasur parasysh synimin e tij për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse ndaj Evropës dhe partnerëve të tjerë tregtarë të SHBA-së, si edhe pikëpamjet e ndryshme për konfliktin Ukrainë-Rusi.
“Ardhja e (zotit) Trump në Paris është një ‘arritje pozitive’ për Emmanuel Macronin,” tha Gerard Araud, një ish-ambasador francez në Uashington. “Është e domosdoshme të kesh një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të vetmin njeri që ka rëndësi në administratën Trump, vetë Trumpin.”