Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ka shpallur gjendje lufte, duke e akuzuar opozitën se është “forcë antishtetërore” dhe duke thënë se po vepron për të mbrojtur vendin nga “kërcënimet” që paraqet Koreja e Veriut.
Asambleja Kombëtare u mbyll mbrëmjen e 3 dhjetorit dhe helikopterët u panë duke bërë ulje në çatinë e Parlamentit, teksa shefi i ushtrisë, gjenerali Park An-su, mori përsipër komandën sipas vendimit për shpalljen e gjendjes së luftës dhe menjëherë lëshoi dekretin që ndalon “të gjitha aktivitetet politike”.
Qindra protestues u mblodhën para Parlamentit duke kërkuar që të lejohen të hyjnë brenda, teksa Policia ruajti ndërtesën dhe forcat speciale tentuan të hynin.
Koreja e Jugut është aleate e madhe e Shteteve të Bashkuara në Azi dhe një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së tha se Uashingtoni “po monitoron nga afër situatën”.
Njoftimi i befasishëm i Yoonit – kjo është hera e parë në mbi 40 vjet që Koreja e Jugut shpall gjendje lufte – erdhi në kohën kur partia e tij dhe opozita po përplasen për buxhetin.
“Për të ruajtur Korenë e Jugut si vend liberal nga kërcënimet që paraqesin forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementet antishtetërore që rrëmbejnë lumturinë dhe lirinë e njerëzve, shpall gjendje emergjente lufte”, tha Yoon gjatë adresimi drejtuar kombit.
Ai nuk dha detaje lidhur me kërcënimet sa i përket Veriut, por Jugu teknikisht është në luftë me Phenianin që ka armë bërthamore.
“Duke shpërfillur jetën e njerëzve, partitë opozitare kanë paralizuar qeverisjen vetëm për shkak të qëllimit për shkarkime, hetime speciale dhe për të mbrojtur liderët e tyre nga drejtësia”, tha Yoon.
“Asambleja jonë Kombëtare është bërë strehë për kriminelët, një strofull e diktaturës që kërkon të paralizojë sistemin gjyqësor dhe administrativ dhe të përmbysë rendin tonë liberal e demokratik”, shtoi ai.
Me shpalljen e gjendjes së luftës, të gjitha njësit ushtarake në Jug janë urdhëruar që të forcojë gatishmërinë e tyre emergjente dhe të reagimit, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Kina, aleate e Koresë së Veriut, u bëri thirrje shtetasve të saj që gjenden në Jug që të rrinë të qetë dhe të jenë të kujdesshëm.
Shefi i ushtrisë, Park, po ashtu ndaloi “veprimet që nuk e pranojnë apo kërkojnë përmbysjen e sistemit demokratik liberal, përfshirë përmes përhapjes së lajmeve të rreme, manipulimit të opinionit publik dhe propagandës së rremë”.
Presidenti e cilësoi opozitën, që ka shumicën në Parlamentin prej 300 ulësesh, si “forcë antishtetërore që synon të përmbysë regjimin”.
Yoon e përshkroi vendimin për shpalljen e gjendjes së luftës “si të pashmangshme për të garantuar vazhdimësinë e Koresë së Jugut si shtet liberal”, duke shtuar se vendimi nuk do të ketë ndikim në politikën e jashtme të shtetit.
“Do ta rikthej shtetin në normalitet duke hequr qafe forcat antishtetërore sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Ai tha se situata aktuale në Korenë e Jugut “është buzë kolapsit, me Asamblenë Kombëtare që po vepron si një përbindësh që synon rrëzimin e demokracisë liberale”.
Partia Fuqia e Popullit e Yoonit dhe partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, janë duke u përplasur për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Deputetët opozitarë javën e kaluar miratuan zvogëlimin e buxhetit, përmes Komisioneve parlamentare.
Opozita ka shkurtuar afër 2.8 miliardë dollarë nga buxheti i propozuar nga Yooni. Yoon propozoi që buxheti të ishte në vlerë prej 677 trilionë dollarësh. Por, opozita ka shkurtuar fondet e Qeverisë dhe për aktivitetet e zyrës së Yoonit, të prokurorisë, Policisë dhe agjencisë shtetërore të auditimit.
Yoon, ish-prokuror, ka akuzuar deputetët opozitarë se kanë shkurutar “të gjitha shpenzimet thelbësore për funksionimin e shtetit, sikurse është lufta kundër trafikimit të drogës dhe siguria publike… duke e kthyer shtetin në një strehë për trafikantët e drogës dhe kaos sa i përket sigurisë publike”. REL