Unioni Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë kërkojnë Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit: Data 2 dhjetori 2024 të shpallet ditë zie kombëtare për Kolosin Sami Repishtin.
Të nderojmë Rilindasin, Aktivistin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Kontribuesin e pamvarsisë së Kosovës, Kolosin shqiptar në Amerikë Prof. Dr. Sami Repishtin!
DREJTUAR: Zotit Edi RAMA KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
Zoti Albin KURTIT KRYEMINISTËR I KOSOVËS
KËRKESË
Të respektuar Zotrinj Kryeministra, Rama dhe Kurti!
Unioni Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe mbarë viset shqiptare humbën me 27 nëndor 2024 një Dijetar shqiptar, një Marting Luter King, për të drejtat dhe liritë e njeriut me përmasa botërore, një drejtues të devotshëm i komunitetit shqiptar-amerikan, promovuesin më të zellshëm në dekada të marrëdhënjeve shqiptaro –amerikane, Një kritizer i palodhur kundra komunizmit, një ish i burgosur politik i regjimi të tmrreshëm komunistë, përkrahësi ma i madh i të mbijetuarve të vuajtur të komunizmit, dhe krejt jetën e tije në Amerikë ja kushtoi lirisë dhe pamvarsisë së Kosovës shkrimtarin e madh, Prof. Dr. Sami Repishti.
Humbja e Prof. Repishti një ditë para 28 nëndorit në moshën 99 vjeçare për popullin shqiptar, për Kosovën e Shqipërinë ikja e tij në amshim- ndonse e pritshme duke pasur parasysh moshën e tije është një humbje e madhe kombëtare.
Të paharrueshme janë dëshmitë e tij në shumë institucione amerikane për Kosovën, artikujt e trajtesat mbi historinë e Kosovës dhe dashuria e thellë për vlerat e popullit të Kosovës. Edhe në moshë të shtyrë, Sami Repishti dha kontribut të pashoq në shoshitjen e problemeve të mëdha, me të cilat përballej (dhe vazhdon të përballet) Shqipëria postkomuniste. Në tekstet e tij mbizotëronte largpamësia, besimi në virtytet e popullit shqiptar, dëshira për ta parë Shqipërinë një vend në paqe me vetveten dhe të integruar në strukturat euro-atlantike. Edhe kur ishte i dëshpëruar, ai dinte të jepte impulse pozitive.
Sami Repishti u lind në Shkodër më 6 prill 1925. Në vitet 1942-43 studioi historinë në Universitetin e Firences në Itali. Si shumë bashkëqytetarë të tij intelektualë të Shkodrës, edhe Sami Repishti u arrestua më 1946 për shkak të pikëpamjeve të tij politike e patriotike.
Ai ishte një kundërshtar i pamposhtur ndaj diktaturës së Enver Hoxhës. Sami Repishti u dënua me 15 vjet burg, prej të cilave i vuajti 10. Më 1959 u arratis në Jugosllavinë e atëhershme dhe pastaj (më 1962) emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I etur për dije, ai studioi në Nju-Jork, në City University, gjuhën dhe letërsinë frënge. Në këtë shkollë edhe doktoroi.
Lajtmotivi i jetës së tij ishte Kosova dhe lufta ndaj komunizmit. Në vitin e largët 1965, pra para gati 60 viteve, Sami Repishti arriti ta bindë Kongresin Amerikan për të dëgjuar një dëshmi mbi shkeljen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Jugosllavi. Atëherë në pushtet ishte ende shtypësi i madh i shqiptarëve Aleksandar Rankoviqi. Të panumërta janë letrat e peticionet që profesor Sami Repishti i inicioi dhe shkroi për Kosovën.
Më 1986 ai kërkoi nga zëvendëspresidenti amerikan George Bush hapjen e zyrës amerikane në Prishtinë dhe të zyrës së Kosovës në Uashington. Nganjëherë historia merr kahje të pabesueshme. Më 2007 Shqipërinë e vizitoi i biri i Bushit, George W. Bush, i cili ishte President i SHBA-së. Në një konferencë për shtyp ai tha: “Në një moment të caktuar, më herët se më vonë, duhet të thuash mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”.
Kontributi dhe misioni i Profesor Repishtit u realizua, Kosova sot shtet i pamvarun!Dënimi i krimeve të komunizmit i kërkuar prej tij që në gusht 1992, nuk u realizua i cili ishte pengu i tije. Sipas të dhënave të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, Sami Repishti ka botuar librat: “Ten memoranda – The Plight of the Albanians in Yugoslavia”, 1988 (“Dhjetë memorandume – Situata e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavi”); “Kosova 2000 – Përshtypje udhëtimi”, 2001; “Nën hijen e Rozafës”, 2004. Kujtimet e tij i ka përmbledhur në librin: “Pika loti: tregime burgu” (1997). Ai është organizator dhe bashkëthemelues i disa organizatave si: Miqtë Amerikanë të Shqipërisë (1992), Këshilli Kombëtar Shqiptar Amerikan (1996). Sami Repishti është nderuar me medaljen e artë “Pishtar i Demokracisë”, me Urdhrin “Naim Frashëri” si dhe me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të cilën ia ndau Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Të nderuar Zotrinj Kryeministra!
Në emër të 100.000 familjeve shqiptare që provuan gjenocidin komunist, por dhe familjeve fisnike shqiptare të intelektualëve që i vrau diktatura ju bëj thirrje që data 2 dhjetor 2024 ditën që varoset në tokën amerikane trupi i shqiptarit të madh Sami Repishtit të shpallet ditë Zie Kombëtare në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët për të nderuar këtë patriot të madh të kombit shqiptar! Shqipëria dhe Kosova i kan borgj këtij burri që një shekull ja kushtoi kombit dhe bashkëqytetarve të tije. Dijet e tije , kontributi i tije, memorizohet në plejadën e rilindësve shqiptar që i dhanë këtij kombi emrin e nderuar botëror. Profesor Dr Sami Repishti, jo vetëm sot në kalimin tuaj në amshim, por me fjalët dhe veprat e tij shembullore, ai gjithmonë na ka ftuar dhe kujtuar duke na bërë thirrje edhe sot që të mos harrojmë krimet e së kaluarës. Por, është e rëndësishme për pajtimin shoqëror dhe kombëtar, ka thënë ai, që ato të korrektohen, me qëllimin dhe shpresën që të mos përsëriten më!
Dr.Besim Ndregjoni Aktivistë i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut
Presidenti i Unionit Mbarkombëtar Integrimit
të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipëri
Rr.”George W Bush” (godina e IIPP) Tiranë