Një jetë e jashtëzakonshme njerëzore te e cila mund të lexohet i gjithë fati i shqiptarëve, u shua sot teksa po bëhej njëshekullore. Sami Repishti vdiq më 27 nëntor 2024, në moshën 99 vjeçare, duke na lënë pas shembullin e një shqiptari të madh që gjithë jetën e tij e mbushi me aktivizëm për çështjen shqiptare kudo që veproi.
I lindur më 1925, Sami Repishti u arrestua më 1946 nga autoritetet komuniste dhe u dënua me akuzë për agjitacion dhe propagandë, 15 vjet burgim. Më 1956 ai u lirua nga burgu kurse më 1960, u arratis në Jugosllavi, prej andej në Itali, para se të largohej përfundimisht për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u doktorrua për frëngjishte nga Universiteti i Nju Jorkut dhe ndërtoi një karrierë të pasur prej pedagogu. Sami Repishti ka dëshmuar dhe përfaqësuar disa herë në emër të shqiptarëve në Kongres, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më 1996 Sami Repishti e themeloi dhe e drejtoi deri më 1998, Këshillin Kombëtar Shqiptaro – Amerikan duke dhënë kontribut edhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Për të njohur vuajtjet e tij dhe të shokëve të tij në burgjet e komunizmit, referohen dy librat e tij: “Nën hijen e Rozafës” dhe “Pika loti”.
Komuniteti shqiptaro-amerikan e kishte një nga zërat më të fuqishëm ndër ta, kurse shqiptarët e kishin dhe do ta kujtojnë si një burrë të fisëm që e ngriti veten mbi vuajtjet e burgut, duke u bërë një nga më aktivët dhe më të përkushtuarit për çështjen shqiptare.
Mes nderimesh të thella për jetën dhe veprën e Sami Repishtit, duke e ngushëlluar familjen Repishti, kolegët dhe miqtë e tij. Sami Repishti, u kujtoftë për gjithë çfarë bëri dhe çfarë la pas! sn