Kryetari i FRPD-së, Besart Xhaferri, në një postim në rrjetin socuial Facebook, ngriti shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, duke iu referuar një letre publike nga Forumi Rinor i Partisë Popullore Evropiane (YEPP).
Në reagimin e tij, Xhaferri thekson tentativat për të asgjësuar opozitën dhe për të shtypur garën e ndershme elektorale, duke paralajmëruar rrezikun për integrimin e vendit në BE. Ai vë në pah mbështetjen e YEPP për Partinë Demokratike dhe forumet rinore, si dhe kritikën ndaj qeverisë për shtypjen e zërave opozitarë. Sipas Xhaferrit, këto zhvillime minojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente për të rikthyer demokracinë dhe shpresën për të rinjtë.
POSTIMI I XHAFERRIT:
Në Shqipëri zërat e opozitës po shtypen dhe po tentohet të agjësohet gara e ndershme elektorale që është tipar dallues i një shoqërie demokratike.
Alarmi është ngritur nga Forumi Rinor i Partisë Popullore Evropiane YEPP që përmes një letre publike shpreh shqetësimin e thellë se në Shqipëri po minohet struktura demokratike e vendit në dobi të autokracisë.
Në një kohë që lideri i opozitës Sali Berisha mbahet padrejtësisht me masë sigurie dhe drejtësia po godet ata që përbëjnë rrezik elektoral për Edi Ramën YEPP thekson në reagim se e drejta për një konkurrncë të ndershme politike nuk është vetëm një shenjë dalluese e demokracisë, por një domosdoshmëri për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.
Nga ana tjetër Forumi Rinor i Partisë Popullore Evropiane ngre zërin për plagën më të rëndë të Shqipërisë, eksodin dramatik të rinisë ku sipas YEPP të rinjtë shqiptarë po largohen për shkak të mundësive të kufizuara ekonomike dhe pakësimit të besimit në sistemin politik dhe se ky eksod kërcënon potencialin e ardhshëm të Shqipërisë.
YEPP në letrën publike konfirmon se qëndron fort përkrah Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe forumit të saj rinor FRPD, në luftën e tyre për të rivendosur qeverisjen demokratike dhe për të adresuar këto çështje kritike.
Leta e plotë e Forumit Rinor të Partsë Popullore Evropiane
Rinia e Partisë Popullore Evropiane (YEPP) ripohon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj parimeve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, të cilat janë të gjitha themelore për aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me shqetësim të thellë, ne trajtojmë sfidat urgjente që minojnë strukturën demokratike të Shqipërisë.
Së pari, jemi të alarmuar nga mungesa e institucioneve të fuqishme demokratike në Shqipëri. Siç theksohet në rezolutat e Asamblesë Politike të PPE të Maltës, respektimi i parimeve demokratike dhe sundimit të ligjit është thelbësor për anëtarësimin në BE. Qeverisja e Shqipërisë duhet të sigurojë llogaridhënie, transparencë dhe gjithëpërfshirje në të gjitha nivelet për të mbështetur këto vlera.
Së dyti, ne e pranojmë problemin e rëndë të emigrimit të të rinjve. Shumë të rinj shqiptarë po largohen për shkak të mundësive të kufizuara ekonomike dhe pakësimit të besimit në sistemin politik. Ky eksod kërcënon potencialin e ardhshëm të Shqipërisë dhe nënvizon nevojën urgjente për reforma për të krijuar një mjedis të begatë dhe shpresëdhënës për brezin e ardhshëm.
Për më tepër, ne dënojmë shtypjen e zërave të opozitës nga qeveria. E drejta për një konkurrencë të ndershme politike nuk është vetëm një shenjë dalluese e demokracisë, por një domosdoshmëri për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Partia Popullore Evropiane ka bërë thirrje vazhdimisht për respekt ndaj të gjitha subjekteve politike dhe respektim të normave demokratike.
YEPP qëndron fort përkrah Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe forumit të saj rinor, në luftën e saj për të rivendosur qeverisjen demokratike dhe për të adresuar këto çështje kritike. Ne përgëzojmë përkushtimin e tij të palëkundur ndaj procesit të integrimit europian, i cili përputhet me vlerat e mishëruara në rezolutat e kaluara të PPE për Shqipërinë.
E ardhmja e Shqipërisë si një demokraci e fortë dhe e gjallë brenda familjes evropiane varet nga veprimet e menjëhershme dhe të bashkërenduara për të trajtuar këto sfida. YEPP u kërkon autoriteteve shqiptare të respektojnë angazhimet e tyre ndaj kornizës së anëtarësimit në BE dhe të sigurojnë ruajtjen dhe forcimin e institucioneve dhe parimeve demokratike.
Së bashku, ne parashikojmë një Shqipëri që mishëron plotësisht vlerat evropiane – një komb ku demokracia lulëzon, mundësitë janë të shumta dhe të gjithë qytetarët mund të realizojnë aspiratat e tyre brenda atdheut të tyre.