Të mos shkojmë menjëherë tek politizimi i ngjarjes. Ta shohim atë si evropianët sot se jemi pjesë e Evropës ku edhe e drejta e protestës ka fuqinë e madhe të saj ndërgjegjësuese. Janë bashkatdhetarët shqiptarë në Londër të cilët ose i thërret Shqipëria, ose i thërret Partia. Kur njerëzit prej medias dhe njoftimeve lajmërohen se do të ketë një takim me dyer të hapura qoftë ai kushdo, president a kryeministër, pushtetar apo figurë publike që merret me politikë dhe për më shumë ka vendosur të mbajë ose marrë qeverisjen për një periudhë të ardhshme të Shqipërisë, atëherë ai/ajo kanë detyrimin parësor që të përballen. Të dëgjohen dhe të dëgjojnë. Kjo është demokracia e përballueshme dhe jo sherr me demokracinë.
Ndryshe i bërë me dyer të mbyllura, siç është bërë dhe të tjera herë, takimi i Ramës do ta kishte të sigurt “suksesin” në të gjitha rrafshet dhe sidomos në kapilaritetin organizativ të Rilindjes Socialiste. Kjo do të ndodhte vetëm atëherë në qoftë se shqiptarët-londinezë do të ishin aq shumë të ndikuar ideologjikisht sa ende nuk e dinë dhe nuk e kanë kuptuar se përse ata dhe familjet e tyre janë larguar nga Shqipëria.
Propaganda po ashtu do të ishte e fituar sepse me dyer të mbyllura dhe në “kafazet” e mbyllur të transmetimeve live të televizioneve pa përjashtim ishte i siguruar transmetimi i një imazhi të vetëm.
Rama në Londër.
Herë pas here sipas politikave editoriale televizionet ndryshonin vetëm tituj-mesazhet elektoralë. Por si asnjëherë tjetër ndërprerjet nga protestuesit dhe zhurmat ishin ato që po live e shoqëruan fjalimin nervoz dhe përçarës apo edhe me plot premtime të Ramës si kreu i Rilindjes Socialiste dhe jo si kryeministër i vendit i zgjedhur nga Partia Socialiste.
Në Londër…
Në kryeqytetin që ka thesar fjalën e lirë në publik dhe tolerancën si Hyde Park’s Speakers’ Corner.
Çfarë eksportoi Rama në Londër veç se skandalin se si një qeverisje e korruptuar u kërkon votën njerëzve që nuk ju ka krijuar kushtet më minimale të jetesës në vendlindjet e tyre?
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), shpreh shqetësimin se mediat shqiptare përmes këtij transmetimi propagandistik si dhe me analizat politizuese që do të drejtojnë gishtin tek fajtorët, duhet të konsiderohen si qëndrime të njëanshme dhe që e trazojnë diasporën pikërisht disa muaj përpara zgjedhjeve të vitit 2025, në një kohë kur ata janë shumicë pjesëmarrëse në votime dhe e kanë të drejtën e votës.
Nga Londra e diplomacisë…
Në një shënim të mëparshëm jemi shprehur se zyrtarët formalisht mbajnë pas shpine portretin e Ismail Qemalit*. Kjo po provohet sepse mundin shekullor të burrave të urtë dhe diplomatëve që siguruan pavarësinë dhe kufijtë e Shqipërisë kjo qeverisje tërësisht amatore në diplomaci dhe e tërhequr prej hundësh po e shkatërron.
Si fillim-shekulli i kaluar në Evropën Juglindore po niste Luftën Ballkanike?
Në Nëntorin e 1912 Ismail Qemali përfundoi bisedimet diplomatike me përfaqësues shtetesh dhe nga Vjena me 12 Nëntor u dërgoi një telegram bashkëkombësve ende pa shtet të pavarur se:“Përpara së premtes jemi në Durrës. Të mbledhurit e Delegatëve në Durrës ose Vlorë është krejt i nevojshëm. I ftoni të gjithë, deri sa të vijë unë mbani qetësinë dhe bashkimin. Çështja jonë politike u sigurua fare”.
Çfarë force dhe çfarë mesazhi patriotik kishte një telegram për shqiptarët për Ditën e Pavarësisë 112 vite më parë?
E krahasoni atë me kulturën e sotme politike.
Propaganda, parada dhe influenca në rrjetet sociale të kësaj vizite të Ramës në Londër në prag të Ditës së Flamurit janë mesazhi politik i gabuar. Spektakli më i dështuar kombëtar në sy të kombit dhe të diasporës.
Mos shihni mënyrën se si lajmet dhe analizat do ta trajtojnë skandalin e Rilindjes Socialiste në Londër. Kuptojeni atë si një tik-tak i pushtetit të kalbur që do ta fajësojë në tik-tok protestën e atyre emigrantëve që kanë sakrifikuar jetët e tyre për të emigruar në Angli.
Kujtoni disa nga pankartat e protestuesve brenda sallës dhe jashtë saj. Pjesa më e madhe e emigrantbve protestues janë larguar në 12 vitet e fundit për shkak të varfërisë dhe korrupsionit.
Kujtoni dhe krahasoni edhe udhëtimet e Ismail Qemalit si dhe patriotëve shqiptarë në delegacionin e pavarësisë si sot 112 vite më parë në një muaj nëntor si ky dhe e krahasoni se çfarë force kishte mesazhi i unitetit kombëtar i një “varke dhe një karvani” patriotësh për të ngritur flamurin në Vlorë me 28 Nëntor, 1912 dhe shpallur pavarësinë.
Krahasojeni atë ndjenjë me sot në vigjilje të festës së pavarësisë ku shtirja e politikanëve dhe shfaqjet me shpura shoqëruesish kryhen me avionë privatë dhe ku kryetari i Rilindjes Socialiste jashtë çdo realiteti del nëpër botë dhe mashtron për votën dhe për pushtetin, duke e përçarë diasporën sikurse edhe duke e shitur Shqipërinë për interesat e pushtetit të tij të përjetshëm.
___________
24 Nëntor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)