TIRANË
Qytetarë të shumtë kanë dalë sot në protestë për vrasjen e 14-vjeçarit pak ditë më parë në dyert e shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Teksa fajësojnë institucionet për vdekjen e Martin Canit, prindërit janë të ndarë për mbylljen e rrjeteve sociale, një propozim i hedhur dje në diskutim nga kryeministri Edi Rama. Ata kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe marrjen e masave urgjente nga qeveria.
“Jetojmë të pasigurt, jetojmë me frikë. Ministrja e Arsimit duhet të japë dorëheqjen urgjentisht deri te oficerja e sigurisë që nuk ka bërë gjë.
Bullizimi në rrjetet sociale është një gjë që i shqetëson shumë të rinjtë sot. Ne këtu duam të vëmë theksin te Ministria e Arsimit, është inekzistente. E keni parë si i është mbyllur goja elitës intelektuale.
Unë i kërkoj qeverisë, ministres së Arsimit të japë dorëheqjen. Ndihemi të pasigurt. Unë kam dy vajza, vajza ime shkon në një shkollë ku rreth e qark shitet drogë. Ne duam siguri publike. Sot shoqëria shqiptare po pëson një krizë të vlerave. Është rritur mosha e minorenëve që kryejnë krime”, tha një prind.
Një vajzë 10-vjeçare që iu bashkua protestës tha se ndihet e tmerruar kur del nga shkolla.
“Të rriten masat e sigurisë në shkolla. Të kontrollohen çantat. Rrjetet sociale i shkatërruan. Celularin në dorë. T’i mbyllin rrjetet sociale. Do ishte zgjedhje. Nuk kontrollohet ajo. Në Kinë ta kontrollosh TikTokun. Duhen mbyllur dhe bashkëpunim me prindërit. Djali do ishte gjallë po të ishin bërë bashkë drejtoresha e shkollës, mësuesit, prindërit. Këtu ka dhe një problem se bëjnë dhe të tjerët, mirë ia bëri ai thonë. Ka efekt zinxhir”, tha një tjetër prind.
Një nënë u shpreh se prindërit duhet t’i kontrollojnë fëmijët.
“Nuk jam për mbylljen e rrjeteve sociale, prindërit e bëjnë zgjidhjen. Ata duhet t’i kontrollojnë”, tha ajo.
“Çfarë të them, a ka më keq?! Unë jam gjysh, a ka më keq për një gjyq. Mendoj se faji është tek Arsimi. Ministrja e Arsimit duhet të kishte dhënë dorëheqjen vetë në mënyrë urgjente në shenjë respekti”, u shpreh një i moshuar.BW