Kush e fiton votën e diasporës?
Pjesmarrja dhe një proces i barabartë me integritet për ta respektuar të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur do të ishte idealja.
Por që këtu çshtja trajtohet pa konkurrencë të ndershme.
Nga një anë kemi opozitën në riorganizim që po kërkon bashkëpunim dhe unifikim kundër regjimit dhe nga ana tjetër vetë regjimin, pra elitën qeveritare e cila ka financime dhe një strukturë kapilare brenda vendit dhe po mundohet ta zgjerojë atë edhe në diasporë. Në qoftë se kjo shprehet si aftësi organizative që i dallon të dy kampet pjesa tjetër e rëndësishme është se, mjetet e informimit/media sa barazi vendi dhe kohe u jep veprimtarive që ato organizojnë që nga njoftimet, lajmet, analizat apo transkriptimet e plota të fjalimeve nga oratorët pjesëmarrës në to.
Ndërsa Rama e hapi lojën me Greqinë (2 herë), Italinë (1 rast) dhe SHBA-në (2 herë), ku Gjermania dhe Britania edhe pse u premtuan nuk u realizuan, prej 5-6 muajsh mediat ende japin “jehonën” e tubimeve populiste dhe politike të Ramës ku për hir të së vërtetës janë tërhequr joshjet me këngëtarët VIP, por ata janë kompesuar nga administrata dhe përfaqësitë diplomatike. Nuk kanë munguar shfrytëzimi i rasteve të Kampionatit Evropian të Futbollit në Gjermani sikurse dhe Lojrat Olimpike në Paris që e gjithë qeveria, përfaqësues të Bashkive të mëdha e të vogla veshën ngjyrat “kuq e zi” për të qenë në krye të një fushate rienergjizimi politik dhe patronazhimi. Por muajt më pas nuk pastruan dot imazhin e rilindësve socialist pasi korrupsioni në realitetin shqiptar shpërthen çdo ditë. Tashmë çdo organizim dhe pjesëmarrje në tubimet e qeverisë për diasporën, ka reagimin e protestueseve jashtë dhe brenda mjediseve të jo vetëm kundërshtojnë politikat e qeverisë, por bartin me vete edhe ndërkombëtarizimin e imazhit të korrupsionit në vendet ku Rilindja Socialiste shfaqet.
Opozita nga ana e saj pas disa takimeve të ngushta në rajon fillimisht me përfaqësues të PD është zgjeruar në Britaninë e Madhe dhe SHBA gjatë dy-tre ditëve të shkuara ku janë shënuar disa takime masive dhe simbolike. Dega e PD Londër përmes emigrantëve Shkëlzen Rustemaj dhe Daniel Nikolla kanë pritën disa përfaqësues të PD për komunikimin si Alfred Lela, Floriana Garo, Besart Xhaferri dhe u lidhën virtualisht me Kryetarin e PD Sali Berisha. Ndërsa drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli është ndodhur në Nju-Jork (Nju Jork) dhe Uster (Masaçusets) në disa takime me bashkëatdhetarët.
Mesazhi i përcjellë nga këto takime del i qartë Votoni për Shqipërinë!
Por a është ky mesazh i mjaftueshëm dhe a është dëgjuar në Shqipëri po aq sa edhe në diasporë?
Kjo është pika kyçe e komunikimit dhe luftës mediatike e cila përtej të sotmes pritet të zhvillohet deri në zgjedhjet 2025.
ATSH dhe mediat pro qeverisë nuk e garantojnë këtë po nuk u ushtrua një presion që lidhet me ndërgjegjësimin e qytetarëve. Ajo fillon nga KQZ dhe Kuvendi e deri tek monitorimi i mediave dhe i rrjeteve sociale. Mund të fitojë kush ka më shumë financime, por mund të ndikojë edhe ai që kujdeset për përcjelljen e fortë të mesazhit në cilësinë e imazhit.
Vetëm në një krahasim të fundit, Rama në Nju Jork dhe Selanik dhe Partia Demokratike në Londër janë jo vetëm numerikisht të ndryshme, por mediatikisht të mbështetura në raporte shumëfish për qeverinë dhe vetëm pak vend dhe hapësirë për opozitën. ATSH-ja nuk e përmend fare kur në raste të tjera, transkriptime të plota nga fjalimet e Ramës janë përcjellë si vizion për zhvillimin, Evropën 2030, turizmin, himne dhe lavde kulti dhe asnjë frazë për përgjegjësitë e tre mandateve për korrupsionin, sigurinë, krimin dhe shpopullimin e vendit.
Pikërisht në fund të kësaj analize duhen parë aktorët rreth votuesit.
Sa do të garantojnë dhe sa do të ndikojnë ata në informim, ndërgjegjësim për ruajtjen e integritetit të procesit.
Tek sa subjektet politike kanë provuar terrenin sot në Tiranë OSBE dhe KQZ organizuan tryezën “Zgjedhjet 2025: Roli i medias në procesin zgjedhor – sfida dhe mundësi”.
Shqiptarët ende presin një ligj përfundimtar për votën e diasporës tek i cili nuk do të ndërhyhet dhe të ketë vonesa pasi Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e saj.
18 Nëntor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)