Me Sejdi Berishen,Pejë,17.11.2024
Sot ishte një ditë e veçantë në kalendarin ditor të këtij viti në ikje . Pas afër pesë muajsh, takova mikun ,poetin, shkrimtarin e mirënjohur në të gjitha gjinitë letrare, z. Sejdi Berisha, në shtëpinë e tij, në Pejën e dashur, të cilës ia kushtoi tërë jetën me veprat e tija madhore.
Gjithmonë me mikun Sejdi Berisha jemi takuar çdo tri jave, apo së largu, çdo muaj. Nga fundmaji nuk u takuam deri me sot.
Ngjau, siç i ngjan çdokujt të sëmuremi, të jemi paqejf, mos të kemi disponim etj. Pra nuk u pamë, nuk hurpëm kafe se bashku për afër pesë muaj. Ishin të gjatë, sa shekulli (për mua) muajt e kaluar. Humba “durimin” dhe dje, me 16 nentor e pyeta në telefon, për mundësinë e takimit.
-Të pres kur të duash më tha, shumë i gëzuar!
U gëzuam të dytë. Sot, mora drejtimin e Pejës për në shtëpinë e mikut tim, Sejdi Berisha. Aty kah ora 11-të preka zilen në derën e oborrit. Doli një çun, sigurisht nipi i Sejdiut, dhe menjëherë më zgjati dorën e më foli: “ Urdhëro, gjyshi është këtu, ka bërë më mirë, po të pret!….”
Te dera e dhomës ia lëshova një zë si prej shpati, o Sejdi Berisha, ku të kam ore burrë?!
U ngrit në këmbë nga krevati, pashë se iu hap balli si shkëmb bjeshke, i buzëqeshi fytyra dhe u ngrykuam bukur gjatë…
-Sa më paska pas marë malli tha, duke u ulur në krevatin e tij!…
Besa e tradhtuan edhe dy-tre pika lot malli… Mua jo!… U bëra guri!..
Pas pak filluan pyetjet reciproke mes nesh.
Më pyeti për gjithë familjen time. Pastaj edhe unë fillova ta pyes ngadalë për familjen dhe muajt e kaluar me sëmundjen e zgjatur… Më tregoi gjerësisht. Vuajtjet e tija i përjetova thellësisht nga se vite më parë e kisha kërkuar atë” çorbë,” ndonëse pak më ndryshe…
I ofruam “ vuajtjet” deri në qeshje!Sa u gëzova kur e shikova duke qeshur!…
-Eh, ndal pak!- më foli. Dua të di për gjithë shokët, miqtë tonë kudo i kemi. Tregomë miku im, si janë tropojanët, të gjithë, si e kam Lulzim Logun. A keni zhvilluar ndonjë aktivitet letrar, si u ka shkuar puna. Po në Gjakovë si janë shokët, si e kam Muharrem Kurtin, a është mirë?!
Gjitha këto pyetje që mi bëre miku im!…
Dhe fillova t’i përgjigjem për çdo gjë që ishte i interesuar, aq sa dija e i mbaja mend ngjarjet. Kuptova se e kishte marë malli shumë, sytë iu mbushen me lot. Sejdia ishte krahu i djathtë i bashkëpunimit në gjithë Malësinë e Gjakovës e jo vetëm, në kuptimin letrar.
Përderisa unë hurpja kafen pranë tij, ndali për pak çaste bisedën, duke më shikuar me vështrim të veçantë, në heshtje….
Dhe si një tingëllimë i erdhi dëshira të dijë edhe për shkrimet e botimet e miqve.
Sa i interesuar ishte Sejdi Berisha për Mitingun jubilar të poezisë në Gjakovë!
-Eh, gati të harroj, po foli ndoshta më tepër, por më paska pas marë malli. Më trego për Mitingun e Poezisë në Gjakovë!… më foli.
E shikova në RTK, një emision, por ty nuk të vërejta askund?!
Pse, mu drejtua miku im. E njoftova duke i thënë me sinqeritet se Mitingu arriti qëllimin të manifestojë jubileun e 6o vjetorit me shumë sakrifica. Jam i gëzuar, i fola, se ka premtime nga qeveritaret komunalë së mitingu duhet të mbahet në vazhdimësi si fryt e aset kulturor i qytetarëve të Gjakovës e jo vetëm. Sa u gëzua poeti Sejdi Berisha!..
Pyetja e tij e serishme ishte, po këtë radhë a kaluat mirë ? U zura pakës ngushtë, si t’i përgjigjem, nga se, mirë ishte, por jo çdo gjë mirë…
Dhe i dhashë përgjigje të shkurtë e lakonike: “ nusja e mirë boll, por pakës qorre!…”
Ehe, ndali fjalën, i kuptova të gjitha!… Faleminderit!… tha dhe mbet pakës në kujtime…
Nuk u ndal me aq. Sërish trajtoi çeshjen e mitingut, duke shtuar: mendoj se duhet të vazhdoni gjithmonë së bashku, si tani e dy decenie më parë, duke ngritur sa më lartë bashkëpunimin shpirtëror të krijuesve të Malësisë së Gjakovës.
Isha në mesin e dashamirëve të fjalës së shkruar, i thashë, aty ulur në sallën solemne të Pallatit të kulturës “Asim Vokshi”në Gjakovë. Nuk u ndjeva keq, i fola, sepse mosha kur ikën, bëhesh i tepërt edhe në “dasmë”….
Tek i sëmuri nuk duhet të qëndrosh edhe aq gjatë. Ishte bërë një orë ndeje e biseda që nuk e kishin fundin askund. I urova shëndet e të mbara në jetë, duke ia dëshiruar sa më parë shërimin dhe takimin me miqtë tjerë nga Gjakova, Tropoja , Klinë e vende tjera.
Në përshëndetje e sipër, si i përmallur tha se së shpejti do të pimë kafe në hotel “Turizmi” në Bajram Curri me gjithë miqtë e tjerë. U bënë shumë të fala!….
Gjakovë,17.11.2024