ELBASAN: 1 DHJETOR 1909
SHKOLLA NORMALE E ELBASANIT U HAP ME 1 DHJETOR 1909.DREJTORI I PARË I ASAJ SHKOLLË ASHT KENË ATDHETARI I PAVDEKSHEM I POPULLIT SHQIPTAR
LUIGJ GURAKUQI.
Mbas Kongresit të Manastirit me 14 – 22 Nandor 1908, u mbajt Kongresi i Elbasanit nga data 2 – 8 Shtator 1909, ku u vendos hapja e Shkollës së Parë të Mesme Pedagogjike në Gjuhën Shqipe, e njohun me emnin Normalja e Elbasanit. Kjo shkollë do të luente një rol vendimtarë per mësimin e Gjuhës Shqipe nder Trojet tona, si dhe do të kishte per qellim kryesor piksynimin e paraqitun nga Atdhetari Luigj Gurakuqi, i cili me rasën e hapjes së saj tha: “…Shqipnia u lëkund e tana nga zani i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndersa djelmët tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipnisë e u derdhën këtu në Elbasan… Jo vetem nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para nder tregimet kombtare e nder luftat e Gjuhës, por ma fort nga Gegënia e Siperme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili, na rrnoftë përjetë, na erdhën mjaft nxanës sa mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnji kand të Shqipnisë që të mos të ketë këtu mbrenda perfaqësuesit e vet.”
Asht ajo kohë kur shkolla Normale e Elbasanit u rreshtue me shkollat e njohuna të Shkodres, dhe u ba prita ma e pakapercyeshme nga anmiqtë shekullor të Shqipes së shkrueme: Turq, grek e sllav!
Ndersa sot ne nuk duhet të harrojmë Mësuesit e Nderuem Atdhetarë Shqiptarë, që per kontributin e Tyne në arsimimin e brezave të rijë me Gjuhën Shqipe, dhanë edhe jeten. E nuk janë aq pak sa kujtojnë disa!
Bie n’sy që sot edhe këte Vater të Kulturës sonë kombtare, po punohet me shkatrrue, me e lanë “pa Emen” dhe pa trashigimtarë, si shumë Vatra të tjera. Sikur kjo shkollë të ishte themelue nga një anadollak në pragun e Pavarsisë, dhe të kishte punue per me nxjerrë nga bankat e asaj shkollë mësues turq, a do të quhej “1 Dhjetori Dita e Mësonjësit ?!”
Në kushtet e sotme kur po punohet ditë e natë me e shperba Shqipninë, ndoshta edhe nuk i bjen nder mend kujt per “Diten e Mësuesit”, po duhet pasë parasyshë se “Dita e Mësonjësit” asht zgjedhë një datë pa kurrfarë kuptimi, vetem me qellim që me fshij nga Historia e Arësimit tonë disa atdhetarë dhe, datat e sakta të Arësimit në Shqipninë e Veriut, mbasi gjithshka e tillë i duket Akademisë së Shkencave në Tiranë: “Gegnisht”!
Dhe ja një fakt që i verteton të gjitha ata që kam shkrue deri tashti:
Në se tek Monumenti i Vlonës së 1912 nuk asht vue as Don Nikoll Kaçorri dhe as Luigj Gurakuqi, simbas porosisë së anadollakut Ramiz Alia, duhet thanë se kështu fillon të shtremnohet histororia.
Veprime të tilla antikombtare vetem shkatrrojnë themelet e vume me aq kujdes e perkushtim nga Atdhetarët e Parë Shqiptarë, që Atyne kur ju asht paraqitë rasa per të miren e Atdheut dhe edukimit të brezave t’ rijë nuk kanë kursye as gjanë ma të shtrenjtë: Jeten e Tyne!
Historia e Mësuesve Atdhetarë Shqiptarë ishte dhe asht e lavdishme nder shekuj, ashtu si asht kenë e asht Madhështia e Gjuhës Bekueme Shqipe!
NDERTESA E SOTME E NORMALES S’ ELBASANIT
Melbourne, 15 Nandor 2024.