Elon Musku, miliarderi që kontribuoi në fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, vazhdon të ëndërrojë.
Këtë herë, ai është i vendosur të realizojë një dëshirë personale: të bashkojë të gjithë fëmijët e tij dhe nënat e tyre për të jetuar së bashku. Sipas disa burimeve të mirinformuara, Musk po kërkon një shtëpi në Bel Air, lagjen luksoze të Los Angeles.
Ai ka shëtitur për të parë disa vila në shitje bashkë me Grimes, me të cilën ka fëmijët X Æ A-Xii (4 vjeç), Exa Dark Sideræl (3 vjeç e gjysmë) dhe Techno Mechanicus (2 vjeç), megjithëse nuk kanë më një lidhje romantike. Vila që mund të blejë mund të jetë vendi i përshtatshëm për të bashkuar të gjitha nënat dhe fëmijët.
Kjo nuk është një ide e re, pasi Musk tashmë ka blerë në Teksas, në Austin, një hapësirë të madhe toke ku ndodhen shtëpi të ndara. Disa kilometra larg selisë qendrore të Tesla-s, zona është përshkruar nga New York Times si një “kompleks” me dy rezidenca ngjitur, njëra prej të cilave në stil toskan. Çmimi: 35 milionë dollarë. Në këtë vend banon partnerja aktuale e Musk, Shivon Zilis, dhe tre fëmijët e tyre. Vetë miliarderi nuk banon atje, duke zgjedhur një shtëpi të largët rreth dhjetë minuta me makinë.
Duket se ëndrra për të bashkuar së paku një pjesë të fëmijëve të tij mund të realizohet. Grimes dhe Shivon Zilis duket se shkojnë mirë me njëra-tjetrën. Në fillim mendohej se mes tyre kishte një marrëdhënie të tensionuar, sepse shumë mendonin se drejtuesja e Neuralink ishte shkaku i ndarjes së Musk dhe Grimes. Ishte vetë Grimes ajo që u shpjegoi ndjekësve të saj në X se nuk është kështu: “Nuk ishte faji i saj, mos u zemëroni me të. Kemi respekt të ndërsjellë, jemi të lumtura që jemi shoqe dhe të rrisim fëmijët së bashku.” Ajo shtoi gjithashtu: “Gratë shpesh përballen me njëra-tjetrën pa arsye. Duke biseduar me të, kuptova që është një person i jashtëzakonshëm dhe të dyja duam vetëm më të mirën për fëmijët tanë.”
Të njëjtin mendim ka edhe Shivon Zilis, e cila pasi u takua për herë të parë me Grimes, komentoi në X: “Jam shumë e lumtur që pata mundësinë të bisedoj kaq mirë me ty pas gjithë kësaj kohe duke e pritur këtë takim. Je një femër e fortë dhe të respektoj shumë. Mezi pres që fëmijët tanë të luajnë bashkë.”
Ndërsa pret të kolonizojë Marsin, siç e imagjinon me planin e tij Space X, Musk është afër realizimit të ëndrrës për t’i parë fëmijët e tij të rriten së bashku, qoftë në vilën në Bel Air apo në kompleksin në Teksas.
Nuk dihet si ndihen për këtë ish-bashkëshortja e tij e parë Justine Wilson dhe fëmijët Griffin, Kai, Saxon dhe Damian. Por është e qartë se ëndrra familjare e Musk është e destinuar të mbetet e paplotësuar, për shkak të armiqësisë së hapur dhe për momentin të papajtueshme me vajzën e tij transgjinore, Vivian Jenna Wilson. sn