Në tre vite rresht atëherë kur buxheti i shtetit hartohet në ngritje shifrash ATSH-ja ka pjesën e saj të përcjelljes së lajmit, por edhe kërkesën e saj për t’u mbuluar me fonde nga ky buxhet. Drejtuar Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, drejtoresha e përgjithshme e ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare) Valbona Zhupa tri herë me rradhë, por vetëm për nevojat e katër viteve ka shtruar çështjen e projektbuxhetit për vitin pasardhës. Kështu:
1- për 2022: “Prioritet digjitalizimi i arkivës”.
2- për 2023: Prioriteti mungon edhe në vetë arkivin digjital të ATSH
3- për 2024: “ATSH, domeni publik modern i së ardhmes”.
4- për 2025: “Në fokus lufta ndaj dezinformimit, prioritet digjitalizimi i arkivës”,në këtë të fundit përmenden shifrat në rritje me 15 milionë lekë që do t’i duhen fazës së parë të inventarizimit dhe konservimit të arkivës së institucionit.
Duke monitoruar ecurinë disa vjeçare të ATSH-s, UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), sikurse vlerëson se ky institucion i rëndësishëm i medias që me formimin e shtetit shqiptar është një aset i madh i memories dhe historisë kombëtare, ka mundur të nxjerrë në pah me dhjetra raste se ATSH është abuzuar me detyrimin e saj si një institucion i propagandës së Rilindjes Socialiste. Në 11 vite veçanërisht asnjë komision parlamentar apo edhe drejtuesit e vetë ATSH-s nuk i kanë shpëtuar shtrëngimit nga censura dhe imponimit të propagandës së partisë shtet. Në çdo projektbuxhet digjitalizimi ka mbetur kryefjala ndërsa këtë vit atij i shtohet dezinformimi, çështje e rëndësishme për të cilën ka edhe një komision parlamentar, por që fatkeqësisht nuk sheh bashkëpunim sepse si propaganda edhe dezinformimi janë mjetet më të mira për të goditur kundërshtarin politik dhe topitur opinionin publik.
Kur viziton faqen online të ATSH-s megjithëse veç gjuhës shqipe, janë në përdorim gjuhët frënge dhe angleze, përditësimi i përmbajtjes nuk ka ritmin e ditës dhe të vetë peshës së ngjarjeve. Shkak është politizimi dhe agjenda e partisë-shtet sidomos në një vit të rëndësishëm zgjedhor që po afron.
Nuk po zgjatemi shumë në analiza dhe të dhëna pasi ato janë të shumta. Janë aq të shumta sa studentët e gazetarisë mund të mbronin tema diplome, analistët studime akademike dhe vetë historianët dhe akademikët të ndërtonin një kauzë për vërtetësinë e fakteve në trajtimin objektiv të historisë së shtetit shqiptar.
Po veçojmë një krahasim. Në 111 vite jetë si institucion, ATSH në epokën digjitale mundëson në kohë reale marrjen e informacionit përmes internetit kryesisht të një 5-6 vjeçari të fundit, pasi pjesa tjetër e memories është materiali i shkruar si dhe hershmëria e përdorimit të faqeve online (fillimi i shekullit XXI).
Në aspektin numerik dhe sasior rubrikat editoriale, lajmet më tërheqëse dhe aktualiteti kanë të depozituara mbi 145 mijë tituj. Por kur shohim se me daljet e kryeministrit dhe të kabinetit që shpërndajnë si lajme ato çka ka telefoni i tyre celular kap nga shkrepjet private dhe statuset në rrjetet sociale të marrin peshën e lajmit, atëherë profesionalizmi në gazetari ka marrë fund. Ka marrë fund sepse së paku kemi nga 5 të tilla çdo ditë për turizmin, arkeologjinë, aeroportet dhe rrugët, zonat e shkatërruara të natyrës etj. të cilat konkurrojnë çdo zhvillim të rëndësishëm të jetës politike shoqërore në vend, rajon dhe ndërkombëtarisht dhe janë krye-lajme vetëm kur kryeministri Rama, zv/kryeministrja Balluku, kryetari i bashkisë Tiranë Veliaj shfaqen e më pas të tjerë ministra sipas agjendës qeveritare dhe rëndësisë së propagandës.
Në mbyllje duhet thënë se prioriteti i parë është vërtetësia dhe objektiviteti i lajmit. ATSH ka nevojë për gazetarë terreni, për mbulime fotografike dhe audio-vizive sikurse çdo agjenci moderne lajmesh. Me produktin e saj objektiv nga faktet dhe realiteti shqiptar ATSH mund të njihet, shkëmbejë komunikimin dhe të synojë prirjet e zhvillimit pasi në xhepin e qeverisë propagandën e partisë-shtet askush nuk ta blen.
Ndaj është mirë që rritja e buxhetit t’i shërbejë profesionalizmit në gazetari, historisë dhe kulturës kombëtare.
12 Nëntor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)