Presidenti Joe Biden ka hyrë në Kopshtin e Trëndafilave jashtë Shtëpisë së Bardhë, ku është pritur me duartrokitje.
Prej andej, Presidenti në detyrë ka nisur fjalimin, i pari që pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, ku kandidatja demokrate, Kamala Harris, humbi përballë republikanit Donald Trump.
Biden e filloi fjalën e tij duke thënë se për më shumë se 200 vjet, SHBA ka kryer “eksperimentin më të madh të vetëqeverisjes në historinë e botës”, ku njerëzit votojnë dhe zgjedhin liderët e tyre dhe e bëjnë atë në mënyrë paqësore, “aty ku vullneti i njerëzve mbizotëron gjithmonë”.
Ai thotë se foli me presidentin e sapozgjedhur Donald Trump për ta uruar për fitoren e tij dhe për ta ndihmuar atë me një tranzicion të rregullt të pushtetit.
Biden thotë se ka folur edhe me Kamala Harris, dhe thekson se ajo kishte qenë “një bashkëpunëtore dhe një nëpunëse publike”.
Ai komplimenton fushatën “frymëzuese” të Harris, lavdëron “shtyllën kurrizore” të saj dhe thotë se ajo duhet të jetë krenare për punën e saj.
Në vijim, Biden thotë se për disa njerëz është një kohë për fitore, për të tjerë është një kohë humbjeje.
“Një vend zgjedh njërën ose tjetrën. Ne e pranojmë zgjedhjen që bën vendi”, thotë ai.
Dhe në vijim, Presidenti në detyrë i SHBA, thekson “nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton. Nuk mund ta duash fqinjin tënd vetëm kur bie dakord.”
Biden vazhdoi duke thënë se duhet të rikthehet respekti për të gjithë punonjësit e zgjedhjeve dhe se ata duhet të falenderohen.
“Shumë janë vullnetarë që e bëjnë këtë nga dashuria për atdheun”, thotë ai.
Biden vazhdon duke thënë se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit më 20 janar, duke shtuar: “Unë do të bëj detyrën time si president”.
“Ne po lëmë pas ekonominë më të fortë në botë. Tani kemi 74 ditë për të mbaruar mandatin tonë, le t’i numërojmë çdo ditë”, thotë ai dhe shton se kjo është përgjegjësi e tyre si qeveri.
Ne të gjithë rrëzohemi, thotë ai, por “masa e karakterit tonë” është se si ngrihemi përsëri.
“Ne e humbëm këtë betejë, Amerika e ëndrrave tuaja po ju bën thirrje që të ngriheni përsëri”, shprehet Biden.
Në vijim, Presidenti i SHBA theksoi “ne duhet të mbajmë besimin”, duke shtuar se është krenar që ka punuar me kabinetin dhe ekipin e tij”.
“Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe Amerikën”, thotë ai. bw