Në vitin 1923, një ndër shkrimtarët francezë më të mirë të gjeneratës së tij, Jules Romain, shkroi dramën ‘Knock, ose Triumfi i Mjekësisë’ në të cilën satirizonte mjekësinë moderne. Përmes humorit dhe ironisë ai denonconte medikalizimin e jetës.
Personazhi kryesor i dramës, Doktor Knock, ndërtoi një biznes mjeksor të fuqishëm duke i kthyer gjithë banorët e fshatit ku punonte di mjek, në pacientë duke i terrorizuar me frikën e sëmundjeve.
“Njeriu që ndihet mirë, – thonte Doktor Knock, – në të vërtetë është i sëmurë, por nuk e di”.
Një shekull pas, profesori i bioetikës në Universitetin e Pensilvanisë, Arthur Caplan, shkruan:
“Nëse doni të ngjallni shqetësim në publik dhe keni dollarë për t’i bërë reklamë, ju mund të shndërroni pothuajse çdo gjë në sëmundje”.
NJË ANALOGJI UTOPIKE…
Mjeksia e “mirëmbajtjes”
Sipas ekonomistit shëndetësor amerikan, Dale Tussing, qeniet njerëzore duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të mirëmbajtjes së shëndetit, ngjashëm me kontrollin fizik të makinave, pas çdo “x km”, imunizim, pas çdo “y km”, egzaminim për kancer të qafës së mitrës, pas “z” km” testim për kancerin e…e me radhë…
Është utopi të besosh se sëmundjet do të parandalohen në këtë mënyrë. Ka një ndryshimin thelbësor mes makinës dhe organizmit tonë.
Filip Mudgrove një ekonomist me karrierë të gjatë në forcimin e sistemeve globale shëndetësore, fitues i çmimit Nobel në ekonomi 2011, shkruan :
“Shëndeti është një aset i veçantë, që s’mund të shitet, s’mund të dhurohet, s’mund të merren pjesë këmbimi për të. Kur organizmi ndodhet në spital, nuk mund të merret hua një tjetër, si në rastin kur makina juaj është në servis…”
Prej disa dekadash mjekësia parandaluese është pasuruar me një variant të ri, Mjekësinë Parashikuese e cila ka si objekt jo njerëzit e sëmurë por njerëzit e shëndetshëm.
Ajo nuk kontrollon agjentët e identifikueshëm të sëmundjeve, por përpiqet të zbulojë faktorë të mundshëm risku për sëmundje në të ardhmen. Në këtë kuptim mjeksia parashikuese vetëm premton parandalimin e sëmundjeve mbasi me siguri s’mund të parashikojë se sëmundja do të ndodhë ose jo.
Shumë tërheqëse mjeksinë parashikuese e bën premtimi se do të sigurojë zgjatje të konsiderueshme të jetëgjatsisë por dhe një kursim të madh të shpenzimeve shëndetësore !
Pa dyshim që mjeksia parashikuese synon të na bëjë më të shëndetshëm, por dhe s’duhet të konsiderohet rastësi që është dhe një biznes mjaft fitimprurës.
Skeptikët ngrenë pyetje : pse kur jemi me shëndet të mirë, kur s’kemi asnjë shqetsim duhet të testohemi ?
Parashikuesit përgjigjen : “Jeni normal vetëm se nuk jeni testuar sa duhet. Duke qenë pre e kaq shumë sëmundjeve, sa më shumë të egzaminoheni aq më mirë.”
Skeptikët : mbështetur në statistikë sa më shpesh të kontrollohemi, aq më e mëdhe është dhe mundësia për të zbuluar diçka të gabuar. Testet nuk janë domosdoshmërisht të padëmshme, në një numër jo të pa konsiderueshëm, mund të jenë false duke u bërë shkak për operacione të panevojshme në njerëz të shëndetshëm.
Duhet aplikuar mjeksia parandaluese, pa një indikacion klinik ?
Doktor M.Durand 65 vjeçar është në dilemë :
“Mendoj se jam me shëndet të mirë. Por a jam vërtetë ?
Flokët më janë zbardhur. Më kanë rënë krejtësisht në disa pjesë. Shikimi më është vështirësuar. Kur sapo ngrihem nga shtrati në mëngjes, lëviz me vështirësi, kam dhimbije të tendineve. S’mbaj mend emra. Mos fshihet diçka në genet e mija ? Nëna ime, ashtu si nëna e saj më parë, është me demencë. Më tej ai vazhdon : “Nuk pi duhan. Pi pak alkool. Lëviz shumë në këmbë, por ushtrime fizike bëj pak. Kam kohë që s’kam matur presionin e gjakut. As yndyrnat. Dyshoj se më është zmadhuar prostata. S’e kam egzaminuar. As antigjenin specifik për prostatën s’e kam matur… Duhet ta vë ujin në zjarr për të zbuluar ndonjë tensionin e lartë të gjakut, apo ndonjë kancer të heshtur i cili mund të jetë gati për të më hequr qafe, apo të vazhdoj pa u shqetsuar…?
DHE NJË PËRGJIGJE
Në vend të mbylljes…
Në best-seller-in e tij “Alkimisti“, shkrmtari i shquar Paulo Koelho, pyetjes pse duhet të interesohemi kaq shumë për të ditur të ardhmen, i përgjigjet :
“Për të bërë disa gjëra që t’i paraprinë të keqes, për tu përgatitur për atë që do të ndodhë…
Do ishte mirë nëse parashikimet do të ishin të mira, por nëse do të ishin të këqia, çfarë do të ndodhte ? S’do bënim gjë tjetër veçse do fillonim të vuanim shumë kohë para se vuajtja të ndodhte. Dhe frika nga vuajtja është më e keqe se vetë vuajtja.”
Ja vlen të kërkojmë të dimë të ardhmen e shëndetit tonë ndërkohë që pa-parashikueshmëria e së ardhmes përbën një ngushëllim të madh për racën njerzore ? Mban gjallë shpresën e shumë njerëzve.
Askush me saktësi nuk di çfarë nesër do të ndodhë. Dimë shumë rreth probabilitetit, por probabiliteti është larg të sigurtës.
Nëse do të qëndrojmë gjithmonë në të sotmen do të jemi njerëz më të lumtur…