Në 23 kilometra dhe mbi 9 orë ecje në malet dhe fshatrat e Pukës, në segmentin Iballë-Berishë, kam ndeshur gjithsej 5 njerëz. Njëri ishte i marri i Papit, një fshat me tri shtëpi ende të banuara. Përtej njerëzve ndeshje lumenj malorë ashpërsisht të bukur, të ndotur nga mbeturinat e shtëpive, lokaleve dhe fshatrave gjeografikisht mbi to, hidrocentrale -apo projekte në veprim për to- dhe galeri minierash të braktisura, në fakt gropa të hapura në faqe malesh, një variant edhe më i nxituar shqiptar i goldrush-it kalifornian.
Këto ishin vepra të njeriut. Zoti e ka thënë fjalën prej kohësh. Një diell bujar mbi një ditë vjeshte me bukuri ngashnjyese bëhej dëshmi e kësaj.
Kapluar me këtë ndjesi të dyfishtë, dora e njeriut dhe e Zotit mbi viset tona, bashkë me një kushëri- bir të këtyre anëve-, më kujtohej kryeministri Rama dhe premtimet me ‘paketën e maleve’ për shqiptarët në New York.
Edi Ramës nuk mund t’i kërkohet llogari për zbrazjen e Veriut, në të njëjtën kohë që flasim për vullnetin dhe lëvizjen e lirë të individit, por për politikat e tij dhe të qeverisë, po.
Aq më shumë për premtimet përqeshëse si ky i ‘paketës së maleve’. Sidomos kur ky premtim ka synim veriorët, dhe kur bëhet pas 12 vitesh në pushtet. Rama nuk mund të premtojë me synim mandatin e katërt, sikur të ishte një politikan që kërkon të parin. ‘Paketa e maleve’ në vetvete duket si një kombinim lehtësues i bukurive të Veriut me kërkesën për turizëm malor të të huajve. Që këto të dyja të takohen, duhen bujtinat, hotelet, resortet, pistat e skive, lojrat dimërore etj.
Premtimi i Ramës është thuajse cinik, sepse që këto të ngrihen, më shumë se leja e qeverisë kërkohet bashkëpunimi saj. Jo te investimet hoteliere, por te infrastruktura, hapi kryesor i së cilës janë rrugët. Rekordin e Ramës në infrastrukturë rrugore e njihni të gjithë, edhe në qofshi patronazhistë. “Rruga e Arbrit” është premtuar 12 herë dhe përuruar katër, por as është përfunduar dhe as është hapur.
Segmenti Vau i Dejës-Koman, edhe pse lidh një prej zonave më të bukura në Shqipëri, dhe shtrihet në atë segment që mban me energji elektrike gjithë Shqipërinë-pra i ka paguar shpenzimet e veta 100 milion herë- ende banon në fillim të viteve ‘90. Në këtë segmet mund të gjeni dëshminë se si e la komunizmi Shqipërinë. Duhen mbi 2 orë të vështira për të përshkuar një segment që, në kushte normale, përmbyllet ne 45 minuta. Kjo rrugë do t’u mundësonte vendasve dhe të huajve një udhëhtim dinjitoz drejt Tropojës përmes liqenit të Komanit deri në Fierzë. Në mungesë të saj ata futen në Tropojë nga Gjakova, pasi kanë kaluar nëpër gjysmën e Kosovës.
Nëse ia kujton këtë Ramës, me siguri ta pret se ka bërë qendrën e Bajram-Currit, një prej atyre eksperimenteve esteto-enveriste ku të gjitha qytetet duken njëlloj. Në Shkodër, duke nisur nga ura e Milotit, shkohet nëpër telin e tendosur të një rruge me një korsi, pa asnjë bordurë mbrojtëse. Rruga për në Mat ëshë e ngjashme me të Komanit.
Kukësi është i vetmi në hartën e qytetërimit falë Rrugës së Kombit, vepër e Sali Berishës, infrastrukturën e të cilit Rama në opozitë e quante ‘rrugët e mbetura rrugëve’.
Ky është rekordi i Kryeministrit aktual në raport me veriun në 12 vite në pushtet. “Paketa e maleve” do të konsiderohej premtim serioz, dhe jo përqeshës, vetëm nëse qeveria e tij do të blejë një flotë helikopterësh për transportin e udhëtarëve në këto anë.
Por, ai e di mirë se pse e bën këtë premtim në të cilin qeveria as ndihmon, as nuk pengon dot. Sa për propagandë.
U takon veriorëve në Diasporë që ta kuptojnë këtë. Ata vetë janë dëshmitarë të shprazjes të veriut në dekadën e fundit. Të izoluar ekonomikisht dhe politikisht, Edi Rama dhe qeveria e tij i ka trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Kjo politikë nuk ka qenë rastësore, por e qëllimshme dhe ka patur si synim pjesëtimin e elektoratit të Partisë Demokratike dhe kapjen e bastioneve demokrate.
Në këtë kuptim gegët e Diasporës nuk mund ta lejojnë Ramën t’i grabisë 2 herë: një herë nga atdheu dhe herën e dytë nga mundësia e shpagimit personal. Çdo shqiptar që ka ikur sepse qeveria i ka zvogëluar atdheun, duke i lënë shkrepat e vendlindjes ose ikjen, si të vetmen alternative, duhet t’i thotë asaj qeverie që ta marrë ‘paketën e maleve’ dhe ta fusë aty ku ka vendin.