Plazhet, malet, qytetet, trashëgimia kulturore, çmimet…
Dhjetëra miliona turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në vitet e fundit për arsye të ndryshme.
Vetëm gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, Shqipërinë e vizituan mbi 8.5 milionë të huaj.
Trendi i rritjes së vizitorëve të huaj kishte nisur në vitet para pandemisë COVID-19, që goditi Shqipërinë dhe vendet përreth në pranverën e vitit 2020.
Atë vit, numri i turistëve ra ndjeshëm, shkaku i kufizimeve të rrepta në udhëtime, në tentim për ta limituar përhapjen e COVID-19.
Por, që atëherë, turizmi në Shqipëri është ngjallur sërish.
Sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara (UNWTO), në fund të muajit të kaluar, Shqipëria është vendi i dytë në botë që ka pasur rritjen më të madhe të turizmit.
Në krahasim me periudhën janar-korrik të vitit 2019 – para pandemisë COVID-19 – Shqipëria ka pritur 93 për qind më shumë turistë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2024.
Vetëm Katari gëzon rritje më të madhe se ajo.
Kjo rritje e turizmit ka bërë që Shqipëria të arkëtojë edhe më shumë fitime. I njëjti raport i UNWTO-së e rendit Shqipërinë si vendin me rritjen më të madhe në botë të arkëtimeve nga turizmi.
Në krahasim me vitin 2019, Shqipërinë këtë vit e kanë vizituar dukshëm më shumë banorë nga Evropa Jugore – plot 3.1 milionë turistë më shumë.
Ndërsa, rajonet e vetme prej ku ka pasur rënie të numrit të turistëve, janë Azia Lindore dhe Paqësori, si dhe Afrika.
Numri më i madh i këtyre vizitave bëhet gjatë muajve të verës. Vetëm gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht të këtij viti, Shqipërinë e vizituan mbi 5 milionë të huaj.
Edhe në vitet paraprake, muajt e verës kishin tërhequr më së shumti të huaj në Shqipëri.
Gjatë këtyre muajve rritet edhe numri i udhëtarëve transitë, që kalojnë në Shqipëri vetëm për të shkuar në një destinacion tjetër final.
Por numri i këtyre udhëtarëve është i ulët në krahasim me ata që udhëtojnë për arsye personale, për pushime dhe për vizita te të afërmit e tyre.
Gjatë tetëmujorit të parë të këtij viti, si në çdo periudhë tjetër, Shqipëria priti më së shumti vizitorë nga Kosova fqinje, ndjekur nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Edhe pse ende në numër dukshëm më të vogël sesa turistët nga vendet fqinje, në vitin e fundit është rritur edhe numri i vizitorëve nga India, Kina, Franca dhe Holanda, krahasuar me vitin paraprak.