Anija Moliva do të vazhdojë të qëndrojë në Radë, derisa autoriteti portual të vendosë për lejimin e saj në portin e Durrësit.
Duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë së Durrësit, që kërkonte angazhimin e disa institucioneve për të gjetur një vend të sigurt mjedisor dhe garantimin e sigurisë fizike përmes monitorimit 24 orë me kamera, Autoriteti Portual ka kthyer përgjigje duke theksuar se nuk mund të sigurojë një hapësirë të përshtatshme, pasi mbetjet konsiderohen të rrezikshme dhe kërkojnë kushte të veçanta sigurie. Nga tjetër ky institucion nuk mund të garantojë ruajtjen fizike të tyre me kamera 24 orë ashtu sikurse ka urdhëruar prokuroria.
Anija Moliva me 102 kontejnerë brenda së cilës dyshohet se ka materiale të rrezikshme, ndodhet në Radë, 1.5 milje nga porti i Durrësit, që prej mëngjesit të së dielës. Ndërkohe me të mbërritur, prokuroria kërkoi sekuestrimin e të gjithë kontejnerëve dhe angazhoi një sërë institucionesh për kryerjen e praktikave.
Ndërkohë, ditën e sotme ka reaguar vetë prokuroria, ku pranoi se mbetjet konsiderohen të rrezikshme dhe akoma nuk është gjendur një hapësirë për sekuestrimin e kontejnerëve, që të garantohet siguria mjedisore dhe fizike e tyre.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË
PËRGJITHSHËM DURRËS
Informacion nga Prokuroria Durrës në lidhje me masat e marra për urdhrin e sekuestros së kontejnerëve
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal nr.1596.2024 dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të konteinerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, datë 27.10.2024 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij.
Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre.
Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi.
Për shkak të interesit të lartë publik që mbart kjo çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të vijojë të mbajë të informuar opinionin publik në lidhje me hapat e mëtejshëm.