Kaloi pa u vënë re në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë betimi i dy deputetëve Andrea Nesti Mano PD dhe Erjon Shërbet Meka PS gjatë seancës plenare të së Enjtes 31 Tetor, 2024. Lista e lajmeve të ngjeshura dhe ngarkesa e tyre prej Kuvendit ku opozita protestonte ndërsa Ambasadori i BE dorëzoi “Raport Progresin 2024”, ngjarja e rëndë e vrasjes së dy personave dhe një të plagosuri në qytetin e Shkodrës, qëndrimi në Gjirin e Durrësit E ANIJES ende të pa përpunuar me ngarkesën e 2100-ton mbetjesh toksike, bënë që të humbte rasti i parë i njohjes me publikun i dy përfaqësuesve zgjedhor respektivisht të qyteteve të rëndësishme si Korça dhe Durrësi.
Duke e monitoruar këtë zhvillim vlen të nxjerrim në dukje ato shqetësime që kanë dalë edhe më parë dhe tani janë formuar si një normë “e pranueshme”. Raporti i pushtetit me mediat dhe propaganda në veprim për të ndalur mendimin kritik dhe thelbin e së vërtetës jo vetëm që janë bërë agresive, por edhe vetë një komision për dezinformimin në kuvend nuk arrin t’i drejtpeshojë këto situata.
Më 27 Shtator Ervin Salianji (PD) merr gjykimin për “kallëzim të rremë” dhe nis kryerjen e dënimit me 1 vit burg. Arrestohet 10 ditë më parë ish presidenti Ilir Meta, president i PL i cili vazhdon masën e sigurisë ku deri në pritje të vendimit nga Prokuroria e Posaçme SPAK i është komunikuar akuza për korrupsion, pastrim i produkteve dhe mos deklarim i pasurisë. Deri këtu ngjarjet janë pritur si goditje politike nga njëra anë, por edhe si vendosmëri e drejtësisë për të zbatuar ligjin në zyrtarë të dyshuar për shkelje dhe korrupsion nga ana tjetër.
Si për të mos i lënë fare vend dhe hapësirë njohjes me dy deputetët më të rinj të sapo pranuar në Kuvend dhe të dalë nga listat shumë emërore të zgjedhjeve për në Kuvend të datës 25 prill 2021, por ishte kryeministri Rama që nga një studio televizive i mëshoi të dyja çështjeve sipas interesave të tija. Për Salianjin Rama u shpreh se: -“…do të uronte që ai vendim të bëhej mësim për të tjerë që vazhdojnë dhe bëjnë shpifje katastrofike”, ku sipas tij u përdor mandati i deputetit për të degjeneruar publikisht kundërshtarin politik. Ndërsa në rastin për Ilir Meta duke shprehur si zakonisht tërheqjen për të mos bërë komente u shpreh se: -“Unë po flas në parim, nuk po merrem me rastin konkret, policia nuk arreston por ekzekuton vendimin e gjykatës. Policia nuk ka asnjë tagër as të njoftojë as të zgjedhë, si kur dhe qysh pasi quhet dekonspirim ka një operacion”.
Vjen rasti të pyesim se a jetojnë tashmë në dy realitete të ndryshme shqiptarët?
Një për opozitën dhe kundërshtare të pushtetit dhe tjetri për elitën e partisë shtet.
Duhet kuptuar se po, pasi propaganda dhe media e imponuar me lajmin e rremë dhe e pa fuqishme për të mbrojtur të vërtetën e ka kaluar fazën e evidentimit të bashkëjetesës dhe të trajtimit pushtet dhe opozitë në dy standarde të ndryshme. Standardi i ndryshëm është normë, ndërsa sundimi i pushtetit pa kontrollin e opozitës është një realitet.
Për ta krahasuar vetëm përmes lajmit zyrtar të shtetit shqiptar ATSH trajtimi mbetet i shkruar dhe i dokumentuar sipas linjës propagandë të pushtetit. Paragrafi i fundit shënon;”Andrea Mano zuri vendin e Ervin Salianjit, i cili u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit ndërsa Erjon Meka vendin e Jurgis Ҫyrbjes, i cili dorëzoi mandatin e deputetit “për arsye shëndetësore”.
Ky parashtrim i fakteve me tendencë shtrembër të bën të kuptosh standardin e dyfishtë që jetohet sot si dy realitete të ndryshme.
Salianji me “kallëzim të rremë” 1 vit burg.
Pra theksohet ndëshkimi, kurse Jurgis Ҫyrbja, pas disa aktesh teatrale me hyrje dalje në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i merret masa e sigurisë pasi është shfuqizuar nga cdo lidhje me Partinë Socialiste ose sipas ATSH-s dhe Komisionit të Mandateve “për arsye shëndetësore”.
Në një kohë kur në vetë lajmet e saj ATSH-ja ka të detajuar procedimin penal Nr. 93 të vitit 2023 që Jurgis Ҫyrbja ka konsumuar veprat penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Kjo e fundit ne na sjell në të kuptuarin e progresit që sjell bashkëveprimi i shtetit të korruptuar me krimin. Dy renditje më poshtë në listën shumë emërore se vetë kreu i Rilindjes Socialiste për Durrësin për zgjedhjet e 25 Prillit, 2021, fillimi i mandatit të tretë.
Të vërtetat flasin vetë ndërsa propaganda e pushtetit fsheh dhe shtrembëron realitetin duke ndërtuar perceptime edhe më të gabuara për detyrat e përfaqësuesve në Kuvend të zgjedhur nga populli. Në çfarë shkalle duhet të mbërrijë për t’u parë korrupsioni. Këtë e gjen dhe e justifikon me mos përgjegjësinë e vet kryeministri dhe njëherazi kryetari i Rilindjes Socialiste. Ai nuk flet më për mandatin e katërt sepse fuqia e kartonit në një Kuvend pa opozitë po i krijon të gjitha kushtet e mbrojtjes. Progresivizmi në këtë rast jo ai i Raportit Vjetor të BE-së, por i strategjisë për ta mbajtur përjetësisht pushtetin është kthyer në mbivlerësime personale dhe autoritare. Të bërjes politikë e cila shkon deri në auto-vlerësime filozofike ku propaganda çmon, shquan dhe ngre figurën e një lideri që tani shkollon dhe certifikon të rinj dhe të reja në Akademinë e Partisë Socialiste, një përpunim ideologjik progresist që ka në qendër pushtetin dhe sundimin e përjetshëm.
31 Tetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)