E dëgjuat gënjeshtarin spektakolarin, se çfarë tha në takimin që bëri me patronazhistët e diasporës në një takim të inskenuar në New York.”Kam ardhur këtu që të kërkoj votën e diasporës për mandatin e katërt në mënyrë Shqipërinë në vitin 2030 ta bëjmë pjesë të Bashkimit Evropian”
Edhe integrimi ynë evropian është futur në Piarin gëbelsian të Edi Ramës ku tashti është kthyer në një teatër politik në të cilin janë përfshihen edhe disa burokratë të korruptuar të Komisionit Evropian në Bruksel.
Për Edi Ramën imazhi është gjithmonë një çështje pushteti. Lërini për një moment përshkrimin e gënjeshtërt që i bën Edi Rama perspektivës se procesit të integrimit evropian përmes fotografive dhe lajmeve të rreme, për vizitat që bën në Bruksel, tek burokratët e niveleve të ndryshme. Ka 12 vjet që gënjen, ku në vend që të kishim rezultatet e këtij projekti që ka bllokuar me keqqeverisjen e tij po reklamon një atmosfere të gënjeshtërt mbi një realitet që e ka kthyer mbrapsht këtë proces.
Pretendimet e mazhorancës qeverisëse mbi mundësinë e afërt të integrimit evropian të Shqipërisë në Bashkimin Evropian janë si një lugë hallve mbi një pjatë të servirur mbas një ceremonie morti.
Patronazhistët e Ramës nuk po më ndahen edhe për këtë përfundim.
– “Si është e mundur ?!
-Po ku ka mort?!..”
Po nuk ka shumë shqiptarë që nuk e shohin mortin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Që nuk e shohin ose bëjnë sikur, janë vetëm ata që i shërbejnë regjimit dhe përfitojnë benefitet prej tij.
Por paradoksi më i madh qëndron tek fakti, se Ramës po i bien këmbët poshtë e lartë për të treguar me fjalë dhe veprime boshe, se punon për hijen e integrimit.
Por as hija integrimi nuk ekziston tashti, sepse mashtruesi e ka kthyer në fantazmën e hiçit të tij.
A nuk duket Edi Rama kudo si një vrasës i shpresës së shqiptarëve që shtiret se i vjen keq për këtë ëndërr të vrarë nga mëndja dhe duart e tij ?!
Ka edhe vrasës në historinë njerëzore të cilët shpien lule të përlotur në varrimin e viktimës. Pse të mos themi se Edi Rama është vrasës i perspektivës së Shqipërisë për në Bashkimin Evropian?
Unë gjendjen dëshpëruese të nivelit të integrimit evropian të Shqipërisë nuk e shikoj fare tek vizitat e burokratëve më të lartë evropian si znj Usurla Van der Leyen, por e shikoj tek rezultatet e hiçit.
Temenatë ndaj njeri tjetrit për mua mbeten një sjellje e neveritshme që nuk pasqyrojnë rezultatet e integrimit si nga ana evropiane ashtu dhe nga qeveria shqiptare.
Ato janë ekskluzivisht personale dhe nuk duhen shfrytëzuar më tej.
Në rast se procesin integrues evropian e trajtojmë si një vepër shumë dimensionale së cilës përtej idesë ose rrënjëve i kishim ndërtuar çdo pjesë së strukturës saj, në pritje të suvatimit, lyerjes, arredimit dhe lejes për të hyrë brenda , tashmë ajo ndërtesë është shkatërruar dhe është kthyer në një karabina mbi tokë. Pothuajse është bërë gërmadhë, edhe pse ideja e saj ka mbetur gjallë. Po të kthjellohemi mirë me parimet me të cilat është i mbrujtur dhe ndërtuar Bashkimi Evropian, e kupton sa serioz është shkatërrimi i rrugës evropiane të integrimit të Shqipërisë.
Demokracia dhe liria ku përfshihet dhe liria politike janë dy kriteret bazë mbi të cilat është konceptuar të vihet çdo gurë ose tullë në këtë aspiratë të madhe të popujve evropian.
Nuk po them se integrimi është një ëndërr e shuar sot, por është një ëndërr e vrarë për ne. Rruga evropiane e Shqipërisë, jo vetëm që nuk ka përparim, por është devijuar plotësisht për shkak të agjendës së një klike që është instaluar .Nuk ka asnjë vëmendje serioze qoftë edhe minimale në këtë drejtim. Parimet dhe normat demokratike me të cilat Bashkimi Evropian mbështet ekzistencën e vetë të qëndrueshmërisë, sot janë zëvendësuar me parimet dhe rregullat e xhunglës në Shqipëri.
Edhe pse në fasadë, hera herës ka një hipokrizi të sforcuar qeverisëse mbi shqetësimin dhe interesimin qeveritar gjoja mbi këtë problem për ta kthyer në agjendën prioritare, rezultati që figuron është një proces dezintegrimi dhe fatkeqësisht duket se ngadalë ngadalë po na thotë lamtumirën.
Megjithatë, edhe përballë kësaj tragjedie dëshpëruese regjimi nuk thotë se u vonuam dhe na iku treni, por thjesht iku. Dhe për ti dhënë edhe më tej “dritë” gënjeshtrës shpërndan lajme dhe imazhe se rruga e integrimit është në rrugën e perspektivës së saj të vërtetë.
Këmbëngulja në dukje për ta bërë të vdekurin të gjallë, është gënjeshtra e gënjeshtrave e kësaj qeverisje për sa i përket rrugës integruese të ndërprerë në mes .
Po si mund te integrohet Shqipëria ne BE me këtë nivel lirie dhe demokracie të shkatërruar?!
Realiteti nuk mund të ndryshojë me imazhet e rreme të propagandës së mashtruesit që drejton regjimin, kur realiteti buçet me denoncimet për të me fakte dhe ngjarje ulëritëse për ato që ndodhin në Shqipëri .
A mund ti japë Evropa e vlerave mbështetjen dhunuesit të vlerave dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar krijesa evropiane ? Kjo për Shqipërinë sot është e njëllojtë sikur ti thuash Lukashenkosh ose Putinit” bujrëm “në Evropë ! Po a mund të ndodhë kjo ,që Evropa të mbyll sytë dhe ti premtojë diktatorit perspektivë, në një kohë kur tre liderët e partive opozitare janë realisht të burgosur politikisht dhe ndiqen me një proces gjyqësor fallso të ndërtuar në emër të ligjit?!
A ka sot një shembull të ngjashëm në Evropë, ose në tërë botën euroatlantike ku kryetari i opozitës, ish kryeministër, ish president, udhëheqës i lëvizjes pluraliste në Shqipëri, autor i shumë reformave demokratike në Shqipëri të mbahet në arrest shtëpie kur edhe pse ka 4 vjet që po i bëhen hetime ende nuk ka një akuzë?!
Nuk mund të hapet kurrë dera e Bashkimit Evropian kur me sjellje ekstra diktatoriale të grabitësh në mes të rrugës ish presidentin, ish kryeministër dhe kryetar i partisë së dytë opozitare dhe ta futësh në qeli me agjenda politike.
Kush të lejon kështu të futësh kokën në Evropën e qytetëruar dhe demokratike me diktaturën politike të Maduros ose me autoritarizmin e Erdoganit?