Kompleksi i kosovarëve dhe trevave të tjera shqiptare në Ballkan me Enver Hoxhën, ka qenë i përligjur dikur, përgjatë periudhës ‘70-’80, por edhe në fillimvitet ’90, kur Shqipëria u hap, por terrori në Jugosllavi u shtua.
Te ky kompleks mund të gjeje atë lëngatën e gjatë të shqiptarëve përtej Shqipërisë londineze për të parë një atdhe të fortë me të cilën të ishin krenarë, një vend që u zëvendësonte atdheun e humbur, një pater familias që mund të qe i ashpër, megjithatë i përkiste gjuhës dhe gjakut ‘tonë’, dhe jo atij jugosllav.
Këtë rol e luante Enver Hoxha, të cilit i falej shitja e Kosovës disa herë për interesa të pushtetit të vet, por i adhuroheshin deklaratat propagandistike boshe, ku ai hynte në luftë imagjinare me Beogradin.
Edhe pse disa dekada kanë shkuar dhe dokumentacioni historik e ka të provuar tashmë ‘dashurinë ‘ e diktatorit për Kosovën, ka ende ishuj veneracioni për të në Kosovë, Diasporë apo gjetkë. Psikologjikisht, një lidhje e tillë instinktive me emisarë të së keqes është e përbotshme. Ka ende hitlerianë në Gjermani.
Bota shqiptare, përkatësisht ajo e trevave në Ballkan që përsëriten edhe në komunitetet tona në Diasporë, nuk ka dalë nga një komatozë e tillë.
Para disa javësh, Behgjet Pacolli, një politikan kosovar me aktivitet disa dekadësh në Diasporë-si të kish dalë nga panegjerizmi i viteve ‘80 për Enver Hoxhën, i blatonte Edi Ramës një lumë lëvdatash. Pavarësisht rekordit të Ramës, tentacionit të tij për të anashkaluar Kosovën dhe qeverinë e saj, për të krijuar një lidhje të shkurtër me Beogradin përmes “Ballkanit të Hapur”, shpërfilljes- në mos përçmimit për lidershipin kosovar-fut këtu edhe atë se Rama e konsideron Pacollin ‘mbret të kitsch-it’, për biznesmenin e shndërruar në politikan dhe pjesë e elitave qeverisëse të Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë ishte më “i miri i të gjitha kohërave”.
E zëmë se kjo është e vërtetë, por me Ramën gjallë, më shumë se vlerësim historik duket si përllogaritje interesi apo qokë personale. Më shumë se kaq, me këtë emfazë Pacolli bën në Shqipëri atë që bën Rama në Kosovë, futjen i paftuar në odat politike të Tiranës. Shqiptarët e Kosovës, aq më pak politikanët që ndërrojnë vend në qeverisje, duhet të tregohen më të matur në hiperbolizmat për ‘prijësat legjenddarë’ të këtej kufirit. Edhe për faktin se qëndrime të tilla i ka përgënjeshtruar historia një herë në rastin e Hoxhës. Enveriada nuk mund të vazhdojë në kushtet e lirisë, përndryshe shpreh një shpirt skllavi.
Një ndërhyrje skiç, po aq publike dhe të pavend, bënë bashkëkombësit e trevave ballkanike në Diasporë para dy ditësh në Staten Island të New York-ut, nëpërmjet “shoqatës Ulqini”. Një organizatë me emër dhe fokus të tillë, komunitetin e ulqinakëve dhe malësorëve shqiptarë në Malin e Zi, është në të drejtën e vet të thërrasë dhe të presë z. Rama për çdo temë që ka të bëjë me kombin. Që nga librat, gjuha, shkollat, mundësia që konsulltata shqiptare në New York të ndihmojë shqiptarët e Malit të zi, e me radhë. Por kur tema e takimit janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vota e Diasporës, dhe kur tubimi vishet kuq e zi, por e ka zemrën mavi, gjindemi në shkelje të hapur të bashkëkombësisë së mirë. Është të lejosh një komunitet të nderuar si ai i malësorëve atdhetarë dhe të mençur të Malit të zi të përdoren si electoral stunt.
Është të ngatërrosh flamurin dhe simbolet e kombit me një pushtetar kalimtar të Tiranës, dhe të veshësh të dytin me të parat, sikur hiperoblës së Ramës të mos i mjaftonin elisat dhe helenat. Shqiptarët e Kosovës dhe të trevave të tjera shqipfolëse në Ballkan, apo të shpërngulurit në Diasporë, duhet ta vrasin Enverin brenda vetes.
Historia ka folur në lidhje me të mirat dhe të këqijat e diktatorit për shqiptarët e Shqipërisë londineze dhe ata të mbetur jashtë kufijve. Përsëritja e sindromit Hoxha me Edi Ramën, në kushte krejt të favorshme për lirinë, informacionin dhe balancat kombëtare, nuk e ndihmon Shqipërinë, por vetëm pushtetin politik të kryeministrit.
Sikur asgjë tjetër, fakti se edhe në vendet pasaportat e të cilave mbajnë shqiptarët e Diasporës, të Malit të Zi, Kosovës, etj., bëhen zgjedhje me standarde të pranueshme, ndërsa në Shqipërinë e Edit aspak të tilla, duhet që t’i vërë në pozitën e atyre që lirinë e tjetrit për të zgjedhur e vlerësojnë sa të tyren. Kur tjetri është bashkëkombës, çdo standard i dyfishtë është kriminal.
Në fund fare, si Edi si Enveri mund të adhurohen, por gjthmonë duke patatur parasysh edhe ata që u ëshë dashur apo u duhet t’i durojnë.
Krahasimet çalojnë në çdo rast, por në Tiranë, ndër partitë e djathta nacionaliste, as për Titon as për Sllobodanin nuk është folur mirë.
Për Dushanin dhe Vuçiqin po, por gjithmonë në anën e partisë së Enverit dhe Edit.