Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me mbërritjen në Portin e Durrësit të 102 kontenierëve që dyshohen së përmbajnë 2100 tonë mbetje toksike të nxjerra nga kompania “Kurum” dhe ajo “Sokolaj”, e që kishin si destinacion Singaporin dhe Tajlandën.
Përmes një postimi në Facebook, Xhixho ka ndarë disa foto nga protesta e PD dhe qytetarëve, duke shkruar se “mbetjet u kthyen te qeveria e plehrave, që i ka biznesin e preferuar”.
Ajo e cilëson si operacioni mafioz ndërkombëtar, i cili u bë me bekimin e qeverisë, e që sipas saj, mori fund sot (28 Tetor), duke risjellë në Shqipëri dy anijet me mbetje toksike.
“Udhëtimi i 102 kontejnerëve me mbetje zgjati më shumë se tre muaj, për të përfunduar aty ku nisi: në portin e Durrësit. Një shuplakë në fytyrën e qeverisë, falë alarmit të ngritur nga Rrjeti i Bazelit, sepse të gjitha institucionet e sigurisë së vendit mbyllën sytë me urdhër. Në përpjekje për të shpëtuar nga një skandal tjetër në zinxhirin e shumë të tillëve, dyshimet për manipulimin e testimit mbeten shqetësimi më i madh i qytetarëve”, shkruan Xhixho.
Ndër të tjera ajo thekson se Projektligji i ri, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, “është përpjekja kriminale e radhës për të shndërruar Shqipërinë në vend tranzit të mbetjeve toksike.”
Postimi i plotë
Mbetjet u kthyen te qeveria e PLEHRAVE, që i ka biznesin e preferuar.
Operacioni mafioz ndërkombëtar, i cili u bë me bekimin e qeverisë së inceneratorëve, mori fund sot duke risjellë në Shqipëri mbetjet toksike.
Udhëtimi i 102 kontejnerëve me mbetje zgjati më shumë se tre muaj, për të përfunduar aty ku nisi: në portin e Durrësit.
Një shuplakë në fytyrën e qeverisë, falë alarmit të ngritur nga Rrjeti i Bazelit, sepse të gjitha institucionet e sigurisë së vendit mbyllën sytë me urdhër.
Në përpjekje për të shpëtuar nga një skandal tjetër në zinxhirin e shumë të tillëve, dyshimet për manipulimin e testimit mbeten shqetësimi më i madh i qytetarëve.
Partia e Lirisë mbetet në krah të qytetarëve që protestuan dje, duke kërkuar me forcë transparencë maksimale në testim dhe zbardhjen e gjithë skemës mafioze.
Qeveria e mbetjeve dhe inceneratorëve nuk mund të fshihet më! Mbetjet e kthyera sot janë vetëm maja e ajsbergut.
Projektligji i ri, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, është përpjekja kriminale e radhës për të shndërruar Shqipërinë në vend tranzit të mbetjeve toksike.
Ne do të përdorim çdo mjet demokratik së bashku me mbështetjen e mijëra qytetarëve dhe shoqërisë civile, për të ndalur planin ogurzi të kësaj qeverie për ta kthyer Shqipërinë në kosh mbeturinash. gsh