Duke i kërkuar një cope votën e diasporës në New York kryeministri Rama e pështolli si meritë të vetën pjesëmarrjen në zgjedhje për shqiptarët që punojnë jashtë atdheut. Megjithëse vota e diasporës është një e drejtë që u përcaktua në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për shtetasit shqiptarë politika bëhet e pa skrupull kur vjen rasti për ta kërkuar votën. Së bashku me drejtësinë e re edhe votën e diasporës Rama ja vesh vlerat vetes dhe elitës së Rilindjes Socialiste kur shprehet se: –“Ky është investimi ynë më i madh politik, i PS-e të shekullit të ri dhe kjo është shprehja më shembullore e besnikërisë sonë ndaj zgjedhësve që na votuan tre herë rresht dhe do të na votojnë përsëri për ta bërë Shqipërinë një shtet Europian të së drejtës në BE”.
Demagogji dhe arrogancë prej mendje madhi kur njëherësh që shuan 112 vjet përpjekjet e formimit të shtetit shqiptar i cili është vrarë për 80 vite nga ideologjia komuniste dhe zgjatimet e saj.
Edhe po ta marrim të mirëqenë fitoren tre herë rresht nga socialistët-rilindas dhe të katërtën që ai po e pretendon atëherë, përse Ramës i duhet të dalë nëpër botë dhe t’ua kërkojë votën shqiptarëve?
Atyre që janë larguar prej diktaturës komuniste, atyre të tranzicionit post komunist si dhe atyre shqiptarëve që janë larguar pikërisht prej keq qeverisjes në dhjetë vjeçarin e fundit?
Ky “tur” ka filluar herët sepse në të dy rastet si me simpatizantët dhe po ashtu me kundërshtarët në të njëjtën ditë risku që ka mori Rama cilësohet si trazim i përkatësisë në politikë i shqiptarëve në diasporën e Amerikës vetëm për të provuar ujin dhe përllogaritur numrat nga ky agjitim (trazim). Me ata kundra si dhe të paanshmit në diasporë po krijohet plotësisht korniza e pjesëmarrjes në zgjedhjet 2025-ës sepse situata brenda vendit me regjimit parti-shtet dhe e fshehur nën emirin e drejtësisë së re dhe jo të asaj drejtësie për të barabartë përpara ligjit, mënyra e patronazhimit të diasporës ka mundur tashmë të krijojë avantazhin ndaj një opozite jo vetëm të burgosur, por edhe të dënuar e përjashtuar nga Kuvendi.
Vetëm me katër fjalët, “në vetë rradhët tona”* të theksuara brenda një fjalie e kupton mirë se ky takim ishte i hapur për simpatizantët e Rilindjes Socialiste në Nju Jork dhe jo me shqiptarë të diasporës. Pra patronazhisti më i gjatë i Rilindjes Socialiste Rama adhurohet nga ajo audiencë e shpurës së administratës e ministrave që kishin përgatitur prej kohësh Taulant Balla e të tjerë organizatorë ku veç kureshtareve apo atyre që ushqejnë iluzionin patriotik dhe të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri treguan lidhjet nepotike të administratës shtetërore në diasporë, të thekurve me bindje të majta me përjashtim të me përjashtim të një grupi që protestuan brenda tubimit dhe disa dhjetra të tjerëve që protestonin kohë përpara në një kryqëzim rruge përpara ndërtesës ku ishte parashikuar takimi.
Pra edhe pse në Amerikë, rasti live me kryetarin për pjesëmarrësit flet shumë sepse përmes propagandës shtetërore ndodh edhe një shumëfishim i mesazhit në rrjetet sociale madje edhe disa herë më shumë se dhjetra televizione shqiptare pro pushtetit që kishin huazuar të njëjtin burim sinjali transmetimi.
Por a e arrin qëllimin ky sulm dhe a është në strategjinë e Rilindjes Socialiste zgjedhja e kohës së duhur?
Këtë koha do ta tregojë. Rasti është se një propagandë e verbër për pushtet ushqen “gëzimin” e çastit, por pas saj do të prodhohet edhe më shumë frikë për elitën e Rilindjes Socialiste.
Pragmatizmi i luftës politike të Ramës është një përpjekje e vonuar pavarësisht zhurmës dhe tërheqjes së vëmendjes. Ai po kapitullon dhe do të futet në beteja të vështira deri në zgjedhje në qoftë se opozita dhe popullsia shqiptare e pa kënaqur vërtetë do të luftojnë me mjete demokratike për të drejtat, liritë dhe demokracinë. Taktikisht Rama bëri provën e gabuar në zemrën e antikomunizmit shqiptar të diasporës në New York. U luajt jo vetëm me simbolin e patriotizmit shekullor, jo vetëm me të përndjekurit dhe të deklasuarit nga diktatura, por u luajt edhe me simbolet e malësisë.
Rama garantoi në fjalimin e tij për votën, ndërsa pyetjet nga pjesëmarrësit u drejtuan për shumë gjëra të ndryshme si turizmi, prona, dokumentet e regjistrimit, aftësia e kufizuar, pensionet etj. dhe as kush nuk pyeti për varfërinë, informalitetin e ekonomisë, formimin e dobët të nxënësve dhe studentëve në arsim, shëndetësinë, energjinë, mjedisin, median, etj. Ekonomia e prirur drejt koncesioneve ende nuk ka stabilizuar sipërmarrjet ekonomike të vendasve në qytet dhe fshat. Remitancat me luhatjet e tyre ndër vite kanë patur treguesin më të ulët në vitin 2013 me vlerë 545 milion €, ndërsa në vitin 2007 ishte 952 milion € dhe më 2023, 929 milion €. Ky tregues i vlerave monetare që kryhet me diasporën tregon edhe shkallën miqësore të klimës së biznesit dhe prirjet e ekonomisë kur ka kontribut nga diaspora në Shqipëri.
Megjithatë në stilin e propagandës zhurma e tupanëve dhe curleve brenda në sallë ishte një kundërpërgjigje “festive” ndaj protestuesve të cilët nuk patën ndonjë përballje me Ramën pasi një hyrje e dytë në sallë i mundësoi atij mbajtjen e një fjalimi 20 minutash. Mes të pranishmeve u shpalos një programi socialist për zgjedhjet e 2025 dhe premtimi se ky program me sigurimin e një mandati të katërt, ku nënkuptohet jo thjeshtë fitore e një mandati të katërt, por instalimi i partisë-shtet pa kundërshtarë politik, një autokrat që do t’i fusë shqiptarët në BE në vitin 2030.
Suksesi i projektuar si i tillë është imazhi i propagandës i cili u duartrokit, por që në thelb është absurdi i një “demokracie” pa pluralizëm politik.
Një takim në Nju Jork.
I mbuluar nga disa dhjetra media shqiptare dhe i kumbuar në rrjetet sociale.
Për të shuar kureshtjen titujt e mediave shqiptare nënvizonin gjerësisht “Takim në Diasporë”, për kryetarin e Rilindjes Socialiste Rama në Nju Jork dhe i kushtuan atij kohë të konsiderueshme ashtu sikurse edhe u analizua pjesa e protestës si një e drejtë që në Amerikë lejohet, por që ishin shqiptarë që donin t’ia prishnin imazhin kryeministrit
Rama që për herë të parë vjen në Nju Jork për të kërkuar votën e një mandati të katërt.
Në fund të kureshtjes, programi “Ditari” i ditës së Shtunë 26 Tetor, 2024 kishte ndër lajmet kryesore Vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Prishtinë nga turi i saj në Ballkanin Perëndimor, situatën në Lindjen e Mesme, zgjedhjet Presidenciale në SHBA sikurse dhe nga Shqipëria një ngjarje përkujtimore në 100 vjetorin e lindjes së françeskanit At Zef Pllumi, në qytetin e Shkodrës.
A është një rastësi që ky lajm “i zhurmshëm” nuk pati hapësirë për kryeministrin dhe njëherazi kryetarin e Rilindjes Socialiste me tubimin e tij elektoral në Nju Jork?
__________
* Rama nga fjalimi në Nju Jork ;“Me vullnet të hekurt ne bëmë atë që asnjë forcë politike dhe asnjë pjesë e pushtetit politik në Shqipëri qysh nga 1912 nuk e bëri dot. I hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia dhe e bëmë me vetëdijen e plotë për kostot e pashmangshme politike të goditjeve që drejtësia e re po jep edhe në vetë rradhët tona ku askush nuk është më i paprekshëm dhe ku cili do që gjykohet nga drejtësia nuk merr asnjë mbrojtje politike nga ne. Ky është investimi ynë më i madh politik i PS të shekullit të ri dhe kjo është shprehja më shembullore e besnikërisë sonë ndaj zgjedhësve që na votuan tre herë rresht dhe do të na votojnë përsëri për ta bërë Shqipërinë një shtet Europian të së drejtës në BE”
26 Tetor, 2024